Tre të kuq dhe tre në spital vetëm për… 1 pikë, Flamurtari ndan pikët me kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2014 | 23:24

Tre të kuq dhe tre në spital vetëm për… 1 pikë, Flamurtari ndan pikët me kampionët

Flamurtari-Skenderbeu 1-1FLAMURTARI-SKËNDERBEU  1-1
GOLAT: Abilaliaj 11’/ Vangjeli 31′
FLAMURTARI: I.Lika, Arbri, Mendez, Veliu, Mici, Muzaka, Lena, Telushi, G.Lika (Idrizaj 40′), Vucaj (Gelashvil 23′), Abilaliaj (Gilberto 74′); (në dispozicion: Xhelili, Kuqi, Metaj, Krasniqi); Trajner: E.Gjoka.
SKËNDERBEU: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Osmani, Arapi, Progni (Dimo 46′), Lilaj, Alikaj, Berisha, Ribaj, Olaynka (Sefa 57); (në dispozicion: Llapanji, Lulaj, Soza, Nimaga). Trajner: M.Josa.
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Mici 34′, 37′, Mendez 79′, Arbri 83’/ Vangjeli 31′, Jashanica 49′, Berisha 49′, 96′, Lilaj 84, 95′
KARTONË TË KUQ: Mici 37′, Lilaj 95′, Berisha 96′
GJYQTARE: B.Pashaj, E.Doda (Tiranë), F.Lama (Durrës)

MINUTAT
1′ Progni befason nga distanca me një predhë, por grushton Shehi. Topi kthehet në këmbët e Olaynkës, që kishte rastin e artë, por shpërdoron duke gjuajtur vetëm jashtë.
10′ Progni kroson nga këndi për Ribajn, pason tek Alikaj, i cili lëshon një gjuajte potente në hyrje të zonës, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën pingule.
11′ Arbri asiston për Abilaliajn në zonë, mbrojtja mike shtanget, mendon se lojtari ishte në pozicion jashtë loje, por sulmuesi nuk kursen, gjuan me kokë dhe mposht Shehin, 1-0.
13′ Olaynka futet bukur në zonë, asiston për Ribajn, që gjuan me të majtën, por portieri Lika bën mrekullinë.
26′ Lena jep një kros perfekt për Abilaliajn, që në hyrje të zonës gjuan me të majtën, por Shehi grushton, duke shmangur një gol të sigurt.
27′ G.Lika avancon në zonë, pason te Veliu, i cili kombinohet me Mendezin, që godet me kokë, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën.
28′ Mendez gabon me kthimin e topit, përfiton Olaynka që galopon në zonë, gjuan, por Lika shpëton katërkëndorin e tij.
31′ Vangjeli gjuan në drejtim të portës, Ribaj bën një finte, duke gënjyer portierin Lika, dhe topi i goditur prej korçarit përfundon në rrjetë, dhe 1-1.
39′ Berisha kroson në zonë, Olaynka me kokë, por vetëm mbi tra.
42′ Goditje këndi, Progni gjuan, Arapi kërcen dhe gjuan me kokë, por vetëm mbi tra.
56′ Rast i Vangjelit, gjuan, por Veliu neutralizon rrezikun, duke e dërguar topin në goditje këndi.
87′ Lilaj kombinohet me Dimon, i cili kthen një top për Ribajn, gjuan sulmuesi, por vetëm jashtë.
88′ Provon nga distanca Berisha, por për Likën nuk ka rrezikshmëri, pasi e kontrollon pa problem. 90′ Arapi gjuan nga distanca, por nuk gjen kuadratin.

