3 gola për 3 minuta, Flamurtar “i çmendur”. Protagonistët kuqezinj: Kjo fitore për Gjikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2013 | 11:52

3 gola për 3 minuta, Flamurtar “i çmendur”. Protagonistët kuqezinj: Kjo fitore për Gjikën

Flamurtari-Bylis 2-2, Qejvani ka shenuarFLAMURTARI-LUSHNJA 4-3
GOLAT: Telushi 47’, 80’, Abilaliaj 89’, L.Shehaj 90+1’/ Trashi 43’, 51’, R.Sulo 90’
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Kuqi, Dushku, Mici, Liçaj (Abilialiaj 57′), Zeqiri, Telushi (Beqiri 83′), Begaj, Shehaj (L.Shehaj 66′), Pepa. Trajner: Ernest Gjoka
LUSHNJA: Haremi, Bizhyti, Bjelkanoviç (R.Sulo 46′), Sula, Gjyla, Korreshi, Topi, Mihani, Trashi, Tiodoroviç, Canka (Ndoni 89′). Trajner: Artan Bano
KARTONË TË VERDHË: Sakaj 58′, Begaj 66′, Abilaliaj 90+2’/ Bizhyti 24’
DELEGAT: Sabri Kallushi;
VËZHGUES: Gëzim Gorbi
GJYQTARET: Kreshnik Cjapi/ I.Tartari dhe O.Grabova (Fier)

MINUTAT
10′ Canka pason një top për Tiodoroviç brenda zonës, i cili godet drejt Moçkës, por pa fuqinë e duhur. Më pas përgjigjet sërish Canka me një kundërsulm të shpejtë, por sfera nuk bindet dhe përfundon mbi tra.
21′ Një rast i mirë për Flamurtarin: Telushi jep një top të gjatë për Dushkun, ky i fundit përpiqet të gjuajë me kokë, por pa shënjestrën e duhur.
43′ Trashi kombinohet bukur në zonë me Cankën dhe dërgon një predhë në drejtim të portës së Moçkës, 0-1.
47′ Goditje dënimi për Flamurtarin, Telushi ekzekuton drejtpërdrejt në portë dhe 1-1.
51′ Lushnja kalon sërish në avantazh. Trashi nga një pozicion diagonal gjuan direkt në portë dhe shënon, 1-2.
80′ Goditje dënimi për Flamurtarin. Pranë topit Mici dhe Telushi, por ky i fundit gjuan dhe realizon një gol spektakolar nga rreth 30 metra. 2-2
87′ Një gol i anuluar për Flamurtarin: Zeqiri dhe Sakaj pasojnë për njëri-tjetrin. Top i gjatë në zonë, por ndërhyn Haremi. Mici gjuan me kokë pranë vijës fatale, por largon Bizhyti. Topi kthehet te Kuqi, që e dërgon në rrjetë, duke dëmtuar edhe Haremin. Për gjyqtarin nuk është një gol i rregullt, për shkak se erdhi shumë pranë brendësisë së portës, kështu që anulohet.
89′ Goditje këndi për Flamurtarin, Begaj pason në zonë, largon sërish Bizhyti. Nga rrëmuja përpara portës mike pasohet një top për Abilaliajn, i cili me kokë e dërgon drejt rrjetës 3-2.
90′ Top i gjatë në zonën vlonjate, por largon mbrojtja. Tiodoroviç pason një top për Sulon, ky i fundit përfiton nga një gafë e Moçkës dhe godet 3-3.
90+1′ Begaj nis një top të gjatë në zonë, aty ku gjendet Shehaj, që nuk mendohet dy herë, por e çon në rrjetë dhe 4-3.

