Tri goditje për Apoloninë, vjen dhe ish-talenti i Tiranës. Zyrtarizimi brenda dy ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2019 | 17:52

Tri goditje për Apoloninë, vjen dhe ish-talenti i Tiranës. Zyrtarizimi brenda dy ditësh

Drejtuesit e klubit fierak kanë punuar me qetësi gjatë këtyre ditëve dhe kanë mbyllur marrëveshjen me tre futbollistë, që do t’i bashkohen Apolonisë për sezonin e ri.

jurgen vrapi

Jurgen Vrapi i Dinamos, Jurgen Vogli i Egnatias dhe Gelando Sharavolli janë tri përforcimet e para për trajnerin Artan Mërgyshi. Zyrtarizimi i marrëveshjes me këta tre futbollistë pritet të bëhet brenda dy ditësh, por burime pranë gazetës “Panorama Sport” bëjnë me dije se ka tashmë një akord mes palëve dhe gjithçka është formalitet.

Apolonia forcon kështu fillimisht mbrojtjen dhe mesfushën. Janë të tre futbollistë, për të cilët trajneri i ri i fierakëve e kishte thënë hapur se i donte tek Apolonia. Ky është vetëm fillimi i merkatos për klubin bardhejeshil, që po vepron në të gjitha pistat dhe me kalimin e ditëve do të kompletohet me elementët që i duhen. Priten edhe futbollistë të huaj, nga Ballkani dhe nga Amerika e Jugut.

jurgen vogli

VRAPI – Jurgen Vrapi është një futbollist i ri, 20 vjeç. Ai luan në mesfushë dhe njihet mirë nga trajneri Mërgjyshi, pasi sezonin e fundit të dy kanë qenë pjesë e Dinamos. Vrapi është formuar si futbollist tek ekipi i Tiranës dhe më pas ka kaluar te Dinamoja, ndërsa sezonin e ri do të jetë pjesë e Apolonisë. Vetë trajneri Mërgjyshi e pranoi kur mori drejtimin e Apolonisë se do të merrte lojtarë nga Dinamoja, ku veç Vrapit, ai ka dashur edhe Marlind dhe Rei Nuriun, por gjasat janë që vetëm njëri prej tyre të vijë në Fier.

VOGLI – Një tjetër Jurgen vjen tek Apolonia, por nga Peqini. Jurgen Vogli është mbrojtësi 26-vjeçar, që sezonin e fundit luajti për Egnatian në Kategorinë e Parë. Një qendërmbrojtës me shumë përvojë, që më parë është aktivizuar edhe me skuadra si Shkumbini, Teuta, Lushnja dhe Elbasani. Vogli është një lojtar që ka spikatur sezonin e fundit dhe me afrimin e tij Apolonia forcon ndjeshëm qendrën e mbrojtjes.

SHARAVOLLI – Afrimi i tretë deri tani për Apoloninë vjen nga Berati. Mesfushori Gelando Sharavolli, 24 vjeç, ka qenë një tjetër dëshirë e trajnerit Mërgjyshi, që është realizuar tashmë nga drejtuesit e klubit fierak. Detajet e kontratave të këtyre futbollistëve do të mësohen pasi ata të kenë firmosur.

TË TJERË – Merkatoja e Apolonisë ka një shtrirje të gjerë, deri në Amerikën Latine, nga ku do të vijnë lojtarë që mendohet se do të fuqizojnë sulmin e fierakëve, por pasi të ketë kaluar provën e trajnerit Mërgjyshi. Një emër që bën pjesë në listën e merkatos së klubit fierak, është edhe kavajasi Alked Çelhaka, por për këtë nuk ka ende diçka konkrete. Po ashtu, me fierakët mund të bashkohet edhe ndonjë lojtar tjetër që sezonin e fundit ka spikatur në Kategorinë e Parë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"