Tre të kuq dhe tre në spital, vetëm për një pikë. Flamurtari dhe Skënderbeu u mbyll në shifrat 1-1, teksa golit të Abilaliajt në të 11-n iu përgjigj Vangjeli në të 31-n. Një ndeshje e cila nisi me nderimin e “heroit”, Orges Shehit dhe rikujtoi emocionet e natës së Beogradit në pushim të pjesëve me dronin që valëviti flamurin në qiellin e Vlorës. Kjo përballje dhuroi një 90- minutësh të luftuar, dhe kjo duket qartë prej të dëmtuarve që u dërguan me autoambulancë në spital dhe tre kartonëve të kuq. Përtej superioritetit të Skënderbeut me lojë dhe raste, në fund ekipi i Josës nuk e përmbysi dot historinë, ndonëse ka afro 4 dekada pa fituar në Vlorë.
Pjesa e parë Skënderbeu e nis vrullshëm ndeshjen, teksa në sekondat e para Progni befason nga distanca me një predhë, por grushton Shehi. Topi kthehet në këmbët e Olaynkës, që kishte rastin e artë, por shpërdoron duke gjuajtur vetëm jashtë. Në të 10- n Progni kroson nga këndi për Ribajn, pason tek Alikaj, i cili lëshon një gjuajte potente në hyrje të zonës, pot topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën pingule. E megjithatë, vetëm një minutë më pas janë vlonjatët që shënojnë. Arbri asiston për Abilaliajn në zonë, mbrojtja mike shtanget, mendon se lojtari ishte në pozicion jashtë loje, por sulmuesi nuk kursen, gjuan me kokë dhe mposht Shehin, 1-0. Kundërpërgjigjen korçarët në të 13-n, teksa Olaynka futet bukur në zonë, asiston për Ribajn, që gjuan me majtën, por portieri Lika bën mrekullinë. Në të 26-n, Lena jep një kros perfekt për Abilaliajn, që në hyrje të zonës gjuan me të majtën, por Shehi grushton, duke shmangur një gol të sigurt. Flamurtari shton presionin në të 27-në, teksa G.Lika avancon në zonë, pason te Veliu, i cili kombinohet me Mendezin, që godet me kokë, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën. Një gabim i Mendezit bën që Olaynka të përfitojë, sulmuesi galopon në zonë, gjuan, por Lika shpëton katërkëndorin e tij. E megjithatë vetëm në 31-n portieri i Flamurtarit ndëshkohet. Vangjeli kroson në drejtim të portës, Ribaj bën një finte, duke gënjyer I.Likën, dhe topi i goditur prej korçarit përfundon në rrjetë dhe 1-1. Festimi i mbrojtësit korçar irriton tifozët vendës, por edhe lojtarët e skuadrës bregdetare. Ndërhyrja e Micit ndaj Vangjelit është e rëndë dhe kryesori Pashaj nuk heziton, nxjerr kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin. Kjo e detyron Gjokën të bëjë një tjetër zëvendësim, edhe ky i detyruar. Idrizaj, një mbrojtës, zë vendin e mesfushorit Gilman Lika. Ka edhe dy tentativa, teksa Olaynka dhe Arapi provojnë me kokë, por pa gjetur kuadratin.
Pjesa e dytë Loja rinis me Skënderbeun që mundohet të gjejë avantazhin, dhe në të 56-n e ka një rast. Vangjeli ka mundësinë e artë për të shënuar, por mbrojtësi gabon në goditje. Josa hedh në lojë edhe sulmuesin Sefa, duke dashur të shfrytëzojë epërsinë numerike. Flamurtari mbrohet me forca të shumta dhe mendon të dalë në kundërsulm, për të ndëshkuar kundërshtarin. Gjoka aktivizon edhe brazilianin Gilberto, që ka kaluar një dëmtim dhe nuk ka qenë në formën e duhur sportive. Për minuta të tëra nuk ka raste të rrezikshme, dhe vetëm në fund “ndizet” gjithçka. Në të 87-n Lilaj kombinohet me Dimon, i cili kthen një top për Ribajn, gjuan sulmuesi, por vetëm jashtë. Pak sekonda më vonë provon nga distanca Berisha, por për Likën nuk ka rrezikshmëri, pasi e kontrollon pa problem. Kur po pritej fundi i 4 minutave shtesë, vijnë edhe dy kartonë të kuq për Skënderbeun. Lilaj merr të dytin të verdhë për faullin jashtë zone ndaj Gelashvilit. Jepet goditje dënimi, që para se të ekzekutohej sjell edhe të verdhin e dytë për Berishën, që prish murin e vendosur. Lojtarët mbyllin para shokëve ndeshjen, ndërsa skuadrat ndahen vetëm në barazim.

