Vendos me votë asambleja, tre kampionatet e luftës do t’i takojnë Tiranës dhe Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2013 | 15:20

Vendos me votë asambleja, tre kampionatet e luftës do t’i takojnë Tiranës dhe Vllaznisë

Titujt kryesore 2Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka diskutuar dje përciptazi edhe temën “e zjarrtë” të këtyre ditëve lidhur me njohjen apo jo të tri kampionateve të zhvilluara në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Për këtë rast, siç dihet, në asamblenë e vitit të shkuar u ngrit edhe një komision i drejtuar nga zv.presidenti Bujar Kasmi. Nga sa mësohet, dje KE-ja vetëm sa është njohur disi me punën e komisionit dhe ka lënë si detyrë që në mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet brenda muajit shkurt, të merret edhe një vendim përfundimtar. Gjithsesi, duhet thënë se aprovimi përfundimtar i kësaj çështjeje do të jetë votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, më datë 28 shkurt. Nëse komisioni do të dalë në përfundimin se duhen njohur tre titujt e luftës, atëherë propozimi do kalojë në asamble, ku edhe do të hidhet për votim. Në këtë moment do mjaftojnë që 50+1 për qind e anëtarëve të federatës (klubet) të jenë dakord që Tiranës dhe Vllaznisë t’u shtohen titujt, përkatësisht bardhebluve 2 tituj më shumë kampionë (1939 dhe 1942) dhe kuqebluve 1 titull (1940). Por, cila është arsyeja e hapjes së kësaj dosjeje dhe çfarë përfitojnë realisht këto dy klube? Më së paku, nga ai moment do të konsiderohen se njihen përfundimisht të gjitha kampionatet e zhvilluara në Shqipëri që nga themelimi i FSHF-së, paçka se thuhet që këto tri kampionate nuk janë organizuar nga federata jonë, por nga një shoqëri rinore, e krijuar nga Italia fashiste. Në këtë mënyrë vendoset (nëse do të ndodhë kështu) një drejtësi e mohuar prej gati 70 vitesh, si rrjedhojë e vendimeve të marra nga ana e drejtuesve të regjimit komunist (në fakt këta të fundit nuk njihnin as kampionatet nga 1930 deri në 1937-n). Së dyti, njohja e këtyre kampionateve është edhe çështje imazhi për Tiranën dhe Vllazninë. Tirana nga njëra anë do të ketë mundësi të përfitojë edhe dy tituj më shumë (nga 24 shkon 26), ndërsa Vllaznia 1 titull më shumë (nga 9 shkon 10). Por, edhe kjo nismë ka kundërshtarët e vet, dhe në vetë të parë janë Dinamo dhe Partizani. Sipas ish-drejtuesve, legjendave, por edhe protagonistëve aktualë në drejtim të këtyre dy klubeve, një vendim pro njohjes do të kundërshtohej nga këta të fundit. Argumenti i parë është fakti që këto kampionate nuk janë organizuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për rrjedhojë kjo e fundit nuk mund të marrë një vendim mbi diçka në të cilën nuk ka lidhje fare. Së dyti, Italia fashiste e shkriu FSHF-në në atë periudhë, ndaj dhe kampionatet nëse kanë ekzistuar, janë organizuar nga një shoqëri anonime. Së treti, i mëshohet shumë faktit se Shqipëria ishte një vend i pushtuar dhe faktet e dokumentacionet e kohës lënë shumë pikëpyetje. Dhe natyrisht ekziston edhe një lloj xhelozie, apo edhe shpirti opozitar, duke qenë se bëhet fjalë për Tiranën, kundërshtari historik i këtyre dy skuadrave.

