Tre goditje në një ditë, ja si ndryshon formacioni i Kukësit pas transferimeve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 14:49

Tre goditje në një ditë, ja si ndryshon formacioni i Kukësit pas transferimeve të fundit

Kukësi nis zyrtariz imet. Ditën e djeshme verilindorët kanë konfirmuar tri afrimet e para në këtë merkato vere, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës së Skënder Gegës. Bëhet fjalë për mesfushorin Kristi Kote, qendërmbrojtësin Antonio Ilieski dhe sulmuesin Ante Zivkoviç, të cilët kanë firmosur për dy vite me skuadrën verilindore.

kUKESI

Për dy të parët “Panorama Sport” i pat paralajmëruar më herët si afrime dhe pritej vetëm zyrtarizimi, sepse ishte arritur akordi mes palëve. Me Koten Gega ka një njohje të vjetër që kur dolën kampionë me Partizanin dhe ka qenë dëshira e parë e trajnerit për të afruar në merkato.

Jo rastësisht mesfushori ishte edhe zyrtarizimi i parë i skuadrës së Kukësit. Nga ana tjetër, Ilieski vjen nga kampionati maqedonas dhe shihet si një futbollist cilësor në qendër të mbrojtjes, i cili mund t’i bëjë shumë punë skuadrës në prapavijë. 25-vjeçari vjen pas një sezoni shumë të mirë në Maqedoninë e Veriut me Renovën e Tetovës.

ZIVKOVIÇ – Ashtu siç pritej, Kukësi shpreson ta gjejë shpëtimin te sulmi nga Kroacia. Ante Zivkoviç së fundmi vjen nga një eksperiencë në kampionatin boshnjak, pasi ka milituar në radhët e Radnik Bijeljina, ku ishte si huazim nga Borac Banja Luka.

Në fakt, gjatë 14 ndeshjeve me këtë skuadër, 29-vjeçari ka shënuar 7 gola, me një mesatare me një gol çdo dy ndeshje, duke joshur jo pak drejtuesit kuksianë. Zivkoviç vjen në kampionatin shqiptar në formën e tij më të mirë.

Ai ka karakteristikat e një “pyke”, pasi është i gjatë 1.88 metra dhe pikërisht roli i tij natyral është qendërsulmues. Bëhet fjalë për lojtarin që skuadra ka varur shpresat e sulmit për këtë sezon, me shpresën se Kukësi do të gjejë një kroat që të bëjë të njëjtën gjë si Pejiç dikur.

Ky i fundit duket se ka dorë tashmë në afrimin e Zivkoviçit, i cili sezonin më të mirë në karrierë e ka në kampionatin slloven, duke shënuar 15 gola në 33 ndeshje me klubin NK Aluminij.

KONTRATAT – Ajo që bie në sy te kontratat e Kukësit, lidhet me faktin se ato nuk janë më 1-vjeçare. Të tre lojtarët e zyrtarizuar dje kanë firmosur për dy vite, çka nënkupton se në klub duan të nisin një cikël fitues dhe njëkohësisht të përfitojnë të ardhura nga shitja e lojtarëve nëse do të bëjnë një kampionat që të bien në sy.

Pritet që edhe futbollistët e tjerë që do të vijnë, t’u ofrohen kontrata të paktën dyvjeçare, me përjashtim të ndonjë rasti ku për interes të të dyja palëve, mund të bien dakord vetëm për një vit. Në vijim klubi do të konfirmojë edhe sulmuesin e krahut, Jakup Berisha, me të cilin ka një akord.

kukesi

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"