MË I MIRI
Kristi Vangjeli ishte lojtari më aktiv në fushë. Mesfushori jo vetëm që shënoi një gol nga një gjuajtje pa shumë pretendime, por arriti që të nxirrte më të kuq edhe Micin. Korçari u kthye në një problem për mbrojtjen e vendësve, teksa shpeshherë ka vizituar portën e mbrojtur nga Ilion Lika.

MË PAK AKTIVI
Gledi Mici nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Ai nuk u përmbajt dot, teksa në harkun e 3 minutave mori dy kartonë të verdhë. Të dyja rastet ka ndërhyrë keqazi ndaj Vangjelit. Dalja e tij me të kuq e la Flamurtarin në inferioritet numerik, dhe dashur padashur kjo detyroi Gjokën të bënte ndërrime të kushtëzuara.

JA RASTET E MOVIOLËS
Ndeshja e djeshme ofron shumë raste për moviolë. Mjafton të shohësh kartonët e verdhë dhe të kuq, si edhe ndërhyrjet e ashpra dhe e kupton qartazi që rastet e diskutueshme duhen parë dhe riparë. Në disa raste kryesori Pashaj ka vepruar drejt, por ka pasur ndërhyrje të rënda që nuk i ka ndëshkuar.
Minuta e 20-të – Dyluftim mes Arapit dhe Vucajt dhe ky i fundit përfundon i dëmtuar, por për arbitrin loja vazhdon. Ndonëse mesfushori i Flamurtarit u detyrua të lërë fushën dhe iu drejtua spitalit.
Minuta e 54-t – Olaynka në zonë, ka ngritje take prej Veliut, që i shkakton edhe gjakderdhje në hundë, por arbitri nuk sinjalizon as faull dhe as karton, ndonëse minimalisht duhet të jepej i verdhi.
Minuta e 74-t – Berisha kroson në zonë për Lilajn, i cili përplaset me Mendezin, ka faull për Skënderbeun, por arbitri nuk mendon kështu.
Minuta e 75-të – Sefa ndërhyn ndaj Muzakës, duke e dëmtuar lojtarin. Por kryesori e quan dyluftim të pastër.
Minuta e 95-të – Arbri avancon në zonë, pason te Gelashvili, por lojtari ndalet në mënyrë të parregullt prej Lilajt, dhe ka goditje dënimi. Gjyqtari i jep kartonin e dytë të verdhë dhe sinjalizon goditje dënimi për vlonjatët.
Minuta e 96-të – Teksa po ekzekutohej goditja e dënimit, Berisha prish murin, dhe kjo bën që gjyqtari ta ndëshkoj atë më të dytin të verdhë.

