Tre kandidatë për stolin e Elbasanit, ja kush është favoriti për drejtimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 13:21

Tre kandidatë për stolin e Elbasanit, ja kush është favoriti për drejtimin e skuadrës

Brenda javës, Elbasani do të zgjedhë edhe trajnerin për sezonin e ardhshëm. Me Shkëlqim Lleshanakun që i ka mbaruar kontrata në përfundim të edicionit dhe klubi nuk e ka konfirmuar ende, “sytë” janë të gjithë nga pankina. Ka qenë vetë presidenti i klubit, Arben Laze, që një ditë më parë për “Panorama Sport” konfirmoi vetëm drejtorin teknik, Sabri Dalipin, ndërsa të tjerët janë ende në diskutim.

Elbasani-Shenkolli

Megjithatë, burime të besueshme në klub pohojnë se aktualisht tre janë emrat që po lakohen për trajner të Elbasanit: Lleshanaku mbetet favorit, por këtë pozicion mund ta marrë edhe ndihmësi i tij, Mikel Cenaj, si edhe trajneri i të rinjve, Arjan Kila.

LLESHANAKU – Sezonin që sapo lamë pas, shumë pak besonin te qëndrimi i Elbasanit në kategori, por nën drejtimin e Shkëlqim Lleshanakut, verdheblutë ia dolën që në fund të siguronin mbijetesën. Për këtë arsye, ai mbetet favoriti. Shanset që ai të rinovojë edhe për sezonin e ardhshëm janë në masën 45 për qind.

lleshanaku

CENAJ – Mikel Cenaj ishte ndihmësi i Lleshanakut pas rinisjes së kampionatit dhe pikërisht kthesa e skuadrës erdhi pas emërimit të tij në këtë pozicion. Një pjesë e rëndësishme e realizimit të objektivit i shkon Cenajt, ndaj shanset që ai të marrë “timonin” e verdhebluve janë rritur ndjeshëm. Cenaj ka 30 për qind të mundësive për sezonin e ardhshëm që të marrë frenat e ekipit në dorë.

KILA – Një emër që është përfolur gjithnjë këto kohët e fundit është edhe ai i trajnerit të të rinjve, Arjan Kila. Pas disa viteve eksperiencë në ekipin e të rinjve, duket se ka ardhur momenti i duhur t’i besohet një pozicion edhe në ekipin e parë. Ka marrë të gjitha kualifikimet e duhura, por shanset në krahasim me Lleshanakun dhe Cenajn janë më të pakta, me rreth 15 për qind të mundësive të drejtojë këtë sezon ekipin e parë.

TË TJERËT – Përpos këtyre tre emrave, janë edhe 10 për qind të shanseve që në drejtimin e klubit të vijë dikush tjetër, gjithnjë bëhet fjalë për një trajner brenda familjes dhe që aktualisht është pjesë e ekipeve të moshave.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"