Gola për të tërë në takimin Flamurtari-Lushnja. Vlonjatët e kanë nisur më së miri rikthimin në fushën e tyre, pasi shlyen të plotë dënimin e Disiplinës dhe qëndruan larg shtëpisë për gati një muaj. Plot 7 gola të shënuar në fund të ndeshjes duket se i buzëqeshën si fat Flamurtarit, edhe pse Lushnja kishte ardhur për tri pikët. Mirëpo vlonjatët, edhe pse me vuajtje, arritën të dilnin fitimtarë. Dopietat e Telushit dhe Trashit, si dhe golat e Abilaliajt, L.Shehajt dhe Gjylës kanë dhuruar një spektakël të vërtetë golash në stadiumin “Flamurtari”. Por, askujt nuk do t’i shkonte mendja se si do të vinte ky takim, për të cilin vendosën golat e shpejtë të shënuar në minutat e fundit. Flamurtari vinte në këtë përballje me tri mungesa të rëndësishme, pa kapitenin Veliu të dëmtuar dhe Lenën e Arbërin me kartonë, por duket se zëvendësimet e Gjokës funksionuan. Ndërsa Lushnja ishte pa portierin Spaho, i cili për shkak kartonësh nuk e pati fatin të luante kundër ish-ekipit për dy sezone.
Ndeshja – Loja nis me një Lushnjë që tregohet e rrezikshme që në minutat e para përpara portës vlonjate me disa raste të Cankës. Rreziku i parë vjen në tri minutat e para, kur Canka gjendet përballë Moçkës, i cili shmang rrezikun në kohë. Në minutën e 10-të Canka rrezikon përsëri me një kundërsulm të shpejtë, por sfera nuk bindet dhe përfundon mbi tra. Rezultati do të zhbllokohej në pesë minutat e fundit të 45-minutëshit të parë. Trashi kombinohet bukur në zonë me Cankën në minutën e 43-të dhe dërgon një predhë në drejtim të portës së Mockës. Edhe pse me raste nga të dyja skuadrat, pjesa e parë do mbyllej në favor të miqve, duke heshtur stadiumin “Flamurtari”. Pjesa e dytë do niste me një zëvendësim nga Lushnja, trajneri Bano heq nga fusha Byelkanovicin dhe aktivizon Sulon në vend të tij. Megjithatë, do të ishte shumë i shpejtë reagimi i vlonjatëve, të cilët do gjenin golin e barazimit dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Lushnja, vlonjatët fitojnë të drejtën e ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Edhe pse pranë topit janë Zeqiri dhe Telushi, ky i fundit merr përsipër ekzekutimin dhe nuk gabon duke i barazuar shifrat në 1-1. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë pak pasi vlonjatët kishin festuar, vjen goli i avantazhit për Lushnjën. Në të 51- ën minutë Trashi merr një top që harkohet në zonë dhe e dërgon mrekullueshëm në zonë duke e kaluar në avantazh ekipin e tij. Në vijim do të ketë raste për të dyja skuadrat, ku Canka shfaqet i rrezikshëm së bashku me Tiodoroviç, ndërsa Pepa nuk humbet finalizimin e disa aksioneve.
Goleada – 20 minuta nga përfundimi i takimit, Bruno Telushi do të konkurronte sërish me Trashin, duke i barazuar shifrat, falë një ekzekutimi të saktë të një goditjeje dënimi nga distanca nëpërmjet një gjuajtje të fortë me të brendshmen e tij. Një minutë nga përfundimi i kohës së rregullt, do të jetë Abilaliaj që do gjejë rrugën e golit, duke përfituar nga një rrëmujë në zonën mike dhe gjuan me kokë duke kaluar sërish në avantazh Flamurtarin. Do vinte menjëherë kundërpërgjigja e Lushnjës, me anë të Gjylës, pas një topi të marrë nga Tiodoroviç. Ai përfiton edhe nga një gabim foshnjarak i Mockës, duke e dërguar sferën në rrjetë. Pesë minutat shtesë do flisnin për Flamurtarin. Atëherë kur nuk e priste askush, i riu Lorenc Shehaj, i cili zëvendësoi vëllanë, merr një top të gjatë nga Begaj dhe e dërgon drejt e në rrjetë duke i dhënë fitoren Flamurtarit, që merr tri pikë të vlefshme që e ndihmojnë në rrugën e ringritjes.

MË I MIRI
Më i miri në fushën e lojës, në takimin e djeshëm, patjetër që ka qenë Bruno Telushi. Lojtari i erdhi në ndihmë ekipit me shërbimet e tij, por edhe dy golat. Pas nuk mbetet as Hair Zeqiri, si dhe i riu Trashi për Lushnjën.

MË PAK AKTIVI
Ndër më të dobëtit që nuk doli në lojën e tij dhe nuk i shërbeu ekipit ishte lojtari i Lushnjës, Bjelkanovi, i cili u zëvendësua qysh në fillim të pjesës së parë. Kujtojmë që javën e shkuar ai ishte në listën e më të mirëve, por këtë herë dështoi plotësisht.

Gjoka: Fitore e vuajtur, por e merituar
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, pas ndeshjes u shpreh se kjo ishte një fitore e rëndësishme për ekipin, edhe pse e vuajtur. Ai kërkon nga ekipi më shumë karakter: “Fitore me shumë dhimbje. Lushnja është një ekip i mirë, që luan në grup, çka i thamë edhe më parë. Në disa raste duhet të ishim më të kujdesshëm. Mendoj se në fund u bë më e mira e mundshme dhe ne arritëm dhe morëm trepikëshin. Duhet të kemi më shumë karakter në fushë. Ne e menaxhuam ndeshjen, por nuk duhej të pësonim gola të tillë, sidomos të tretin edhe mund ta kishim shmangur. Duhet të jemi më racionalë dhe më të qetë në fushën tonë”.