Sinan IdriziIdrizi: Lojtarët, të turpshëm
Flamurtari ka humbur një mundësi mbrëmë për të mundur një rival direkt si Skënderbeu, si dhe për të vënë një distancë me kampionët, por në fund gjithçka ka përfunduar në barazim 1-1. Ndonëse për trajnerin Ernest Gjoka pika konsiderohet pozitive, për vetë rrjedhën që mori takimi, administratori i kuqezinjve Sinan Idrizi ka një mendim komplet ndryshe. Pas ndeshjes, Idrizi nuk ishte i kënaqur me atë që u pa në fushën e lojës, gjë e cila solli edhe “shpërthimin” e tij. Pas ndeshjes, Idrizaj e ka cilësuar si të turpshme paraqitjen e ekipit në takimin me Skënderbeun. Gjatë një deklarate të shkurtër për mediat, administratori Sinan Idrizi theksoi se ishte i zhgënjyer me atë Flamurtar që pa në fushën e lojës. “E patë vetë. Nuk ka nevojë për asnjë koment tjetër. Futbollistët ishin të turpshëm në fushë. Besoj se kaq mjafton”, deklaroi Idrizi kur por largohej nga stadiumi “Flamurtari”. Pa dyshim ky shpërthim i administronit pritet të ketë pasoja në ditët në vijim në radhët e ekipit, ku nuk përjashtohen edhe sanksione apo gjoba ndaj lojtarëve për rezultatet e fundit. Pa dyshim shkak për këtë revoltë të Idrizit janë tri rezultatet e fundit të ekipit, ku Flamurtari ka marrë tri barazime, dy nga të cilët në Vlorë me të njëjtin rezultat 1-1, ndaj Laçit dhe Skënderbeut, ndërsa ndaj Partizanit kanë barazuar 0-0. Nga një ekip që është investuar shumë në merkaton e verës, duke afruar lojtarë cilësorë dhe nga më të mirëpaguarit në Shqipëri, priten rezultate të tjera nga këto që po korr Flamurtari. Reagimi i administratorit Idrizi vjen para një tjetër ndeshjeje të rëndësishme për vlonjatët, ku në javën që vjen i pret transferta e Kukësit.

Gjoka“Ndeshje të tilla rrallë ndodhin, menaxhuam me 7 lojtarë”
Trajneri Ernest Gjoka priste më shumë nga takimi me Skënderbeun, por duke parë rrjedhën që mori sfida, barazimi konsiderohet rezultat pozitiv për Flamurtarin. Gjithsesi, për Gjokën rezultatet me rivalët konsiderohen të pranueshme. “Ndeshje të tilla rrallë ndodhin dhe duhet që t’i menaxhosh mirë dhe të kesh fatin me vete. Ne u munduam ta menaxhojmë lojën dhe patëm edhe fatin. Ishte një ndeshje që doli jashtë parashikimit, duke pasur parasysh daljen e Micit me të kuqe. Ajo na prishi të gjitha ekuilibrat, si dhe dëmtimet në fushë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë për ta menaxhuar dhe jo më pas për të menduar për të kaluar në avantazh. Si erdhën ngjarjet ku në 18 minutat e fundit mbetëm me 7 lojtarë, duke pasur parasysh që na u dëmtuan edhe Muzaka, por edhe Gilberto që pati sërish probleme nga dëmtimi, jam i kënaqur edhe me barazimin. Është një rezultat pozitiv, duke qenë se përballë kishim një ekip si Skënderbeu, një rival direkt për ne. Ndeshjet me rivalët tregojnë se janë sfida të forta dhe të tri rezultatet janë të pranueshme, pra duke u përballur me rivalë direktë do t’i konsideroja rezultate të pranueshme. Pra është një logjikë normale e kampionatit. Shpresoj që për ndeshjen e radhës me Kukësin të rikuperojmë lojtarët e dëmtuar dhe të jemi gati për këtë takim”, u shpreh trajneri i Flamurtarit.

Abilaliaj“Goli, dedikim për tifozët dhe familjen”
Arbër Abilaliaj e nisi si titullar ndeshjen me Skënderbeun dhe sulmuesit vlonjat iu deshën vetëm 11 minuta për të ngritur peshë tifozët vlonjatë. Por, në fund, Flamurtari nuk mundi të marrë më shumë se një barazim, ku ndikim pati dalja e Micit dhe dëmtimet. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe shumë e vlerësuar nga ana jonë. Na penalizoi dalja me kartonë të kuq e Micit dhe dëmtimet në pjesën e dytë. U mbrojtëm me kujdes. Morëm maksimumin si rrodhën ngjarjet. Ajo që nuk shkoi, ishin dëmtimet. Golin ia dedikoj familjes time dhe tifozëve që e kishin kthyer në mbrëmje feste këtë të sotmen (djeshmen) pavarësisht një veprimi provokues të Vangjelit që prishi gjithçka. Drejtuesit kishin menduar për një mbrëmje feste, kishin organizuar çdo gjë në perfeksion”, u shpreh Abilaliaj.
Mici – Mbrojtësi Gledi Mici kërkoi falje që la ekipin me 10 veta. “Më vjen shumë keq që e lashë ekipin në baltë. U kërkoj ndjesë shokëve të skuadrës dhe tifozëve. Ato ishin në fakt dy veprime të dënueshme, por edhe mund të evitoheshin. Gjithsesi, nuk kam asgjë me arbitrin. Edhe një herë më vjen keq për atë që ndodhi. Djemtë dhanë çdo gjë në fushë, u kërkoj ndjesë që i lashë në baltë”, tha Mici.

