“Treni” i fundit për Kastriotin, Nica: Me Kamzën vendoset shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 9:21

“Treni” i fundit për Kastriotin, Nica: Me Kamzën vendoset shumë

Kastrioti do të luajë sot një ndeshje të rëndësishme, e cila mund të konsiderohet si “treni” i fundit i krutanëve për të qëndruar në kategori, pavarësisht se kampionati ka ende shumë takime për të zhvilluar. Krutanët do të presin Kamzën e parafundit, e cila vjen në këtë përballje pas tri humbjeve radhazi, por edhe pa trajner. Nga ana tjetër, krutanët vijojnë të mos marrin rezultate pozitive që prej ndeshjes me Laçin, e cila daton më 23 shtator 2018.

nica1

Trajneri Nica, në prag të kësaj ndeshjeje flet për gjendjen e skuadrës së tij, teksa deklaron se synon vetëm fitoren në këtë përballje, pasi është e vetmja mënyrë për të qëndruar afër rivalëve. “Sigurisht që gjërat kanë anët pozitive dhe anët negative. Sa i takon anës pozitive, skuadra është e angazhuar. Po organizohet mirë në lojë, në të gjitha fazat e saj. Ndërsa në anët negative shoh pak stepje në repartin sulmues. Duhet të kenë më shumë besim, më shumë kurajë për të arritur te rezultatet pozitive. Përmenda shumë pak dhe problemi është te besimi dhe kuraja për t’i shkuar më me besim fitores”, tha fillimisht Nica.

I pyetur se sa besim ka që skuadra këtë radhë do t’ia dalë, tekniku u përgjigj se beson te fitorja. Ndërsa i pyetur nëse është kjo sfida që do të vendosë shumë për objektivin sezonal, Nica u shpreh: “Unë mendoj se po. Mendoj se marrja e një rezultati pozitiv ndryshon shumë faktorë për ecurinë e kampionatit”. Sa i përket faktit se Kamza vjen pa trajner në këtë përballje, Stavri Nica u shpreh: “Besoj se trajneri ka bërë punën e tij, është problemi i atyre, por ndikimi i trajnerit vazhdon në ndeshjen e radhës edhe më vonë, sepse ai ka punuar, ka sakrifikuar. Megjithatë, nuk e shoh si problem mungesën e trajnerit te kundërshtari, por ne duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të mendojmë për fitoren”.

for

Pa Shehun
Që prej ardhjes në krye të Kastriotit, trajneri Nica ka ndryshuar shumë gjëra në skuadër. Edhe sot, tekniku durrsak pritet t’i besojë të njëjtit formacion, por me një ndryshim, pasi Julian Shehu mungon në këtë ndeshje për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Megjithatë, në mesfushë trajneri ka mjaft alternativa dhe për momentin, më i mundshmi për të zënë vendin e mesfushorit është Herald Marku.
Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"