Tre titullarët presin përgjigje, Kukësi drejt ciklit të ri me Gegën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 20:14

Tre titullarët presin përgjigje, Kukësi drejt ciklit të ri me Gegën

Kukësi do i nënshtrohet riformatimit për sezonin e ri. Me ardhjen e trajnerit Skënder Gega në krye të skuadrës verilindore, drejtuesve, por dhe vetë stafit teknik u duhet të forcojnë skuadrën. Para se të bëhen afrimet, do mendohet për futbollistët aktualë, të cilët janë boshti i skuadrës. Pra, do të punohet për të formuar ekipin e Kupave të Europës dhe më pas për edicionin e ri. Tashmë drejtuesit po mendojnë seriozisht për ekipin e ri. Mbas dështimit për të rinovuar me Shkurtajn dhe largimin e Abazajt, drejtuesit po mendojnë për tri shtyllat e ekipit, kapitenin Musolli, zv.kapitenin Valon Ethemi dhe Emiljano Mustën.
Kuper goli Kukesi logo
Të treve u skadon kontrata në përfundim të këtij sezoni (mbas Kupave të Europës). Edhe pse e kanë në kontratë me të drejtë rinovimi, çdo gjë mbetet në dorën e lojtarëve, pasi klubi nuk ka më asnjë të drejtë mbi ta mbas përfundimit të aventurës europiane. Pak kohë më parë, Ethemi në një intervistë për gazetën deklaroi: “Kam firmosur kontratë 3-vjeçare dhe përfundon në fund të sezonit. Ka sinjale që klubi dëshiron të rinovojë, pres një ofertë të kënaqshme nga të dyja palët. Do të marr vendimin më të mirë për të ardhmen time”.
Ethemi
Por, problemi mbetet te paga e lojtarit, i cili ka qenë një ndër futbollistët më pak të paguar jo vetëm në radhët e Kukësit, por edhe në kampionatin shqiptar. Në janarin që shkoi, presidenca dhe pse lojtari ishte nën kontratë, gati ia trefishoi rrogën, por prapë ai mbetet shumë larg në krahasim me futbollistët më të paguar të Kukësit. Mesfushori u formua te Kukësi, tifozët dhe ambienti kuksian e konsiderojnë si një prodhim të tyrin, edhe pse lojtari ka ardhur në moshën 19-vjeçare, ku ishdrejtori i Kukësit, Naim Halili, e zbuloi si talent nga Mamurrasi. “Panorama Sport” zbulon se një ofertë nga një klub polak e ka joshur së tepërmi Ethemin.
besar musolli
MUSOLLI DHE MUSTA –  Ndërsa kapiteni Besar Musolli e mbrojtësi Emiljano Musta konsiderohen si dy nga shtyllat kryesore të ekipit dhe në vijim klubi duhet të ulet të bisedojë me ta për të firmosur kontratat e reja. Musolli është lojtari i vetëm i Kukësit që ka luajtur në të gjitha edicionet pas ngjitjes në Superiore. 31-vjeçari militon te Kukësi që në sezonin 2012-2013 kur verilindorët u ngjitën në Superligë. Një vit më parë Musolli pati një ngërç me presidencën kur ai ndodhej i dëmtuar, palët deklaruan “divorcin”, por klubi vetëm pak ditë më vonë bëri prapakthehu dhe i ofroi rinovim “të përjetshëm” mesfushorit. Musolli pati oferta serioze dhe konkrete nga Tirana, Gjilani e Prishtina në fund të sezonit që shkoi, por ai preferoi t’i qëndronte besnik Kukësit. Gazeta mëson se Musolli ka sërish disa oferta në tavolinë, sidomos nga ekipet elitare të Kosovës, por dhe nga klube shqiptare. Sipas të gjitha gjasave ai mund të vijojë karrierën te Gjilani në Superligën kosovare.
emiliano musta
E njëjta situatë edhe me Mustën, i cili vetëm në një sezon është bërë një nga lojtarët kyç të nënkampionëve, pasi ka shkëlqyer me lojërat dhe golat e tij. Drejtuesit janë shumë të kënaqur me lojtarin dhe pritet që t’i ofrojnë rinovimin e kontratës me kushte më të mira financiare. Por, me ardhjen e Skënder Gegës lojtarëve do t’u prezantohet projekti dhe ofertat përkatëse për kontratat e reja. Shumë shpejt dilema e tyre nëse do të largohen apo do të qëndrojnë do të zbardhet.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"