Transfertë “ferri”, Teuta një dekadë pa fitore në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2015 | 13:16

Transfertë “ferri”, Teuta një dekadë pa fitore në Laç

Laci-Teuta 1-0Në Durrës “zotohen” për kthesën. Te Teuta duan që ta hedhin pas krahëve ndeshjen me Bylisin e Skënderbeun dhe mënyra më e mirë është duke fituar në Laç. E, megjithatë, në kampin durrsak e dinë që nuk do ta kenë të lehtë.

Këtë e thonë dhe shifrat në fakt, pasi po t’u kthehesh statistikave e kupton që kjo është transferta e “ferrit” për Teutën. Janë jo pak, por mbi 10 vite pa triumfuar në Laç. E fundit herë që kanë shijuar marrjen e pikëve të plota daton më 12 shkurt 2005 (ndeshje që ka përfunduar me shifrat 0-1 për llogari të “djemve të detit”.

Këtë të premte, ekipi i Maganit do të tentojë të pamundurën, pra të thyejë tersin që i ka kapluar për një dekadë në fushën e kurbinasve. Skuadrës po i bëhen tri javë që nuk gjen suksesin në kampionat, ndaj një tjetër hap flas do t’i komplikonte edhe më shumë pozitat në renditje. Mesfushori – Ardit Hila do të mungojë kundër Laçit, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Edhe pse do të jetë në tribunë, ai mundohet që t’i karikojë shokët e ekipit në prag të kësaj sfide.

“Fatkeqësisht kam plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jem pjesë e grupit për ndeshjen me Laçin. Është një duel i vështirë dhe do të doja të isha në fushë për të ndihmuar ekipin. Por kam besim se puna e stafit teknik dhe dëshira e lojtarëve në fushë do të shpërblehen me një rezultat pozitiv. Ky takim na gjen në një moment jo fort të mirë, pasi vijmë pas dy humbjeve radhazi, atë ndaj Bylisit dhe Skënderbeut. Por jemi të dënuar për të fituar. Kthesa është rruga e vetme për ne. Nëse përsërisim ndeshjen e fazës së parë, ku lojtarët dhanë shpirtin në fushë, mendoj se gjithçka mund të arrihet”, përfundoi Hila, i cili, edhe pse nuk do të jetë në fushë, ka karikuar shokët para transfertës së “ferrit”.

Përgatiti: Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"