Transferta në Vlorë, shpërthen Marantas: Duam fitoren, ky lojtar vjen dhe ecën në stërvitje. Nuk ka respekt për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 18:53

Transferta në Vlorë, shpërthen Marantas: Duam fitoren, ky lojtar vjen dhe ecën në stërvitje. Nuk ka respekt për tifozët

Trajneri i Luftëtarit, Jorgos Marantas doli ditën e sotme në konferencë për mediat, para ndeshjes së nesërme me Flamurtarin.

marantas

Marantas komentoi gjendjen e grupit para transfertës në Vlorë, ndërsa kërkon që edhe pas rifillimit të kampionatit të vijojnë me rezultatet pozitive. Tekniku grek nuk la pa komentuar as emra të veçantë, ku për Vient u shpreh se ka ditë që vjen dhe vetëm ecën në stërvitje, duke mos pasur respekt as për tifozët.

NDËRPRERJA E KAMPIONATIT – Për mua nuk ishte e mirë ndërprerja e kampionatit, pasi kishim gjetur një ritëm të mirë. Bëmë një ndeshje miqësore që na shërbeu, që të jemi gati për ndeshjen e nesërme me Flamurtarin. Kemi disa probleme të vogla. Na është dëmtuar Isufi në stërvitje, edhe Vient ka disa probleme të vogla. Gjithashtu kemi edhe Demon që është prej javësh i dëmtuar. Sa kohë mungon? Është punë e doktorëve kjo gjë.

FINALIZIMI I SULMUESVE– Ekipi bën i gjithi së bashku për sulmin dhe golin. Fakti që krijojmë shumë raste është pozitiv. Pastaj është edhe çështje fati apo individi të shënuarit gol. Pse nuk aktivizohet Oshafi? Sa gola ka shënuar?! As vjet nuk ka shënuar. Ka edhe sulmues të tjerë, si Lika, Dushkaj. Vient ka luajtur disa ndeshje si titullar, por nuk ka shënuar. Nuk them që e ka ai fajin. E ka humbur vetë formacionin. Lojtarët që luajnë në sulm tani, edhe në stërvitje edhe në ndeshje, janë më të fortë në mbrojtje dhe në sulm. Kjo nuk do të thotë që Vient nuk do të luajë sërish titullar.

OBJEKTIVI – Duam në këtë ndeshje të vazhdojmë të njëjtin ritëm që kishim para ndërprerjes së kampionatit. Edhe unë, edhe lojtarët, por edhe tifozët, duam që të marrim rezultat pozitiv. Me çdo kundërshtar që luajmë, tre pikët na ndihmojnë të ngjitemi e të afrohemi me kundërshtarët që janë sipër nesh. Prandaj edhe po luftojmë çdo javë, për të arritur pikërisht për këtë gjë.

GJENDJA E LOJTARËVE–  Të gjithë lojtarët janë të nevojshëm në këtë periudhë. Kam besim te të gjithë lojtarët që kemi në ekip. Asnjëherë nuk mendoj se kam mungesa në ekip. Luajnë ata që janë më të gatshëm. Edhe në fillim ju thashë që me Vient ka disa probleme. Ai është një lojtar i huaj dhe kur nuk ndihet mirë nuk bën stërvitje. Vjen në stërvitje dhe ecën. Kjo është një arsye pse është jashtë formacioni. Tifozët dhe njerëzit jashtë nuk e dinë këtë gjë. Çohet nga pankina dhe i duartroket tifozët, por ata nuk e dinë që nuk bën stërvitje dhe nuk ka respekt për ata. Prandaj është jashtë formacioni. Pas miqësores, ekipi ka bërë 6 stërvitje, kurse Vient vetëm tre.

NDAJ FLAMURTARIT – Flamurtari ka shumë lojtarë me eksperiencën. E kemi ne një sulmues si Sukaj?! Nuk e kemi! Ata kanë emër të madh në kampionatin shqiptar dhe nuk janë rastësi barazimet me ekipet e sipërme të renditjes. Ndoshta kjo është ndeshja më e vështirë që kemi bërë në kampionat. Gjithsesi jemi të gatshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"