Tre gola në 2 ndeshje te Besa, Zeqiri “bomber” nga mbrojtja: Me ardhjen e Cankës dhe të Hoxhës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2021 | 13:00

Tre gola në 2 ndeshje te Besa, Zeqiri “bomber” nga mbrojtja: Me ardhjen e Cankës dhe të Hoxhës…

Në tri miqësore të luajtura, Besa ka fituar me Lushnjën dhe Turbinën dhe barazuar me Besëlidhjen. Rrjetat i kanë gjetur dy sulmuesit e ardhur këtë verë, Canka e Hoxha, por surpriza ka qenë Adonis Zeqiri. Një mbrojtës i spostuar si mesfushor në krah të majtë, ka shënuar 3 gola. Kosovari po luan sezonin e dytë me kavajasit dhe ka pasur rritje të ndjeshme në cilësinë e lojës. I pyetur rreth pozicionit të ri dhe faktit se tani del dhe si golashënues, 20-vjeçari për “Panorama Sport” thotë:

Adonis Zeqiri

“Me ardhjen e Cankës dhe Hoxhës, moduli i lojës sonë ka ndryshuar. Nëse me Kainën luanim kryesisht me krosime në qendër e nga krahët, tani jemi bërë më të shpejtë. Në këtë taktikë jam përfshirë edhe unë. Kam më shumë mundësi të gjendem para portës, ndaj kam shënuar 3 herë.

Jo vetëm unë, por ekipi ka dalë pastër rrezikshëm disa herë para portave respektive si në Lezhë, Lushnjë apo Cërrik. Duke parë lojën tonë, sot gjykoj se tani te Besa do të ketë shumë futbollistë që mund të shënojnë. Kjo skemë taktike dhe komoditeti i lëvizjeve që bën Canka e Hoxha, falë përvojës së tyre të madhe, vërtet që po na argëton shumë.

Kjo skemë loje na çlodh e për asnjë moment nuk na vë nën presion. Në ekip janë afruar futbollistë cilësorë, me përvojë, krahas senatorëve që ishin, por mos na harroni as ne ‘të rinjtë’. Tashmë kemi më shumë përvojë. Çështja e finalizimit është zgjidhur. Do na mjaftojnë 2 apo 3 raste dhe ‘ujqërit’ e golave si Canka e Hoxha, por edhe ne të tjerët, të mos i falim”, përfundoi kosovari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"