“Tre musketierët”, goleadorët që mbajnë mbi supe… titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2017 | 20:18

“Tre musketierët”, goleadorët që mbajnë mbi supe… titullin

Tre rivalë për titullin kampion, tre sulmues që mbajnë mbi supe peshën e golit, shtatë ndeshje deri në fund. Kategoria Superiore e këtij sezoni ka qenë e karakterizuar nga rivaliteti i fortë dhe nga mungesa e golit. Skuadrat e kanë pasur të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës dhe kjo për shkak të stilit tejet mbrojtës të disa ekipeve, por edhe prej mungesës së “bomberave” që bëjnë diferencën. Me të drejtë, futbollistët, që kryesojnë klasifikimin e golashënuesve, vijnë pikërisht nga tre ekipet e para të renditjes.

“Ekipi që ka sulmuesin që di se si të shënojë, ka arritur të jetë edhe në garë për titull. Aktualisht janë tre sulmues që bëjnë diferencën dhe ekipet e tyre janë ato që luftojnë për titullin”, ishin fjalët e rekordmenit të golave në kampionatin shqiptar, Vioresin Sinani, pak ditë më parë. Për të kuptuar edhe rëndësinë e Pero Pejiçit, Kaleb Ekubanit dhe Hamdi Salihit në skuadrat e tyre, mjafton të vërejmë statistikat, ku dallohet lehtësisht pesha që kanë në ecuritë e ekipeve respektive.

Pejic - Ekuban - Salihi

PERO PEJIÇ

Është 34 vjeç, por në fushën e lojës transmeton freskinë e një adoleshenti dhe “aftësinë vrastare” të një gjuetari me eksperiencë. Ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 18 herë deri tani, ndonëse shtatë prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë. Kukësi kryeson renditjen me 59 pikë, por plot 25 prej tyre i ka vendosur kroati, duke iu referuar golave vendimtarë në takime. Shtatlarti ka mundur të realizojë plot 47.3% të të gjithë golave që ka skuadra në kampionat. Një statistikë që tregon qartë varësinë e veriorëve ndaj Pero Pejiçit.

Ai ka festuar në 13 ndeshje të ndryshme, ku në pesë prej tyre ka realizuar dopietë. Partneriteti me Izair Eminin gjithashtu ka qenë mjaft produktiv, pasi së bashku numërojnë 25 gola në Superiore, më shumë se sa kanë shënuar në total skuadra si Vllaznia, Tirana, Teuta, Laçi apo Korabi.

Pejic golat

KALEB EKUBAN

Zbulimi absolut i këtij edicioni dhe mbase sulmuesi më i kompletuar mes “tre musketierëve” që pritet të vendosin garën për titull kampion. I shpejtë, i fuqishëm fizikisht dhe ka shënuar me të drejta mënyrat (kokë, të majtën, të djathtën), duke theksuar cilësinë e tij për të finalizuar në çdo mënyrë. I vetmi “defekt” që mund ta ketë penalizuar në sasinë e golave është fakti se nuk ka marrë përsipër asnjë 11- metërsh dhe në këtë disiplinë ka kuotën 0. Gjithsesi, ai është futbollisti me më shumë gola në lojë efektive, pasi të 13-të i ka me lojë efektive, ndërkohë që në këtë mënyrë Pejiç numëron 11, ndërsa Salihi 8.

Sa i përket bilancit të përgjithshëm, bomberi i Partizanit ka mundur të realizojë në 11 ndeshje të ndryshme të kampionatit dhe të ketë një mesatare prej 0.48 golash për takim, ose çdo 185. Ndërkohë, “demat” duhet ta falënderojnë për të paktën 16 pikët që u ka dhuruar. Madje, veçantia që sa herë shënonte ai, ekipi fitonte, u thye vetëm në ndeshjen e fundit, atë ndaj Vllaznisë, ku ekipi nuk shkoi dot më tepër se një barazim 1-1.

Ekuban golat

HAMDI SALIHI

Shkodrani nuk është më ai i viteve të arta dhe këtë sezon më tepër e ka ndjekur fati i keq dhe shpërdorimi i rasteve, se sa finalizimi prej “killeri gjakftohtë”. Gjithsesi, 33-vjeçari mbetet futbollisti më efikas i Skënderbeut, duke shënuar në total 11 gola, në tetë ndeshje të ndryshme, ku në tre prej tyre ka realizuar dopietë. Kur shikon që Salihi gjen rrugën e rrjetës çdo 212 minuta, kupton se është larg statistikave të tij “të zakonshme”.

Por te korçarët, ai ka 35.4% të golave total që ka shënuar skuadra dhe u ka dhuruar 13 pikë në kampionat, duke qenë deciziv në disa prej ndeshjeve. Për t’u theksuar është fakti se te kampionët në fuqi të Shqipërisë, rolin e “xholit” sa i përket goleadorit që vendos ndeshje, shpeshherë e ka marrë përsipër edhe Liridon Latifi, pikërisht në sfidat ku vetë Salihi nuk ka qenë në formën e tij optimale.

