Tre pogradecarë në 11-she, Tomori ka gati “kurthin” ndaj liqenorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2022 | 0:04

Tre pogradecarë në 11-she, Tomori ka gati “kurthin” ndaj liqenorëve

Kur kanë mbetur 90 minuta nga fundi i Kategorisë së Parë, janë pak dilema për t’u zgjidhur. Duhet të përcaktohet ekipi që do të renditet i gjashti dhe kap “play off”-in, si edhe ato që do të shkojnë në “play out”. Për këtë motiv, vëmendja e gjitha në javën e 30-të shkon në Berat.

tomori

Tomori që do një shans për elitën, do të presë Pogradecin që synon të mbijetojë pa luajtur ndeshjet shtesë. Një peshë të madhe do ta kenë tre pogradecarët që mbrojnë ngjyrat e beratasve: portieri Mateo Baçi, mesfushori Isi Manellari dhe mbrojtësi Paolo Kasmollari. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, nuk e mohojnë se janë nostalgjikë për përballjen me të shkuarën dhe as që ndiejnë keqardhje për situatën e ekipit “mëmë”. E megjithatë, zotohen se do të veprojnë si profesionistë.

BAÇI – Gardiani “zhvishet” nga emocionet dhe qartazi e thotë që do të bëjë çmos që të mos pësojë. Gjithnjë nëse luan, pasi prej tri javësh është i dëmtuar: “Nuk jam i sigurt nëse do të zbres në fushë apo jo ditën e shtunë. Prej tri javësh jam në një proces rikuperimi, pas dëmtimit të pësuar në Lezhë. Por nëse luaj, do jap maksimumin për fitoren e Tomorit. Nuk do ta dëshiroja një situatë të tillë, por ky është futbolli dhe profesionalizmi mposht çdo lloj sentimenti. Pikët e plota na mbajnë në lojë për elitën, ndaj do provojmë shanset tona”.

KASMOLLARI – Në mbrojtje do të jetë Paolo Kasmollari që paralajmëron fitoren, por në të njëjtën kohë kërkon mirëkuptimin e bashkëqytetasve të tij. “Unë dhe shokët ndihemi shumë të vlerësuar te Tomori dhe kjo është arsyeja që i detyrohemi shumë kësaj skuadre dhe tifozërisë. Të ndodhur përpara këtij fakti, do të na duhet që të luajmë dhe të fitojmë kundër skuadrës sonë të vendlindjes.

Unë personalisht, ashtu si dhe shokët e mi, nuk e kemi aspak të vështirë që të luajmë si profesionalistë të vërtetë, por edhe të mirëkuptohemi nga ana e bashkëqytetarëve tanë. Për sa kohë ekziston lëvizja e lirë në sport, edhe këto situata janë të pritshme. Në Berat ndihemi të plotësuar në të gjitha aspektet, por edhe shumë të respektuar. Kaq mjafton që të respektojmë punëdhënësin tonë dhe fanellën që veshim. Duam fitoren e Tomorit dhe i urojmë Pogradecit qëndrimin në të Parën si direkt ashtu edhe në ndeshjen shtesë”, u shpreh 22- vjeçari.

MANELLARI – Mesfushori i linjës së majtë pret që të mos paragjykohen. Ai deklaron se do të japë 100% e tij në fushë, ndonëse shpreson që edhe Pogradeci të shpëtojë.

“Askush nuk mund të paragjykojë impenjimin tim dhe shokëve në këtë ndeshje, pasi angazhimi do të jetë maksimal. Nuk do ta dëshiroja kurrsesi që të isha në këto kushte, por shpresoj që Pogradeci t’i kalojë me sukses ndeshjet shtesë. Besoj se do t’ia dalë, ka forcë. Me Tomorin dua të vazhdojmë ëndrrën ‘Superiore’, ky do të jetë një rast i mirë për mua. Nëpërmjet Beratit, dua të bëj kalimin e madh në elitë”, përfundoi Isi Manellari.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"