Tre të larguar, Hoxhaj: Të prisnin deri në janar, ja si mund të mbijetojë Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 23:34

Tre të larguar, Hoxhaj: Të prisnin deri në janar, ja si mund të mbijetojë Flamurtari

Për Ardit Hoxhajn, Flamurtari ka një emër të madh dhe nuk i shkon që të dorëzohet. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi vlonjat shpreson që në janar, edhe me ndonjë afrim të mundshëm, situata të ndryshojë dhe Flamurtari të shpëtojë nga rënia.

 Hoxhaj66

Hoxhaj, të shtunën, do të jetë si kundërshtar i Bylisit, për të cilin luajti dy vite dhe ku thotë se është rritur si futbollist.

Hoxhaj deklaron se nuk ka asnjë emocion për Bylisin, duke parë situatën e vështirë të Flamurtarit dhe kërkon fitoren me vlonjatët. Sulmuesi pohon se tre lojtarët e larguar u nxituan, pasi sipas tij duhej të rrinin deri në përfundim të fazës, ndërsa thotë se ikja e tyre nuk do të ndikojë aspak tek ekipi në fushë.

Hoxhaj, si vjen Flamurtari përballë Bylisit? 

Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë. Në këto kushte, duke ditur këto probleme, jemi të motivuar të bëjmë maksimumin deri në përfundim të kësaj faze.

 Sa mendoni se mund të arrini ta fitoni këtë sfidë? 

Loja i ka të tria rezultatet brenda. Shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv. Në këtë moment që jemi, na duhet të mos bëjmë hapa fals dhe të japim maksimumin, duke marrë më të mirën.

Bylisi është ekipi ku keni luajtur për dy sezone. Keni ndonjë emocion të veçantë? 

Po, është e vërtetë që kam kaluar dy vite në Ballsh. Aty unë u rrita si lojtar. Kam vetëm mirënjohje për ata njerëz që drejtojnë klubin dhe për atë qytet. E kam shprehur gjithmonë këtë gjë. Por nuk kam asnjë lloj emocioni kur shikoj Flamurtarin në këtë gjendje dhe dua vetëm që ne të fitojmë.

Ku ndryshon Bylisi i këtij sezoni nga ai kur keni qenë ju?

I vetmi ndryshim është sepse shikoj një skuadër më kompakte, më të bashkuar, pasi disa lojtarë kanë 2-3 vite aty në ekip. Ndërsa si cilësi, nuk mendoj se ka diferenca.

Nëse do të shënoni në këtë takim, do të festoni?

Të shënoj njëherë, pastaj do ta mendoj këtë gjë, do të festoj apo jo.

 Ka më shpresa Flamurtari për mbijetesë?

Flamurtari, për nga vetë emri i madh që ka, nuk i shkon të dorëzohet. Shpresoj shumë se situata do të ndryshojë pas janarit. Nëse do të bëhet edhe ndërhyrje në merkato, besoj shumë se do ta shpëtojmë këtë Flamurtar.

Janë larguar ditët e fundit tre lojtarë, Bajraktarevic, Mema dhe Bajram Nebihi.  Keni ndonjë koment? 

Nuk mendoj se do të ndikojnë në fushë mungesa e të larguarve. Ne kemi lojtarë që t’i zëvendësojmë dhe na duhet të japim zemrën në fushë. Do të ishte mirë të ishim të gjithë bashkë deri në përfundim të kësaj faze dhe pastaj të merrnin secili vendimet e veta. Gjithsesi, ata e dinë vetë, për mua ngelen shokë ekipi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"