Salihi golat

 

Mesfushorët goleadorë, risia e këtij edicioni

Në mungesë të sulmuesve që bëjnë diferencën, detyra për të gjetur rrugën e rrjetës u ka takuar mesfushorëve. Në fakt, këtë sezon kjo u shndërrua në një “epidemi”, pasi është shpërndarë në disa prej ekipeve të kategorisë Superiore. Pas tri vendeve të para në klasifikimin e golashënuesve, që komandohen nga “bomberat” e ekipeve pretendente për titull, pjesa tjetër vazhdohet nga mesfushorë që kanë arritur të jenë më rezultativë se sa mund të ishte pritur.

Donjet Shkodra është golashënuesi më i mirë i Flamurtarit, në kuotë të barabartë me Bushiçin, pasi ka gjetur rrugën e rrjetës plot tetë herë. Duke përdorur goditjen e tij potente, ai ka mundur të realizojë edhe disa prej golave më të bukur të këtij edicioni futbollistik. Në të njëjtën kuotë është edhe Afrim Taku i Tiranës, i cili ka kompensuar ndjeshëm mungesën e efikasitetit të sulmuesve afrikanë.

Luftëtari gjithashtu krenohet me një mesfushor krahu, sa i përket atij që ka mundur të shënojë më tepër, pasi këtë status e mban Dejvi Bregu me shtatë gola, një më tepër se ai që udhëheq repartin ofensiv të ekipit, Rexhinaldo. Po aq ka “vulosur” edhe Liridon Latifi te Skënderbeu. Idriz Batha i Partizanit vazhdon klasifikimin me 6 gola, Ndriçim Shtubina me pesë, apo edhe Elis Bakaj me katër. Në fakt, ky i fundit u transferua vetëm në janar te shkodranët.

Statistikat

Rubin Hebaj, talenti që ka befasuar

Një nga futbollistët e rinj që ka arritur të tërheqë me meritë vëmendjen këtë sezon është pa diskutim Rubin Hebaj. Edhe pse është vetëm 18 vjeç, sulmuesi i Vllaznisë ka treguar një kualitet që premton shumë për të ardhmen. Mbi të gjitha, ka mundur të bëhet vendimtar në fatin e katër ndeshjeve të ndryshme për ekipin shkodran, në të cilat ka gjetur edhe rrugën e rrjetës, ku i fundit ishte ndaj Partizanit. Në total, ai ka luajtur 462 minuta, por kjo nuk e ka penguar që të bëjë diferencën dhe të transmetojë mesazhin se është një garanci për edicionet që vijnë.

hebaj

Emini, Latifi dhe Batha, kur të dytët janë të çuditshëm

Tri skuadrat pretendente thuhet se janë të varura nga golashënuesit e tyre më të mirë, por statistikat e 29 javëve tregojnë se edhe golashënuesit e dytë kanë dhënë një ndihmesë të madhe në ecurinë e klubeve. Izair Emini për Kukësin, Liridon Latifi për Skënderbeun dhe Idriz Batha për Partizanin janë tre të dytët e çuditshëm që mbajnë kryesueset në garë për fitimin e titullit kampion.

Por, nga kjo treshe rasti më i veçanti mbetet zv.kapiteni i të kuqve, i cili nuk ka tipare sulmuese si Emini dhe Latifi, të cilët janë sulmues të dytë. Batha është mesfushor shkatërrues, por jo më kot ai mban numrin 10 në fanellë dhe me 6 golat e tij ka mbajtur peshën më të madhe në ecurinë e “demave”.

Kur Pejiç ka ngërç, për Kukësin del në skenë Emini, shtatë golat e të cilit rezultojnë të fundit për kuksianët. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia ka qenë vendimtar me golat e tij në tri raste kur Kukësi ka fituar 1-0. Por edhe 4 golat e tjerë kanë prodhuar pikë për Kukësin.

Po aq vendimtar ka qenë edhe Liridon Latifi për Skënderbeun, aq sa në javët e fundit korçarët kanë qenë të varur nga paraqitja e mesfushorit me tipare sulmuese. Skënderbeu në tre ndeshje ka futur minimalisht 1-0 me gola të Latifit, ndërsa në një rast goli i 23-vjeçarit u ka dhuruar një pikë korçarëve. Skënderbeu i trajnerit Ilir Daja ka vërtetuar se, kur Latifi është në formë, edhe skuadra ka ecuri pozitive. Idriz Batha po përjeton sezonin më produktiv me Partizanin, pasi ka shënuar gjashtë gola.

Në dy raste, golat e vetëm të Bathës i kanë dhuruar trepikëshin Partizanit, pikërisht në javën e parë ndaj Luftë- tarit dhe në përballjen e fazës së tretë me Korçarët. Në dy ndeshje, ndaj Vllaznisë dhe Flamurtarit, eurogolat e Bathës kanë evituar humbjen duke i dhënë një pikë Partizanit.

Mesfushoret goleadore

Të veçantat e tre lojtarëve

Te lista e tre golashënuesve të dytë më të mirë të tre ekipeve pretendente ekziston nga një element që i dallon lojtarët. Golat e Izair Eminit kryesisht janë shënuar të fundit. Liridon Latifi mbetet i vetmi nga këta tre lojtarë që ka shënuar në një ndeshje që është humbur nga ekipi i tij, pikërisht në takimin Tirana-Skënderbeu 2-1. Ndërsa Batha është i vetmi nga këta lojtarë që ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Tre nga gjashtë golat, Batha i ka realizuar me 11-metërsh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"