Titujt e luftës, Kasmi në konflikt interesi
Kryetari i komisionit për njohjen e titujve për 1939-n, 1940-n dhe 1942-shin, Bujar Kasmi, rezulton të jetë në konflikt të hapur interesi. Në asamblenë e shkurtit të vitit të shkuar, në Shkodër u vendos që zëvendëspresidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, të drejtonte këtë komision, i cili në përbërje ka edhe anëtarin e KE-së, Artan Hajdari, presidentin e nderit të FSHF-së, Miço Papadhopullin, ish-komentatorin Ismet Bellova dhe gazetarin sportiv Fatmir Efica. Mirëpo askush nga ata që e propozuan Bujar Kasmin në këtë komision dhe askush më pas edhe nga anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit (klubet) nuk u kujtua që ta denonconte këtë shkelje, edhe pse ka kaluar gati një vit. Fakt është se z.Kasmi ka një të shkuar të gjatë dhe domethënëse te klubi i Tiranës, qoftë si futbollist, por edhe si drejtues. Kjo të bën jo vetëm të dyshosh mbi vendimin dhe paanshmërinë e tij në shqyrtimin e fakteve për këto tri kampionate (kujtojmë se dy tituj i pretendon pikërisht Tirana), por për më tepër është në shkelje të nenit 35 të Statutit të FSHF-së, i cili në pikët 3 thotë shprehimisht: Çdo anëtar i Komitetit Ekzekutiv duhet të abstenojë automatikisht nga diskutimi dhe votimi nëse ka rrezik ose mundësi për konflikt interesash”. Kjo do të thotë që Kasmit nuk i jepet e drejta që të japë mendim apo të votojë pro ose kundër (ca më pak ta drejtojë si komision), përderisa nga viti 1970 deri 1978 ka qenë futbollist profesionit me 17 Nëntorin (sot Tirana). Sakaq, “Panorama Sport” është munduar dje që të kontaktojë direkt me z.Kasmi për t’i marrë një prononcim lidhur me këtë fakt, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Nenet për konfliktin e interesit
Neni 35 – “Vendimmarrjet” – Pika 3: Çdo anëtar i Komitetit Ekzekutiv duhet të abstenojë automatikisht nga diskutimi dhe votimi, nëse ka rrezik ose mundësi për konflikt interesash.
Neni 40 – “Pavarësia dhe Abstenimi” – Pika 3: Një anëtar i organit gjyqësor duhet të abstenojë automatikisht në rastet kur ekziston ose mund të ndodhë një konflikt interesi. Në rast dyshimi, kryetari merr vendimin përfundimtar.

BirceBEJKUSH BIRÇE
“Nëse ekzistojnë dokumente, duhet të njihen”
Ish-trajneri i ekipit tonë përfaqësues me një të shkuar edhe në drejtim të Partizanit, Bejkush Birçe, është pro njohjes së tri kampionateve të luftës. Sipas tij nuk duhen injoruar faktet dhe, nëse ka dokumentacione të asaj kohe, këto duhen verifikuar dhe marrë seriozisht në konsideratë. “Nuk jam realisht në dijeni të kësaj iniciative dhe realisht nuk e njoh si temë. Në këtë këndvështrim ndoshta edhe mund të gaboj në gjykimin që mund të jap, porse kujtoj se pas viteve ’90-të një gjë e tillë u përfol goxha. Madje pati edhe deridiku edhe një lloj xhelozie nga ana e dinamovitëve dhe atyre të Partizanit, kjo e kuptueshme, pasi Tiranës do t’i shtoheshin edhe disa tituj më shumë. Megjithatë unë mendoj se, nëse ka dokumente që vërtetojnë se këto kampionate janë zhvilluar rregullisht sikundër edhe kampionatet e tjera, nuk ka arsye se përse nuk duhet të njihen edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, pavarësisht se kush është përfituesi, në këtë rast Tirana dhe Vllaznia. Duhet shfletuar shtypi i asaj kohe i cili, edhe pse ndoshta nuk ka qenë i nivelit të sotëm, duhet marrë ashtu sikundër ka qenë në konsideratë. E thashë që kam pak dijeni dhe uroj të mos gabohem në gjykim”, – pohon ish-trajneri i Partizanit dhe i ekipit tonë përfaqësues.

CecoILJAZ ÇEÇO
“S’ka kampionat në kohë pushtimi”
Ish-shefi i klubit të Dinamos dhe natyrisht një nga legjendat e kësaj skuadre, Iliaz Çeço, gjykon se është e kotë që të merresh sot me një periudhë plot dritëhije. Sipas tij, nuk ka kuptim të rishikosh kampionate në një kohë kur Shqipëria ishte nën tutelën e Italisë fashiste dhe kampionatet nuk organizoheshin nga FSHF-ja. “Shikoni, nuk dua të bëj me patjetër opozitarin në rastin konkret, por mendoj se ato kampionate i përkasin një historie me shumë dritëhije, ndaj duhen lënë sikundër janë. Në atë periudhë Shqipëria ka qenë në gjendje lufte, e pushtuar nga Italia fashiste, ndaj dyshoj se federata jonë do të ketë pasur mundësinë që të zhvillonte një kampionat të rregullt. Për më tepër ato kampionate duhet të njiheshin nga FIFA e UEFA dhe, me sa kam unë dijeni, nuk ka pasur një njohje të tillë. FIFA dhe UEFA i kanë njohur me të drejtë kampionatet nga 1930 deri në 1937-ën më duket, por sepse ishin kampionate që u zhvilluan vërtet nga federata jonë e futbollit. Sakaq, kur del kampion një skuadër merr një lloj stimuli moral apo material. Nga aq sa unë di, ndoshta këtu gabohem për kampionatet e luftës, as Tirana dhe as Vllaznia nuk e kanë përfituar qoftë edhe moralisht një gjë të tillë. Prandaj jam i mendimit që nuk duhet të merremi me ato kampionate”, – ka pohuar ish-shefi i klubit Dinamo.

