Transferimi te Flamurtari, Batha: Ju tregoj kush më bindi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2018 | 21:17

Transferimi te Flamurtari, Batha: Ju tregoj kush më bindi…

Idriz Batha është zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. “Panorama Sport” e paralajmëroi që më 6 korrik faktin që mesfushori nga Gjirokastra do të bëhej pjesë e vlonjatëve këtë sezon dhe dje erdhi firma e gjithashtu prezantimi zyrtar nga Flamurtari. Batha është një lojtar me eksperiencë dhe që mund të cilësohet edhe si afrimi i goditur te Flamurtari.

batha flamurtari

Në sezonet 2010-2012, Batha ka qenë pjesë e Partizanit në kategoritë e ulëta, ndërsa më pas ka luajtur për Besën e Kavajës dhe me Teutën e Durrësit. Pas rikthimit të “demave” në Superiore, në katër sezonet e fundit, Batha ka qenë pjesë e të kuqve, ku në edicionin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit. 26-vjeçari firmosi një kontratë 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër me Flamurtarin, teksa do të marrë 6 mijë euro në muaj.

idriz batha

“Nga sot jam lojtar i Flamurtarit, faleminderit për vlerësimin dhe respektin e treguar dhe shpresoj që së bashku të jemi akoma edhe më të fortë. Gjej rastin të falënderoj edhe klubin e Partizanit, të gjithë lojtarët që kisha kënaqësinë të luaja me ta, si dhe tifozët e shumtë. Respekte!”, shkruante mesfushori në “Instagram”. Më pas, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, pasi firmosi me Flamurtarin, Batha u shpreh se e bindi projekti për të ardhur në Vlorë, por edhe trajneri Daja. Mesfushori beson se te Flamurtari mund të fitojë trofe.

Çfarë ju bindi për të firmosur me Flamurtarin?

Kemi folur edhe herë tjetër me drejtuesit e Flamurtarit para disa ditësh, por të them të drejtën është projekti i klubit që më bindi të firmosja. Arsye tjetër është grupi aktual që ka Flamurtari, pa harruar edhe trajnerin, që e mori nga Skënderbeu. Mendoj se do të ketë edhe afrime të tjera shumë cilësore, që më bindën të firmos te Flamurtari.

Sa rol ka në këtë mes trajneri Ilir Daja?

Edhe trajneri Daja është një nga arsyet se përse firmosa në Vlorë. Dajën e njoh shumë mirë dhe e di se çfarë trajneri është. Kudo që shkon, i njoh edhe ambiciet që ai ka. Kështu që, edhe trajneri ishte një arsye që unë firmosa.

Mendoni se mund të fitoni trofe në Vlorë?

Të jem i sinqertë, kam shumë bindje, pse jo? Bazohem te grupi që është tani dhe ekipi që pretendohet të bëhet në ditët në vijim.

Çfarë numri do të mbani në fanellë te Flamurtari?

Është shpejt që të flasim për këtë. Nuk është ndonjë problem i madh ky dhe nuk i kam kushtuar shumë rëndësi numrit.

Cili është idhulli juaj në futboll?

Idhulli im në futboll ka qenë Zidan, por janë shumë në fakt. Më ka pëlqyer Naingolan, sepse i përshtatem pak mënyrës sesi ai luan. Por më pëlqen edhe Hazard. Ata janë idhuj që nuk kanë lidhje me mua, por që më pëlqejnë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"