Protagonistët kuqezinj: Një fitore për Gjikën!
Lojtarët e Flamurtarit njëzëri ia dedikojnë fitoren e djeshme me Lushnjës presidentit të ekipit, Shpëtim Gjika. Telushi, Abilaliaj dhe Lorenc Shehaj premtojnë për vazhdimësi dhe rezultate pozitive. “Emocion i veçantë për mua. Shënova dy gola, çka më gëzon pa masë. Gjithashtu që ndihmova në fitoren e ekipit. Do të jap kontributin tim te Flamurtari. Goli, për presidentin Gjika”, – tha Telushi. “Ndihem mirë që shënova edhe golin e parë me fanellën e Flamurtarit. Jam në një formë të mirë dhe ndihem mirë që u aktivizova në këtë ndeshje, por edhe që gjeta rrugën e rrjetës, pasi për ne sulmuesit goli është gjithçka. Shënova për presidentin Gjika dhe për tifozët. Duhet pasur besim te ne. Do jemi ndër ekipet që do shkojmë ku na takon”, – ka pohuar Abilaliaj. “Nuk gjej fjalë. Është goli im i parë në kampionat, ndërsa i dyti bashkë me kupën. Premtoj se do të bëj më të mirën time për këtë ekip dhe do jem në konkurrencë të vazhdueshme edhe me vëllanë Arditin (qesh)”, – tha Lorenc Shehaj.

SHKURT
BANO -Trajneri i Lushnjës, Bano, nuk është prononcuar pas ndeshjes, madje ai nuk është futur as në dhomat e zhveshjes. Tekniku ka dalë nga fusha dhe është larguar. I pyetur nga mediat për ndonjë koment të mundshëm për ndeshjen, ai u përgjigj: “Nuk kam çfarë t’ju them. Pyesni atë pushtin”, – duke u shprehur kështu Bano drejtoi gishtin nga gjyqtari Cjapi, i cili gjendej në hollin e stadiumit.
TRASHI – Për një ndër autorët e golave të Flamurtarit, për të riun Trashi, kjo ishte një ndeshje që edhe mund të fitohej. “Ishte një ndeshje, të cilën edhe mund ta fitonim. I kishim të gjitha mundësitë, shënuam, dolëm të parët në avantazh dhe mund ta mbyllim me fitore, por kështu ishte e thënë. Për sa i takon aspektit individual, kam si synim që të përmirësohem sa më shumë, me qëllim që të arrij të jem pjesë e ekipit Shpresa”.
KAPITENI – Hair Zeqiri, në mungesë të Franc Veliut, dje mbajti shiritin e kapitenit në takimin me Lushnjën. Tri mungesa të rëndësishme kishte Flamurtari në përballjen e djeshme. Veliu, për shkak të dëmtimit, Nijas Lena dhe Polizio Arbri për arsye kartonësh. Të tre lojtarët e ndoqën takimin nga tribuna dhe natyrisht që festuan në fund kur skuadra mori një trepikësh të merituar.

Incidenti, përfundojnë në polici katër tifozë
“Flota Kuqezi” bojkoton ndeshjen mes Flamurtarit dhe Lushnjës. Pas shënimit të golit të barazimit nga Telushi, një incident është shënuar mes policisë dhe grupimit të ultrasve. Këta të fundit festuan dhe nga gëzimi hipën edhe në kordonin që ndan fushën nga tribuna. Në këtë moment, punonjësit e policisë ushtruan dhunë ndaj katër të rinjve, të cilët më pas i shoqëruan në komisariat. Pas këtij veprimi, “Flota Kuqezi”, e cila hodhi parulla kundër federatës, mori vendim ta bojkotojë takimin duke u larguar. Një gjë të tillë ultrasit e kanë shprehur edhe në një deklaratë. “Pas dhunës së ushtruar nga policia, pas shënimit të golit të barazimit, e bojkotuam takimin. Kjo erdhi për shkak të sjelljeve të pahijshme të policisë. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve tanë”, – deklarojnë tifozët ultras.

Shpërblimi i Gjikës
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ashtu siç kishte premtuar, e ka ndjekur nga afër takimin mes Flamurtarit dhe Lushnjës në tribunën qendrore. Pas sfidës, ai është takuar përzemërsisht me lojtarët dhe trajnerin Gjoka, të cilët i ka falënderuar për fitoren. Më pas Gjika u ka shpërndarë lojtarëve edhe shpërblimin prej 200 mijë lekësh për fitoren me Tiranën. Në ditët në vazhdim lojtarët dhe stafi do të marrin edhe premion për fitoren e djeshme me Lushnjën.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"