frasheriFATMIR FRASHËRI
“Erdhi momenti, të shikohet dhe 1967-ta”
I vjen mirë që më në fund Federata Shqiptare e Futbollit po vendos një drejtësi të munguar prej shumë vitesh. Madje ish-trajneri dhe presidenti i Tiranës, aktualisht anëtar i bordit drejtues të KF Tirana sh.a, Fatmir Frashëri, kërkon që federata të rishikojë edhe kampionatin e 1967-ës i cili, sipas tij, i është hequr në mënyrë të padrejtë skuadrës së Tiranës. “Më vjen shumë mirë që erdhi kjo ditë, kur do të vendoset edhe një lloj drejtësie lidhur me një të shkuar të pandriçuar aq sa duhet dhe si duhet. Unë nuk kisha dijeni deri tani që klubi i Tiranës paskësh bërë një kërkesë të tillë, por uroj që tani të merret një vendim pro dhe Tiranës t’i kthehen ato trofe. Madje, unë jam i mendimit që jo vetëm titujt e kohës së luftës, por edhe ai i 1967-ës duhet që të merret në konsideratë nga ana e FSHF-së. Ne, si ish-lojtarë të asaj periudhë, bëmë aq sa mundëm duke denoncuar parregullsitë e atij kampionati, por ndoshta duhej të kishim bërë edhe një kërkesë zyrtare në federatë. Gjithsesi, ka ende kohë për të vënë drejtësi dhe në këtë mes duhet që klubi aktual të kërkojë që të hapen dosjet edhe për atë kampionat që, sipas meje dhe shumë kolegëve të mi të asaj periudhe, iu hoq pa të drejtë skuadrës sonë”, – pohoi ish-trajneri dhe aktualisht drejtuesi i bordit të KF Tirana sh.a.

rragamiRAMAZAN RRAGAMI
“Vihet drejtësia, Vllaznia e merito”
Ramazan Rragami e pret me padurim vendimin e FSHF-së lidhur me tri kampionatet e luftës. Sipas tij, nëse do të jetë një vendim pro, atëherë do vendoset një drejtësi e munguar prej vitesh. Ndërkohë Rragami kujton edhe një kuriozitet, i cili lidhet me organikën e skuadrës shkodrane, që sipas tij në 1942-in ka pasur ekipin më të ri në moshë, me futbollistë nga 17 deri më 20 vjeç. “Jam njëmijë herë pro rishikimit dhe rikthimit të atyre trofeve si Vllaznisë edhe Tiranës. Mendoj se pavarësisht luftës, në atë periudhë, të paktën nga sa kam lexuar e folur me lojtarë të Vllaznisë që kanë luajtur në atë skuadër, është zhvilluar një kampionat i rregullt. Madje di nga bisedat e shumta që kam bërë që në 1942-in, kur në kampionat merrnin pjesë edhe tri skuadra nga Kosova, Prishtina, Prizreni dhe Peja, në një finale në grup, Vllaznia- Prishtina, skuadra jonë e pat lënë fare lojën, pasi gjyqtari bëri me hile duke anuar qartazi nga Prishtina. Gjithsesi, kjo nuk i heq asnjë presje faktit që në atë kohë është luajtur futboll dhe ato kampionate duhet të njihen. Madje për kuriozitet po ju them se Vllaznia ka pasur ndoshta për herë të parë një skuadër totalisht të re, me lojtarë që ishin nga 17 deri në 20 vjeç”, – thekson ish-trajneri dhe aktualisht drejtues në klubin Vllaznia.

