Trashi dhe Korreshi: Ne, golashënuesit e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2013 | 12:25

Trashi dhe Korreshi: Ne, golashënuesit e Lushnjës

Lushnja-Partizani  2-0Lushnja është kthyer te fitorja duke mundur Partizanin me rezultatin 2-0. Një takim që ka folur edhe një herë për verdhejeshilët, të cilët dëshmuan qartë forcën e tyre në këtë sezon e për më tepër në shtëpi, ku janë një kockë e fortë për të gjitha ekipet që do të vijnë aty. Në takimin e së shtunës ndaj Partizanit ishin dy mesfushorë që i dhanë 3 pikët e plota Lushnjës. Të dy futbollistët janë edhe golashënuesit më të mirë të ekipit, duke lënë pas kështu sulmuesit verdhejeshilë. Erlind Korreshi e po kështu edhe mesfushori tjetër Lorenc Trashi, që luajnë në dy krahët e mesfushës, i dhanë 3 pikët Lushnjës.
Trashi Mesfushori është një bast i fituar për trajnerin e Lushnjës, i cili e mori atë nga Gramshi dhe e futi në formacion. Mesfushori ka bërë një punë shumë të mirë duke qenë edhe një lojtar stabël në formacion. “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë kur për asnjë moment nuk e vumë në dyshim marrjen e pikëve të plota. E kishim vlerësuar shumë këtë takim pasi përballë kishim Partizanin, që ka një emër të madh në kampionatin tonë, por me lojën që bëmë në atë takim ekipi kundërshtar nuk u pa në asnjë moment në fushën e lojës. Kjo tregoi edhe një herë se ne jemi një skuadër shumë e mirë, që nuk e meritojmë atë vend ku jemi në klasifikim. Jam shumë i kënaqur që kam shënuar edhe në këtë takim ashtu siç kam bërë edhe në takimin e javës së parë ndaj Kukësit. Në javët e ardhshme unë do të jap edhe më të mirën për ekipin e Lushnjës dhe shpresojmë që kjo fitore e së shtunës të pasohet edhe me të tjera”, – tha Trashi. Korreshi Mesfushori i Lushnjës ka shënuar sërish një gol të rëndësishëm në takimin ndaj Partizanit. “Jam shumë i kënaqur me tri pikët që kemi marrë në takimin e së shtunës ndaj Partizanit, që më duhet të them se ka qenë i merituar. Më vjen keq vetëm sepse duhej të kishim shënuar më shumë gola, pasi kemi qenë shumë herë përpara portës. Po të ishim treguar më të saktë, fitorja do të kishte qenë edhe më e thellë dhe më e bukur. Ky sukses tregoi edhe një herë forcën tonë dhe ndaj mendoj se ne kemi ende për të dhënë në fushën e lojës. Çka do të thotë se ne duhet të marrim më shumë pikë në takimet e ardhshme. E kemi treguar se jemi një ekip i denjë, por këtë duhet ta tregojmë edhe në takimet jashtë fushe. Kam shënuar 2 gola deri tani, por shpresoj që të shënoj ende edhe në takimet e ardhshme për t’i dhënë më shumë pikë ekipit të Lushnjës për të arritur objektivat që kemi këtë sezon. Lushnja ndaj Partizanit e meritoi fitoren, e kjo na bën më shumë krenarë”, – u shpreh Korreshi.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"