Trashi, i kënaqur për aventurën e re te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2013 | 12:23

Trashi, i kënaqur për aventurën e re te Lushnja

TrashiLushnja pak nga pak ka filluar të plotësohet dhe të marrë formën e plotë për të hyrë në garën e vështirë që do ketë këtë sezon në Superiore. Në ekip janë kthyer që të gjithë lojtarët lushnjarë që mbyllën sezonin e kaluar, ndërsa edhe Gjyla e Korreshi po stërviten me ekipin dhe janë në pritje të bisedimeve me drejtuesit për të folur për të ardhmen e tyre. Ndërkaq, ende nuk dihet fati i lojtarëve si Galica, R.Sula, Grizha apo edhe serbit Stojkoviç, nëse do të jenë apo jo pjesë e kësaj skuadre, teksa ata që kur kanë filluar përgatitjet nuk kanë qenë në Lushnjë. Mirëpo, nga burime pranë klubit verdhejeshil është mësuar se në ekip do ketë të tjera afrime për t’i forcuar edhe më shumë repartet me njëri-tjetrin.
Trashi – Lorenc Trashi është afrimi i parë i Lushnjës në këtë merkato verore, i cili ka ardhur nga Gramshi, skuadër që këtë sezon do të militojë në të Dytën. Në një bisedë për “Panorama Sport” mesfushori flet për aventurën e tij të re me fanellën verdhejeshile. “Po, kam rënë dakord me drejtuesit e klubit të Lushnjës që të jem pjesë e kësaj skuadre këtë sezon. Për këtë jam mjaft i kënaqur. Në ditët në vijim po pres që të hedh edhe firmën në kontratë. Nuk jam menduar dy herë kur kam biseduar me drejtuesit lushnjarë, pasi ky është një shans shumë i mirë për karrierën time. Lushnja është një qytet me një tifozëri të rrallë në Shqipëri. Në skuadër ka disa futbollistë të mirë, ndërsa me merkaton që do të vijojë dhe në ditët e ardhshme do të krijohet një ekip i fortë në Superiore. Jam i bindur se këtë sezon do të arrijmë të realizojmë synimet”, – ka përfunduar mesfushori Trashi.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"