prodani_fshf_me_strukture_te_rEDUARD PRODANI
“Ka paqartësi, KF Partizani kundër”
Drejtori i KF Partizani, Eduard Prodani, ka qenë i përmbajtur në deklaratën e tij duke saktësuar se më së pari dëshiron të shikojë se si do të reagohet për këto tri kampionate dhe mbi ç’bazë do merret vendimi. Ai konfirmoi se nëse nuk do të jetë i mirargumentuar, KF Partizani do ta kundërshtojë me forcë dhënien e dy titujve plus Tiranës. “Pikë së pari duhet të shikojmë se si është punuar për zbardhjen e këtyre tri kampionateve. Mbi çfarë bazash dhe ku janë përqendruar evidentimet. Unë di me saktësi që këto tri kampionate nuk janë zhvilluar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe këtë ua them me kompetencë të plotë, pasi kam qenë sekretar i Përgjithshëm i FSHFsë. Në atë kohë Shqipëria ka qenë e pushtuar dhe, sipas asaj që kam dëgjuar, kampionatet janë organizuar nga një shoqëri rinore. Në këtë këndvështrim, ne si KF Partizani do shikojmë dhe kërkojmë me ngulm që vendimi të jetë sa më i drejtë. Nëse nuk do të jetë i argumentuar dhe i shoqëruar me fakte reale lidhur me këto kampionate, ne do ta kundërshtojmë fuqishëm. Kjo nuk ka lidhje me rivalitetin ndaj Tiranës, por nëse kërkohet vendosje e drejtësisë, atëherë ajo duhet të jetë sa më transparente dhe pa ekuivoke, ndaj po presim se çfarë vendimi do të merret”, – konfirmoi Eduard Prodani.

