Transfertat i sjellin fat Apolonisë, trajneri Kashami ul euforinë në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2017 | 21:00

Transfertat i sjellin fat Apolonisë, trajneri Kashami ul euforinë në Fier

Apolonia ka marrë një fitore shumë të vështirë në transfertë ndaj Shënkollit, në një sfidë ku edhe terreni ka qenë mjaft i rrënduar. Nga një gol për secilën pjesë ka vendosur fatin e këtij takimi, madje me shumë raste të tjera të humbura nga fierakët që mund të fitonin më thellë. Është një trepikësh mjaft i vlefshëm që u jep fierakëve vendin e katërt në renditje, vetëm 1 pikë larg vendit të tretë me mundësi reale për ta arritur këtë javë, pasi Apolonia luan në shtëpi.

apoloniaa

TRAJNERI

E konsideron si parësor falënderimin për skuadrën, për lojën e zhvilluar, përqendrimin, respektimin e detyrave të ngarkuara dhe përballimin e trysnisë në fushë. Trajneri i Apolonisë, Ndriçim Kashami, në një prononcim për gazetën, është shprehur: “Fitore shumë e rëndësishme për ne, e arritur me meritë dhe lojë dominuese.

E kishim të qartë që Shënkolli do të ishte një ekip i fortë, pasi në fushën e vet vetëm Tirana i kish marrë një barazim. Ne bëmë lojën tonë, skuadra u fut me vendosmëri në fushë dhe e bindur në objektiv. Veç lojës sulmuese, ku duhet theksuar se mund të shënonim edhe disa gola të tjerë, duhet të vlerësoj dhe lojën e mirë në mbrojtje, pasi në dy ndeshje kemi pësuar vetëm 1 gol, një tregues pozitiv për ne, por që ende ka nevojë për përmirësim si çdo repart tjetër”.

ndricim kashami1

Nga ana tjetër, kryepankina fierake bëhet ultimativ teksa shprehet se nuk ka shumë kohë për të festuar, pasi fundjava vjen shpejt dhe duhet përgatitur takimi i radhës. “Na duhet ta lëmë pas këtë ndeshje, pasi nuk kemi kohë të tepërt. Kthehemi në fushën tonë dhe do të presim Ilirinë, skuadër me të cilën kemi humbur fazën e parë. Është ndeshje që nuk duhet nënvlerësuar, përkundrazi. Apolonia ka nevojë për vazhdimësi, pasi vetëm kështu mund të përparojmë”, thotë numri një i stolit të Apolonisë.

TRANSFERTA

Është e treta fitore në transfertë për Apoloninë gjatë këtij sezoni dhe e arritur në të njëjtat shifra, 2-0. Janë të njëjtat shifra, me të cilat Apolonia ka fituar dhe me Naftë- tarin e Turbinën. 9 pikë jashtë fushe për fierakët ndaj 8 që kanë marrë në “Loni Papuçiu”, e para herë me dy fitore radhazi në këtë kampionat për bardhejeshilët, të cilët vijnë me “oreksin” e shtuar për t’i bërë tri të tilla.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"