Transferta delikate ndaj Devollit, Lleshanaku: Sfidë me rëndësi, por jo vendimtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2020 | 16:29

Transferta delikate ndaj Devollit, Lleshanaku: Sfidë me rëndësi, por jo vendimtare

Elbasani u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të ketë sot me Devollin në transfertë. Një ndeshje shumë e rëndësishme, por që nuk vendos fatet e sezonit, të paktën, sipas asaj që thekson trajneri, Shkëlqim Lleshanaku, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

Leshanaku Elbasani

Ai u druhet lodhjes së lojtarëve dhe mungesave, por gjithsesi ka besim se skuadra do të dijë të marrë një rezultat pozitiv, që do t’ia bënte më të lehtë mbijetesën. “Kemi pasur një kalendar më të ngjeshur se ekipet e tjera, për shkak të ndeshjes së prapambetur me Orikun, ndaj dhe i druhem paksa lodhjes në sfidën e nesërme (sotme) me Devollin. Megjithatë, nuk është se po demoralizohemi dhe nuk dua të justifikohem, do ta kthejmë të gjithën në forcë.

Kemi edhe disa mungesa, por mua më kënaq loja që kemi bërë gjatë ndeshjeve të fundit të kampionatit dhe kam besim se edhe në Bilisht do të tregojmë potencialin tonë. E shoh si një sfidë shumë të rëndësishme, por nuk vendos fatet e sezonit, sepse ka edhe shumë pikë në lojë. Ne do të hyjmë në fushë për të fituar, edhe pse përballë do të jetë një kundërshtar shumë i fortë, por le t’ia lëmë fushës”, u shpreh për gazetën trajneri i skuadrës elbasanase, Lleshanaku.

Verdheblutë janë mundur në dy ndeshjet e kaluara të këtij sezoni nga Devolli, por shpresojnë të dalin me pikë kësaj here, duke ditur edhe rëndësinë e tyre.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"