kampionatet-e-luftesHistoria e titujve gjatë pushtimit
Historia e kampionateve të panjohura në Shqipëri është e gjatë, sepse regjimi komunist nuk njohu asnjë titull sporti para lufte. Gjithçka u zerua, edhe pse që në vitet `30-të ekzistonte sporti dhe futbolli i organizuar në Shqipëri. Një pjesë e drejtësisë është vënë në vend në vitet e para të demokracisë, kur skuadrave si Tirana dhe Skënderbeu iu kthyen titujt. Ndërkaq përgjatë viteve të luftës, më saktë vitet 1939, 1940 dhe 1942, në Shqipëri do të luheshin 3 kampionate futbolli. Ai i vitit 1942 ishte kampionat mbarëkombëtar ku morën pjesë dhe ekipe nga Kosova. Ndërsa dy të tjerët me skuadra shqiptare. Shumë gazetarë të njohur shqiptarë, por edhe kërkues të huaj në fushën e statistikave sportive, kanë pretenduar që këto tre kampionate janë të rregullt, por vetëm pasi të zbulohen faktet do të merret vendimi përfundimtar nga FSHF-ja. Kjo e fundit një vit më parë i hapi derën njohjes së kampionateve të luftës.
Historia – Kampionati i vitit 1939 u luajt me pjesëmarrjen e 8 ekipeve të ndara në 2 grupe. Grupi A: Tirana, Rinia Korçare, Bashkimi Elbasanas, Dragoi Pogradec dhe Grupi B: Vllaznia, Besa, Teuta dhe Ismail Qemali. Ky kampionat përfundoi më 30 shtator 1939 me finalen Tirana-Vllaznia, me rezultatin 6-5 për KF Tirana, e cila u shpall për të 7-ën herë kampione. Kampionati i vitit 1940 nisi më 3 mars 1940 dhe u zhvillua sipas kriterit gjeografik: ekipet e veriut dhe ekipet e jugut të Shqipërisë. Në Grupin e Veriut bënin pjesë: Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Durrësi, ndërsa në Grupin e Jugut: Gjirokastra, Vlora, Berati, Korça. Finalja e këtij kampionati u luajt më 19 maj 1940 mes Vllaznisë dhe Korçës, ndeshje e cila përfundoi 2-1 për Vllazninë. Kampionati i viti 1942 përkon me një pjesëmarrje më masive, ku u përfshinë edhe tri ekipe kosovare. Në zonën e Veriut bënin pjesë: Prizreni, Shkodra, Peja, Prishtina. Në zonën e Mesme: Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ndërsa në zonën e Jugut: Berati, Korça dhe Gjirokastra. Kampionati përfundoi më 29 qershor me dy ndeshje finale mes Tiranës e Vllaznisë, të cilat prodhuan këto rezultate: 1- 1 dhe 2-0 për Tiranën.
Risia – Siç shihet kampionati i 1942-it është disi më i veçantë nga të gjithë të tjerët, kjo për arsyen e thjeshtë se në të marrin pjesë edhe tri skuadra nga Kosova: Prizreni, Peja dhe Prishtina. Kështu kemi të bëjmë në atë periudhë me të parin dhe të vetmin kampionat mba-rëkombëtar. Por duhet nënvizuar se në atë kohë Italia njohu, ose më mirë konsideroi si të vetën, nën tutelën e mbretit Viktor Emanuel, edhe Kosovën, ndaj këto skuadra morën pjesë në kampionatin shqiptar. Kështu për herë të parë në historinë e kombit shqiptar, ne jemi njohur si një vend i bashkuar (përfshi këtu edhe Dibrën e Madhe) vetëm për pak kohë nën tutelën e Italisë fashiste. Kështu, në kohën kur tani flitet shumë për krijimin e ligës mbarëkombëtare, një fakt i tillë duket sikur shton edhe më shumë orientimin drejt një kampionati të përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Faktet – Evidencat dhe dokumentat e para për tri kampionatet kanë ardhur nga dr.Xhiovani Armilota, një njohës shumë i mirë i kampionatit shqiptar dhe i disa ligave të tjera në Evropë. Të premten e 4 tetorit 2002 në numri 112 të revistës “Futbolli shqiptar”, gazetari i mirënjohur, Besnik Dizdari jepte pikërisht faktet e evidentuara nga kolegu i tij, Armilota. “Analogjia bazë, ajo e precedentit sportiv, mbi të cilin mund të bazoheni përballë atyre që teknikisht mund t’iu kundërshtojnë tezën tuaj shkencore, është rasti i kampionateve fra-nceze: Federata Franceze e Futbollit (FFF) edhe pas çlirimit nga nazistët, gjithmonë i njohu kampionatet e mëposhtëm zhvilluar gjatë okupacionit: 1940 FC Rouen, 1940 GC Nisë, 1940 Bordo, 1941 Paris, 1942 Stade Reims, 1943 Lens, 1944 Lens- Artois, 1945 FC Rouen. Por ndokush do të vërente se Shqipëria në periudhën 7 prill 1939-29 nëntor 1944, nuk ishte e pavarur. Kjo është e vërtetë, por UEFA njeh federata të vëndeve të pavarur, të tipit të Uellsit, Irlandës së Veriut dhe të Skocisë britanike, apo dhe të danezëve të Ishujve Faroe si dhe të Konfederatave të tjera që veprojnë në këtë mënyrë. Jo vetëm kaq! Të gjithë e dinë se fashistët pushtuan Shqipërinë dhe se populli shqiptar nuk i ka ngatërruar kurrë italianët me regjimin musolinian që ka keqtrajtuar pavarësinë e Shqipërisë. Megjithatë, siç e dini, e drejta ndërkombëtare për të stabilizuar kriteret e veta, bazohet në formën dhe jo në substancën, për çka duhet të pranojmë thjesht institucionin e Bashkimit Personal midis Italisë dhe Shqipërisë (1939-43), çka e bën më të pavarur Shqipërinë se sa kolonitë e lartpërmendura të njohura nga Konfederatat e Futbollit dhe nga FIFA”, ka theksuar mbi këto kampionate, Xhiovani Armilota.

Pretendimi për 1911
Tirana pretendon se duhet t’i njihet edhe titulli i një kampionati të zhvilluar që para shpalljes së Pavarësisë, më 1911-ën. Sipas historianëve, pretendohet se atë vit është luajtur kampionati i parë në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Peqini, Vlora, Fieri dhe Lushnja. Në finale Tirana ka mundur Peqinin 6-1, duke pretenduar kështu titullin e 27-të.

Komisioni përkatës
Komisioni për njohjen e titujve është ngritur në asamblenë e shkurtit të vitit të shkuar, në Shkodër. Ai ka në përbërje zëvendëspresidentin e FSHF-së, Bujar Kasmi; anëtarin e KE-së, Artan Hajdari; presidentin e nderit të FSHF-së, Miço Papadhopulli; ish-komentatorin Ismet Bellova dhe gazetarin sportiv, Fatmir Efica. Ky komision po shqyrton dokumentacionin përkatës që do i ofrohet dhe do paraqesë raportin e tij në mbledhjen e ardhshme të asamblesë së FSHF-së.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"