Transferimi tek PSG mund të shmangej, Mesi u tradhtua nga Pike para largimit nga Barça
Largimi i Lionel Mes it nga Barcelona verën e vitit të kaluar vazhdon të diskutohet në Spanjë. Ka qenë vizita surprizë e Mesit në Barcelonë për të çelur sërish një plagë që ndoshta nuk është mbyllur ndonjëherë.
Mediat spanjolle pranë Barcelonës kanë bërë me dije se një nga personat nga i cili Mesi ka mbetur mjaft i zhgënjyer është Xherard Pike.
Mbrojtësi ka qenë i munguari i madh në restorantin japonez të hënën në mbrëmje në Barcelonë, ku Mesi ka darkuar me dy nga ish-shokët e ekipit, Serxhio Buskets dhe Zhordi Alba. Televizioni “Esport 3” ka hedhur dritë në lidhje me ftohjen e marrëdhënieve mes Leo Mesit dhe Pikesë.
“Pike nuk është më pjesë e rrethit të ngushtë të Mesit në Barcelonë. Ata që janë pjesë e rrethit të ishin së bashku duke darkuar me Leon”, ka bërë me dije gazetari Luis Kanut. Ai ka shuar se Mesi ka mbetur i zhgënjyer për të mos thënë i tradhtuar nga Pike për lojën e dyfishtë që mbrojtësi bënte vjet në verë në lidhje me rinovimin e kontratës.
Pike, një nga lojtarët më me peshë në dhomat e zhveshjes te Barça bëri një lojë të dyfishtë duke mbrojtur publikisht shokët e ekipit nga njëra anë dhe nga ana tjetër negocionte fshehurazi me ish-presidentin Bartomeu për të përfituar personalisht. “Kontrata e rinovimit të Pikesë me Barçën e dëmtoi jo pak Mesin dhe ai u ndie i zhgënjyer.
Për më shumë Mesi u ndie i tradhëtuar nga Pike sepse Pike nuk vendosi të ulte pagën e tij deri në momentin që Mesi u largua nga Barcelona.
Mesi mendon se Pike duhet të kishte pranuar ulje rroge para largimit të Leos, kështu që argentinasi nuk do të kishte lënë Barçën”, ka shpjeguar Kanut.
Mesi dhe Pike kanë qenë miq mjaft të ngushtë, por me kalimin e viteve marrëdhëniet mes tyre janë ftohur së tepërmi.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"