Transferta e tretë sezonale, Plori: Marrim pikë në Kamzë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 10:18

Transferta e tretë sezonale, Plori: Marrim pikë në Kamzë

Kastrioti është e vetmja skuadër që shorti e ka vendosur përpara një sfide të vështirë. Tri nga 4 ndeshjet e luajtura në kampionat i ka transfertë. Dhe, kjo ndaj Kamzës që luhet sot është e treta në radhë.

plori1

Por krutanët nuk i shqetëson aspak ky fakt dhe janë gati që të tentojnë fitoren. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Elvis Plori shfaqet optimist para këtij 90- minutëshi. Edhe pse i pranon vështirësitë, ai e cilëson që kjo do të jetë një përballje mes rivalëve, duket qenë se të dyja luajnë për mbijetesën. Shkodrani ka edhe një porosi për të tijtë, ndërsa u kërkon që të luajnë si në pjesën e dytë ndaj Partizanit.

Dy javë kohë për ta përgatitur ndeshjen e radhës, a do shohim një Kastriot më ndryshe nesër (sot)?

Kaluam dy ndeshje, të cilat ishin me të vërtetë të forta, pasi kishim përballë dy skuadra pretendente për titull. Tani përballemi me Kamzën, ku pavarësisht deklaratave të fundit, them se jemi të dyja në të njëjtën situatë, të dyja duam të qëndrojmë në kategori dhe kemi mundësi të shpalosim vlerat më të mira kundër një skuadre, e cila ka përafërsisht cilësi si skuadra jonë.

Sa e vështirë do të jetë ndaj Kamzës pasi, përtej kuotës së pikëve, ka zhvilluar lojëra të mira në tri javët e para?

E vështirë do jetë, pasi në radhë të parë nuk luajmë në fushën tonë, por në transfertë. E lehtë nuk do të jetë edhe për faktin se Kamza ka afruar së fundmi me disa lojtarë, të cilët e përforcuan më tepër këtë skuadër. Por gjithsesi, unë kam besim te skuadra ime dhe them se në qoftë se luajmë siç luajtëm në pjesën e dytë ndaj Partizanit, them se mund të marrim rezultat pozitiv.

Është një duel mbijetese dhe, duke qenë i tillë, a kënaqet Plori edhe me një pikë?

Është vetëm fillimi dhe shorti na ka vendosur që në katër javët e para tre t’i luajmë në transfertë. Unë them se edhe me një pikë do të isha i kënaqur.

Një tjetër ndeshje pa tifozë?!

Kjo është një humbje e madhe për futbollin në tërësi. Pa ta nuk ka interes që të luhet një ndeshje futbolli. Them se duhet të gjejmë një mënyrë tjetër, si nga organizatorët, por dhe nga federata, në mënyrë të atillë që të mos i largojmë tifozët nga stadiumet.

Në Kupë pamë të debutonin disa lojtarë të rinj, çfarë përshtypje lanë te ju?

Ne ditët e fundit e fundit kemi marrë disa lojtarë që i kemi pasur në listë prej kohësh. Por vonesa e dokumentacionit dhe problemet e tjera nëpër ambasada bënë që të vijnë kaq vonë. M’u dha shansi që në Kupë të provoja 11 lojtarë, të cilët kanë pasur shumë pak aktivizim, ndërsa dy-tre të tjerët që nuk kishin fare minuta. Me disa jam i kënaqur, me disa të tjerë na duhet pak kohë që të ambientohen me skuadrën, pasi kanë vetëm pak ditë që na janë bashkuar.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"