Tre serbë zbarkojnë në Lezhë, Noka: Besëlidhja nuk është në krizë, e kapim vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2020 | 18:19

Tre serbë zbarkojnë në Lezhë, Noka: Besëlidhja nuk është në krizë, e kapim vendin e parë

Barazimi me Orikun ka tronditur Besëlidhjen. Skuadra ka humbur ndjeshëm terren në objektivin “Superiore”, por presidenti nuk pezmatohet. Ai beson te puna e Sinan Bardhit dhe skuadra, gjë që e ka pohuar edhe gjatë analizës së zhvilluar dje.
Korabi-Beselidhja
ANALIZA – E hëna ka nisur me “samit” në Lezhë dhe i pari që mori fjalën ishte vetë trajneri. “Mendova se analiza që zhvilluam pas humbjes me Dinamon, ishte e dobishme. Por, siç duket, nuk keni dashur që ta kuptoni. Barazimi përballë Orikut në shtëpi është i pafalshëm për ne që pretendojmë ngjitjen. Gjithsesi, ajo që ndodhi nuk zhbëhet më. Mjafton që të mos e përsërisim më. Ndaj Veleçikut duhet ta fitojmë, pasi kjo do të na e lehtësonte rrugën. Shpresoj që kësaj radhe do ta vlerësoni kundërshtarin dhe do të jepni maksimumin. Kjo do të jetë autokritika jonë për rezultatet e dobëta të kohëve të fundit”, tha mes të tjerash gjatë analizës numri një i stolit.
gjok noka
Më pas ishte radha e Gjok Nokës që të jepte opsionin e tij, ndërsa u shpreh: “Nuk po përsëris ato që kam thënë në analizën e fundit, besoj se do t’i keni kuptuar. Rezultatet e dobëta që keni marrë kohët e fundit nuk ju nderojnë ju si futbollistë së pari, pastaj përgjegjësia vjen me radhë deri te stafi teknik. Ne nuk jemi në krizë, diferenca prej 6 pikësh me kreun nuk është e parikuperueshme, por duhet punë në stërvitje. Mundësitë i keni. Ne nuk do të heqim dorë nga objektivi. Kam besim te ju se do t’ia dalim dhe do t’ia dalim. Aty ku ka ndonjë mangësi do ta plotësoj me futbollistë në kuadër të merkatos së janarit. Grupin do ta ruajmë, jeni një grup futbollistësh që keni shumë më tepër mundësi sesa keni dhënë deri tani. Kthesën pozitive kam besim se do ta nisni që me ndeshjen e radhës ndaj Veleçikut duke e mbyllur këtë vit me fitore”.

SERBËT – Klubi ka nisur direkt me merkaton. Pa u mbyllur faza e parë, në Lezhë kanë zbarkuar tre futbollistë serbë. Ata kanë nisur stërvitjen dhe për një kohë do të vëzhgohen nga stafi teknik. Nëse e kalojnë provën, atëherë do të bëhen pjesë e Besëlidhjes. Bëhet fjalë për qendërsulmuesin Nikola Milanoviç, mesfushorin organizator David Angjelkoviç dhe sulmuesin e krahut të djathtë Marko Milovanoviç.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"