JosaJosa: Jam i kënaqur nga skuadra
Trajneri Mirel Josa ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në transfertën e Vlorës, ndonëse mundësitë ishin që Skënderbeu të merrte edhe fitoren. Josa ka falënderuar vlonjatët për mikpritjen që u bënë edhe sipas tij, ndaj Flamurtarit të tri rezultatet janë të pranueshme. Sipas trajnerit të ekipit korçar, Skënderbeu krijon volum loje, por goli mbetet problem, pasi lojtarët shpërdorojnë shumë para portës. “Së pari unë dua të falënderoj tifozët e Flamurtarit, por edhe drejtuesit e klubit vlonjat për mikpritjen. E prisja këtë rezultat, pasi kur luan me Flamurtarin janë të tria rezultatet në lojë. Nga momenti që skuadra luajti në atë nivel unë jam i kënaqur, por nuk jam i kënaqur për rastet që ne na u dhanë për shënim që nuk i shfrytëzuam në momentin para se të na shënonte Flamurtari, gjithashtu edhe kur barazuam ndeshjen. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm herën tjetër, pasi pikët kështu ikin dhe pastaj duhet të pretendosh për kampionat. Ne imponuam në lojë si kur ishim 11 me 11, si dhe kur patëm epërsi numerike, por duhet të ishim më të kujdesshëm në pasime. Kur pamë që ekipi kundërshtar i kishte bërë ndërrimet dhe Muzaka ishte i dëmtuar, duhet të kishim ushtruar presion në këtë krah. Oshilacionet e ekipit nuk më kanë pëlqyer fare, por ndaj Flamurtarit zhvilluam një ndeshje të mirë, gjithsesi na mungoi goli. Ne kemi një problem pasi shpërdorojmë shumë raste për shënim, dhe këtë gjë duhet ta riparojmë me këtë grup që kemi, pasi nuk mund të bëjmë ndryshime. Jam i kënaqur nga skuadra dhe impenjimi i tyre, ku përpos rasteve të shpërdoruara, shikoj se ekipi po tregon rritje, nëse i referohemi ndeshjes së fundit me Tiranën dhe kësaj që bëmë ndaj Flamurtarit. Tani na duhet të ruajmë qetësinë dhe të përmirësojmë konkludimin e aksioneve”, u shpreh Josa pas barazimit 1-1 me Flamurtarin.

Vangjeli: U kërkoj falje tifozëve vlonjatë për gjestin
“Jam shumë i lumtur që kam realizuar golin e parë me fanellën e Skënderbeut. Por dua t’u kërkoj falje tifozëve të Flamurtarit për gjestin që bëra, ndonëse pata provokime të vazhdueshme nga disa persona. Sigurisht që është faji im që reagova në atë mënyrë duke rënë pre provokimeve, pasi, së pari, jam lojtar profesionist, por nuk është as në karakterin tim që të kundërpërgjigjem në atë mënyrë. Edhe një herë u kërkoj falje tifozëve të Flamurtarit dhe jam penduar për reagimin që pata karshi tyre, pasi gjithçka nisi mirë, ku nuk mungoi edhe përkrahja e tyre ndaj lojtarëve tanë”, u shpreh Kristi Vangjeli, autori i golit të barazimit të Skënderbeut që kërkoi falje për gjestin e tij.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"