Tri humbje radhazi, starti më i errët në historinë e Luftëtarit. Trajneri Kostiç ka besim te kthesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 16:41

Tri humbje radhazi, starti më i errët në historinë e Luftëtarit. Trajneri Kostiç ka besim te kthesa

Luftëtari i drejtuar nga Millosh Kostic në tri përballjet e luajtura në këtë fillimsezoni nuk ia ka dalë të “arkivojë” qoftë edhe një pikë të vetme. Një ecuri që vështirë se mund të ketë përjetuar skuadra gjirokastrite në gjithë historinë e saj. Shifrat janë alarmante. Tri humbje të njëpasnjëshme (dy në shtëpi dhe një në transfertë) pa dyshim që “djegin”, teksa kthen kokën mbrapa dhe bluzinjtë renditen të fundit me zero pikë.

luftetariii

Pakkush e kishte perceptuar që Luftëtari do të kishte këtë start, nisur nga koha e fillimit të përgatitjeve dhe emërimit të trajnerit të ri. Një vit më parë, në stolin bluzi u ulën dy uruguaianë, Daniel Fernandez dhe Luiz Kurbelo dhe nën drejtimin e tyre, pas tri javëve të para Luftëtari renditej i katërti në klasifikim me 4 pikë. Gjirokastritët e nisën sezonin vjet me humbjen 2-1 në Durrës për të vijuar me fitoren minimale 1- 0 ndaj Laçit në transfertë dhe barazimin 0-0 me Vllazninë në shtëpi.

22 korriku i 2017-ës shënonte fillimin e përgatitjeve verore, ndërkohë që nga 6 qershori i këtij viti Luftëtari zbriti në fushë. E sikur të mos mjaftonte paraqitja zhgënjyese e Luftëtarit në Ligën e Europës, do të vinin tri humbjet radhazi në kampionat. Në këtë situatë aspak të qetë kërkohet domosdoshmërisht përmirësimi i klimës dhe atmosferës brenda kontingjentit bluzi. Kjo është jetike për stafin teknik të Luftëtarit, e ardhmja e të cilit është në fije të perit. Një rezultat negativ me Tiranën, në javën e katërt, do të shkaktonte tërmet në stolin bluzi, tronditjet e të cilit u ndjenë jo pak pas humbjes me Flamurtarin.

Gjithsesi, trajneri Kostiç ka marrë edhe njëherë “bekimin” e drejtuesve të Luftëtarit për të vijuar punën me ekipin. Slloveni Kostiç beson te të tijtë, gjë të cilën e shprehu një ditë pas ndeshjes me Flamurtarin. “Unë besoj te ju. Ruani qetësinë dhe të shohim përpara. Rezultatet do të vijnë, falë punës sistematike që kemi bërë së bashku”. Do të mjaftonin fjalët e trajnerit para lojtarëve në stërvitje për të bërë më bindës opinionin sportiv në Gjirokastër se Luftëtari do të kthehet te rezultati pozitiv. “Unë nuk frikësohem. Do të vazhdojmë punën bashkë me lojtarët për të gjetur rezultatet pozitive”, tha mes të tjerave Kostiç pas ndeshjes me Flamurtarin.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"