Tre trajnerë dhe përzgjedhje e gabuar lojtarësh, një histori dështimi te Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2019 | 22:35

Tre trajnerë dhe përzgjedhje e gabuar lojtarësh, një histori dështimi te Tomori

Tomori është buzë greminës dhe vetëm një mrekulli do ta shpëtonte nga kjo situatë aspak pozitive që po kalon. Zemërimi dhe trishtimi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh, paçka se duhet të pajtohen me situatën dhe të pranojnë realitetin e hidhur që i ka mbërthyer.

Tomori2

Ndonëse shpresat janë zbehur, beratasit nuk janë dorëzuar dhe do të provojnë shansin e tyre të fundit në transfertën e Turbinës, ku çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte dramatik për lojtarët e drejtuar nga tekniku Santiliano Dule.

DËSHTIMI

Tomori u ndërtua për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore në sezonin e ardhshëm, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Lojtarët e afruar në merkaton e verës nuk ishin në nivelin e duhur për këtë objektiv, çka me rezultatet e grumbulluara deri më tani, situata është shumë më keq nga çfarë mund të ishte menduar. Diçka e tillë u paralajmërua në mënyrë indirekte nga ish-trajneri i Tomorit në këtë sezon, Bledar Devolli, duke shprehur se kjo skuadër nuk ka kualitetin e duhur dhe se do të ndërhynte medoemos në merkaton e janarit për të bërë përforcime të shumta.

Tomori

Pra, kjo tregon edhe faktin se përse tekniku gjirokastrit nuk kishte sukses në drejtimin e beratasve, pavarësisht se gjendja financiare ishte e mirë nga Bashkia e Beratit. Kujtojmë që ky ekip u projektua nga ishtrajneri i beratasve, Gersi Arbri, në fillim të sezonit, i cili dha dorëheqjen pas barazimit të marrë në ndeshjen e parë të kampionatit. Tomori ka ndërruar 3 trajnerë deri në këto momente dhe situata është po e tillë.

Kjo tregon që prurjet nuk kanë qenë të mirëmenduara dhe se fajtorët kryesorë janë lojtarët. Tashmë, skuadra beratase rrezikon që brenda pesë vitesh të provojë Kategorinë e Dytë për herë të dytë. Skuadra është duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen që do të luajë të shtunën në Cërrik ndaj Turbinës.

ERIS SYLYKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"