Transfertat makth, mbrojtësi i Lushnjes: Do t’ia dalim ndaj Burrelit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 11:48

Transfertat makth, mbrojtësi i Lushnjes: Do t’ia dalim ndaj Burrelit!

Lushnja do të përballet të dielën me Burrelin, në kuadër të javës së 11-të të kampionatit. Në 5 transferta, verdhejeshilët nuk kanë marrë asnjë pikë dhe as kanë shënuar gol.

lushnjaa

E megjithatë, nuk e humbasin besimin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi i Lushnjës, Klajdi Broshka, shprehet:

“Kemi përballë një kundërshtar të fortë. Bëmë një lojë të mirë në mesjavë dhe besoj se ekipi do të tregojë sërish vlerat e veta. Shpresojmë që të marrim pikë. Kemi qenë shumë afër në ndeshje të tjera, sidomos në Pogradec dhe në Ballsh. Ndaj, shpresojmë që loja e mirë e ekipit të shoqërohet me rezultatin pozitiv”, tha Broshka. Barazimi me Korabin e la Lushnjën në zonën e rënies dhe nevoja për pikë është imediate.

“Patjetër që ekipi synon të marrë rezultatin. Është një ndeshje që e kemi vlerësuar. Ndaj, jemi të mobilizuar, që të bëjmë më të mirën tonë. Duke dhënë maksimumin e mundësive që ka grupi, shpresojmë te rezultati pozitiv, për të cilin kemi kaq shumë nevojë”, tha Broshka.

Lushnja ndeshet me Burrelin pas 9 edicionesh. Për herë të fundit, skuadrat janë takuar në “Liri Ballabani” në 16 mars 2013 dhe që nga ajo kohë te Lushnja ka mbetur vetëm portieri Mikel Spaho. Janë ndarë në barazim 1-1, me gola të Galicës dhe Rahovës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"