Transfertat i sjellin fat, mesfushori i Lushnjës: Duam rokadën me Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 19:58

Transfertat i sjellin fat, mesfushori i Lushnjës: Duam rokadën me Besën

Lushnja u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është thuajse gati për të rifilluar kampionatin. Skuadra nesër do të udhëtojë në kryeqytet, atje ku i pret Besa në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës. Verdhejeshilët do të kërkojnë ta nisin pozitivisht fazën dhe marrë vendin e dytë. Edhe pse në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, të gjithë besojnë te pikët.

lushnjaa

Këtë e thotë edhe Ergys Alushi, në një prononcim për “Panorama Sport”. Mesfushori e cilëson këtë një përballje mes rivalësh, ndaj as që e mendon humbjen. “Është një ndeshje mes rivalësh. Në një situatë kur diferencat në tabelë janë shumë të vogla, jemi të detyruar që të luajmë për maksimumin. Pikët janë të çmuara dhe rezultati pozitiv është i domosdoshëm për ekipin e Lushnjës. E vlerësojmë kundërshtarin, por morali në ekip është i lartë. Kemi punuar mirë dhe shpresojmë që ta nisim mbarë”, tha fillimisht mesfushori.

Lushnja ka dëshmuar se është ekip transfertash. Në tri të tilla kanë grumbulluar shtatë pikë dhe kanë pësuar vetëm një gol. Këtë ecuri duan ta thellojnë edhe ndaj kavajasve. “Ekipi në çdo ndeshje lufton të bëjë më të mirën. Me Besën do të jetë një ndeshje e fortë dhe e hapur, por mendoj që do ta kalojmë me sukses”, përfundoi kuçovari i verdhejeshilëve. Pas transfertës të fituar 1-0 me Flamurtarin në Vlorë, lushnjarët kanë barazuar 1 me 1 me Egnatian në Peqin dhe triumfuan minimalisht me Elbasanin në Cërrik.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"