Transferta në Laç, Duro projekton një Kukës me shumë ndryshime. Ja si pritet të rreshtohen verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 13:02

Transferta në Laç, Duro projekton një Kukës me shumë ndryshime. Ja si pritet të rreshtohen verilindorët

Kukësi është në alarm para Laçit. Shpëtim Duro duhet t’i bëjë llogaritë me 4 mungesa të sigurta, që i prishin ndjeshëm planet edhe me formacionin. Sikur të mos mjaftojë fakti që do të luajnë në transfertë dhe përballë një ekipi që ka qenë super në 3 javët e fundit, veriorët janë me organikë “gjysmake”.

kukesi

Lista e problematikave është e gjatë, por trajneri po mundohet që t’i japë një zgjidhje. Të dëmtuar janë Vasil Shkurtaj, Kristal Abazaj, Vesel Limaj e Omar Kamara, ndërsa i pezulluar prej kartonëve është kapiteni Besar Musolli.

STËRVITJA

Gjatë seancës së zhvilluar dje në orën 10:00, morën pjesë edhe Shkurtaj me Abazajn që bënë kryesisht vrap të lehtë. Edhe pse nuk mund të quhen të rikuperuar, nuk përjashtohet mundësia që të grumbullohen. As njëri dhe as tjetri nuk kanë marrë ngarkesë të plotë, ndaj vështirë që do të marrin minuta. Por, gjithçka mund të ndodhë. Ndryshe paraqitet rasti i Limajt. Janë rreth 12 ditë që ai qëndron jashtë fushave, që prej atij dëmtimi që pësoi ndaj Partizanit më datë 28 tetor. Edhe pse kjo periudhë është e pamjaftueshme për t’u rikuperuar plotësisht, ai mund të sakrifikojë.

kukesii

Duke qenë se mungesat janë të shumta për këtë takim, prania e mesfushorit kthehet në domosdoshmëri. Dëmtimi që ka Limaj do të paktën 3-4 javë që lojtari të mos luajë, por duke parë gjendjen alarmante, çdo gjë mund të ndodhë. Gjithsesi, vendimi final i takon 22-vjeçarit. Ditën e djeshme ai ka nisur të marrë ngarkesë të plotë në stërvitje dhe drejtuesit e kanë lënë në dorën e tij nëse e ndien veten të gatshëm të luajë apo jo.

“ARNIMI”

Shpëtim Duro po has mjaft vështirësi me ndërtimin e formacionin titullar që do të hedhë në fushë të dielën. Duke mos llogaritur të paktën 4 lojtarë dhe me shumë alternativa të cunguara në stol, trajneri po harton strategjinë për të mos dalë pa pikë nga Laçi. Një plan fillestar stafi teknik e ka. Mungesën e Musollit mund ta kompensojë Rroca.

limaj

Me Limajn e pamundur, Ethemi do t’i zërë ndoshta vendin dhe rolin e Abazajt në krahë e bën Maliqi ose Kitanovski, që mund të zhvendosen në sulm. Shkurtaj zëvendësohet prej Dakut, që shënoi kundër Flamurtarit. Por me Limajn që mund të rikuperohet, Duro do ta ketë më të thjeshtë organizimin e mesfushës. Porta do të mbrohet prej Dashamir Xhikës, që i ka kaluar problemet e vogla që pati. Edhe në mbrojtje Obanor është zyrtarisht gati, që do të jetë në krahë të Teqjes, Lulajt e Kitanovskit. Mesfusha do të formohet nga Rroca, Ethemi e Musta, ndërsa sulmi nga Maliqi në të djathtë, Gavazaj në të majtë dhe Daku në “majë”. Këto dy ditë të mbetura do të vendosin më shumë sa i përket ndonjë rikuperimit të mundshëm, por edhe rreshtimit të ekipit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"