Tre lojtarë mbetën me “valixhe në duar”, ja cilët kuqezinj ndryshuan ekip në merkaton e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 9:40

Tre lojtarë mbetën me “valixhe në duar”, ja cilët kuqezinj ndryshuan ekip në merkaton e janarit

Për dikë janë paguar gjashtë milionë euro, për dikë 600 mijë, dikush ka ardhur me kosto 0 dhe dikujt nuk i është zbuluar ende shifra e transferimit. Të gjithë emrat e listuar më poshtë janë futbollistët kuqezinj, të ekipit të parë dhe atij U-21, të cilët janë transferuar këtë merkato janari.

SHQIPERIA 1

Ka qenë një muaj ku shtatë lojtarë deri tani kanë ndryshuar ekip, megjithatë asgjë nuk është mbyllur, pasi merkatoja është ende e hapur në disa shtete. Duke shkrepur një fotografi të një liste të atyre lojtarëve që do të veshin një fanellë tjetër, Nedim Bajrami ishte më i bujshmi. Kalimi i mesfushorit nga Empoli te Sasuolo u finalizua me shifrën e gjashtë milionë eurove.

Shtet ndryshoi edhe Qazim Laçi, teksa nga ishulli i bukur i Korsikës në Francë, ku luante për Azhaksonë, u shit në Çeki për 600 mijë euro, ku e bleu Sparta e Pragës.

Ndërkaq, një tjetër futbollist, i cili ishte edhe protagonist në miqësoren e fundit me Armeninë si Xhuliano Skuka, vendosi rekord për kampionatin shqiptar, sepse u shit nga Partizani te Metzi në Kategorinë e Dytë franceze për 1.4 milionë euro.

KOSTO ZERO- Dy lojtarë të tjerë që kanë veshur fanellën e Kombëtares janë edhe Bekim Balaj me Kristal Abazajn. Shkodrani u largua nga Kategoria e Dytë në Turqi dhe u kthye pas shumë vitesh në Superiore, ku firmosi me Vllazninë, operacion ky që u realizua falas.

I njëjtë rasti i Abazajt që pasi prishi kontratën me Isanbulsporin, firmosi me Tiranën, duke përfituar vetëm rrogën që ka nënshkruar në kontratë.

SIMONI DHE MEHMETI- Simoni është pjesë e Kombëtares Shpresa dhe pak javë më parë u transferua nga Dinamo në Gjermani, ku Eintraht Frankfurt pagoi 600 mijë euro për të.

Po ashtu edhe Anis Mehmeti, pjesë e Shqipërisë U21 në edicionin që lamë pas, hodhi një hap të rëndësishëm në karrierë, teksa firmosi për Bristol Sitin në Kategorinë e Dytë angleze. Për fantazistin që shkëlqeu tek Uaikombe ende nuk është publikuar shifra e transferimit.

01

ME “VALIXHE NË DUAR”- Etrit Berisha dhe Rei Manaj janë praktikisht me “valixhe ne duar” dhe në kërkim të një tjetër ekipi. Edhe për Endri Çekiçin ka një ofertë nga Sociedadi, por deri tani ende asgjë zyrtare. Pa ekip qëndron ende edhe portieri Gentian Selmani

0

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"