Tre trajnerë për një fazë, skuadra e Kategorisë së Parë zgjedh “timonierin” e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2021 | 14:13

Tre trajnerë për një fazë, skuadra e Kategorisë së Parë zgjedh “timonierin” e ri

Artan Sakaj do të jetë trajneri i ri i Orikut. Ai rikthehet në krye të pankinës të këtij ekipi pas dy vitesh. Pas prezantimit me futbollistët, vlonjati ka zbritur menjëherë në fushë për të nisur punën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 40-vjeçari zbulon edhe planet e merkatos.

Sakaj

“Është kënaqësi që të rikthehem në krye të drejtimit të Orikut pas dy vitesh të bukura që kam kaluar këtu. Në periudhën kur unë kam drejtuar këtë skuadër, arritëm të merrnim rezultatet e dëshiruara. Grupin e futbollistëve e njoh mirë. Po ashtu njoh edhe ambientin. Shpresoj te rezultatet pozitive. Nuk më mungon besimi se do t’ia dalim. Oriku i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të bërë mirë, sikundër deri tani”, tha fillimisht trajneri, që pohon se synon të afrojë ndonjë element cilësor për të përforcuar edhe më shumë grupin.

“Të shohim çfarë mund të bëjmë sa u përket afrimeve. Na duhet që të ulemi e të diskutojmë me drejtuesit për këtë pjesë. Ekipi ka elementë cilësorë, pra nuk mungon grupi i lojtarëve. Por, na duhet ndonjë blerje e mirë që të bëjë diferencën”, përfundoi Sakaj, i cili mori drejtimin e orikasve pas dorëheqjes së papritur të Besmir Shabanit, duke e çuar kështu në tre numrin e trajnerëve që kanë drejtuar ekipin nga nisja e këtij sezoni. Në këtë fillim janari, dy janë lojtarët e larguar nga ekipi, Gëzim Hyska që iu bashkëngjit Erzenit dhe Ermanel Llojaj i Butrintit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"