Tre serbë ndërpresin kontratën, klubi i Kategorisë së Parë futet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 15:24

Tre serbë ndërpresin kontratën, klubi i Kategorisë së Parë futet në merkato

Serbët largohen nga Besëlidhja. Mbyllja e fazës së parë ka konfirmuar “firot” e para. Mbrojtësi Nikolla Zerjal, mesfushori Sreçko Milivojeviç dhe sulmuesi Marko Jeremiç nuk do të jenë më pjesë e lezhjanëve. Ata janë larguar menjëherë nga qyteti, për të mos u kthyer më.

SERBET E BESELIDHJES

Gazeta “Panorama Sport” mëson se e kanë ndërprerë kontratën dhe, siç duket, me mirëkuptimin e presidentit Gjok Noka. Me shumë mundësi në adresë të tyre ka ardhur ndonjë ofertë tunduese nga klubet serbe, që i ka detyruar ata të ikin pas vetëm 6 muajsh nga Lezha. Vetë të huajt nuk janë shprehur publikisht për këtë vendim që kanë marrë.

Ata kanë zgjedhur të flasin pasi të marrin miratimin nga ana e menaxherit të tyre, por të kenë edhe lejekalimin në dorë.

MERKATO

Largimi i tre serbëve e bën të domosdoshme ndërhyrjen në merkaton e janarit për të plotësuar skuadrën, gjë që e kanë deklaruar më herët edhe vetë drejtuesit. Besëlidhja e ka nisur sezonin me objektivin e zakonshëm dhe të përvitshëm: Superioren. Por, rezultatet pas 15 ndeshjesh e detyrojnë që luftën ta përqendrohet vetëm te mbijetesa. Edhe ky mision do të jetë shumë i vështirë, për shkak të strukturës dhe rregullores së re të Kategorisë së Parë.

BILANCI

Skuadra e Alban Brukës e mbylli 2021-shin me humbje. U mundën 0-4 nga Erzeni, duke e mbyllur gjysmën e parë të sezonit në vendin e 11-të, që është edhe zona e “play out”-it.

Vetëm 5 fitore, 1 barazim janë shumë pak për të pretenduar. Sikur të mos mjaftonte fakti që kanë 9 humbje në total, gjatë gjysmës së parë të këtij sezoni kanë thyer edhe një tjetër rekord negativ.

Në stadiumin “Brian Filipo” kanë pësuar 3 humbje të thella në shtëpi, 0-5 me Burrelin, 0-3 me Tërbunin dhe 0-4 me Erzenin. Ndryshe nga sezonet e tjera, këtë herë menduan të ndërtojnë një ekip “bio”.

Edhe pse tek-tuk kishte ndonjë lojtar jo vendës apo tre serbët, kjo strategji nuk është se dha shumë fryte.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"