“Trashi, Trashi! Vila, Vila!”, ja si Starova futi në punë 4 veta nga… tuneli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 11:00

“Trashi, Trashi! Vila, Vila!”, ja si Starova futi në punë 4 veta nga… tuneli

Pas vetëm 10 minutash lojë, Sulejman Starova u dënua nga arbitri me largim nga pankina. Por, për t’i dhënë udhëzimet e duhura ekipit në 80 minutat e mbetura, ka qenë një histori më vete. Për të përçuar idetë e tij u vunë në punë jo pak, por pesë zyrtarë të tjerë të skuadrës.

starova

Fillimisht ishte mjeku i ekipit që i dërgoi telefonin në tunelin e stadiumit, në mënyrë që të fliste me zv/trajnerin Klevis Dalipi. Por, kjo me sa duket nuk bëri efekt. Nga tribuna VIP zbriti menjëherë Edmond Haxhiu, i cili qëndroi në hyrje të tunelit.

“Trashi, Trashi! Vila, Vila!”, ishin britmat e Starovës nga dhomat e zhveshjes. Trajneri ishte dukshëm i nervozuar, pasi skuadra në fushë nuk po bënte atë që i thoshte. Fillimisht ai fliste nga një prej dritareve të dhomës së zhveshjes, e më pas Haxhia ia përcillte Dalipit, i cili kishte për detyrë t’u thoshte fjalët e fundit lojtarëve.

“O Klevis! Thuaj Labit (i referohet Ibrahimit) t’i qëndrojë afër Kalesë”, bërtet Haxhia, ndërsa zv/trajneri mezi e dëgjon. Në këtë moment, në ndihmë të Starovës vjen Genc Tomorri, që pasi dëgjon ato që i thotë “Bobi” nga tuneli, shkon afër stolit dhe përcjell gjithçka. Britmat bëjnë efekt dhe në fund të pjesës së parë, festimi është i çmendur, qoftë nga “Bobi” i dënuar, te Haxhia që përqafohet me Dalipin dhe Tomorin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"