Tre brazilianë tek Elbasani, dy mesfushorë dhe një sulmues i bashkohen verdhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2019 | 16:59

Tre brazilianë tek Elbasani, dy mesfushorë dhe një sulmues i bashkohen verdhebluve

Me Elbasanin janë bashkuar në stërvitje tre futbollistë brazilianë, por nuk bëhet fjalë ende për firmat e para, sepse ata do të shihen këto ditë nëse i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e klubit ose jo. Lojtarët, të cilët janë në moshë të re, do të qëndrojnë fillimisht për provë dhe vetëm pasi të vëzhgohen nga stafi teknik me kujdes, do të vendoset nëse do t’u ofrohet një kontratë ose jo nga Elbasani.

elbasai

Bëhet fjalë për futbollistë që luajnë në mesin e fushës, por mund të përdoren edhe në fazën ofensive. I pari është Luis Ribeiro, një mesfushor me tipare ofensive, i cili në varësi të nevojave të skuadrës mund të luajë edhe në sulm. Mateus është një tjetër mesfushor, i cili luan në të gjitha pozicionet e mesfushës dhe braziliani i tretë është Juri, që luan në sulm. Të shtunën këta lojtarë pritet të provohen në miqësoren me Sopotin dhe më pas do të merret një vendim për të ardhmen e tyre nga drejtuesit verdheblu.

Edhe sezonet e kaluara në Elbasan kanë ardhur lojtarë të huaj për provë, por vetëm ndonjë prej tyre ia ka dalë të mbetet në “sitë” dhe të firmosë me klubin. Mbetet për t’u parë nëse edhe këtë sezon do të firmosë me Elbasanin ndonjë i huaj apo ekipi do të përbëhet vetëm me lojtarë vendës. Aktualisht, trajneri Lleshanaku ka në stërvitje një grup prej më shumë se 30 lojtarësh, të gjithë nën moshën 20 vjeç. Pritej që pas miqësores me Shkumbinin të bëheshin disa largime, por, me sa duket, klubi do t’u japë edhe një shans të fundit këtyre të rinjve. Në miqësoren e radhës me Sopotin ata kanë mundësinë për të treguar vlerat e tyre, në të kundërt do të kërkojnë një skuadër të re. Afro gjysma e atyre që po stërviten pritet të largohen nga klubi elbasanas, sepse janë larg pritshmërive që kanë drejtuesit. Ndërkohë, ditët e para të muajit shtator pritet të jenë vendimtare për merkaton, pasi mbyllet ajo e Superligës dhe Elbasani do të hedhë “grepat” te lojtarët që nuk do të gjejnë ekip në elitën e futbollit shqiptar.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"