Tri gola dhe gjashtë asiste, Zoga “skanon” ecurinë dhe synimet: Në krah jam… “zjarr”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2022 | 19:50

Tri gola dhe gjashtë asiste, Zoga “skanon” ecurinë dhe synimet: Në krah jam… “zjarr”

Apolonia është kthyer, ndonëse pa bërë shumë zhurmë. Problemet ndoshta nuk i ka sfumuar të gjitha, por rezultatet nuk po i mungojnë.

Apolonia

Janë zyrtarisht 5 ndeshje pa humbje (mes 4 fitoresh dhe një barazimi) dhe tashmë fierakët e shohin veten në vendin e 4- t, çka u jep të drejtë që të ëndërrojnë edhe rikthimin në elitë.

Janë 11 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar në 450 minuta, çka dëshmon se sulmi dhe mbrojtja po funksionojnë. Kontribut të paçmuar po jep edhe mesfusha, aty ku ka lojtarë të palodhur. I tillë është rasti i Krisild Zogës, 21- vjeçari që po shpërthen në krahun e majtë.

E ka gjetur veten në këtë rol dhe 3 rrjetat e shënuara dhe 6 asistet janë treguesi më i mirë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, flet për formën që po kalon, rolin e preferuar dhe ekipin. Nuk kishte si të mos ndalej te transferta me Tërbunin, që e quan provën e forcës dhe objektivat sezonalë.

Jeni të pathyeshëm prej 5 ndeshjesh. Si u kthye Apolonia?

Jemi përshtatur më mirë me lojën e njëri-tjetrit dhe tashmë i dimë pikat tona më të forta. Gjithashtu, po kuptojmë shumë mirë lojën që na kërkon trajneri dhe nën drejtimin e tij po punojmë çdo ditë për të përmirësuar ndjeshëm paraqitjen tonë në fushën e blertë. Në fillim të kampionatit kishim nevojë për kohë që të merrnim rezultate pozitive, ndërsa tani në mes të kampionatit po tregojmë se puna e nisur para disa muajsh po jep frytet e veta.

Të shtunën luani në Pukë, me çfarë misioni do të udhëtoni?

Po e them haptazi dhe prerë që në Pukë shkojmë për të marrë trepikëshin. Gjatë këtyre ditëve jemi stërvitur shumë dhe me ngarkesë të plotë, pasi ndeshja e radhës është shumë afër. Jemi të përqendruar dhe të fokusuar maksimalisht përballë Tërbunit. Beteja jonë me vendet e para vazhdon dhe nuk duam të lëshojmë pikë në ndeshje të rëndësishme. Transferta e javës së 19-të është një provë force për ne, ku do të kërkojmë të marrim fitoren e tretë radhazi.

Po bëni gola dhe jepni asiste, Zoga po shpërthen. Ndiheni më mirë në krah të mesfushës?

E them me zë të lartë se ky është pozicioni im i preferuar. Falënderoj trajnerin që ma besoi këtë rol. Kam mundësi të asistoj më shumë, por më jepet edhe rasti të shënoj. Deri tani kam shënuar 3 gola dhe kam dhuruar 6 asiste, por nuk do ta lë me kaq…

Sa është përforcuar Apolonia me blerjet e fundit në merkaton e janarit?

Kemi bërë blerje shumë të mira në repartin ofensiv. Lojtarët e ardhur në merkaton na kanë dhënë një dorë në mesfushë dhe kryesorja është që janë ambientuar menjëherë. Berberi dhe Kovaçi kanë cilësi, por nuk mund të harroj as sulmuesin Antoni. Jemi një grup më i kompletuar dhe alternativat e konkurrenca janë shtuar.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"