Transferimi në Rrogozhinë, rrëfehet Mihana: Egnatia, më shumë se një sfidë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 23:09

Transferimi në Rrogozhinë, rrëfehet Mihana: Egnatia, më shumë se një sfidë

Redon Mihana është vetëm 23 vjeç dhe spikat me talentin e tij. E “zbuluan” në Fier si pjesëtar i Apolonisë. U përsos te Dinamo dhe tani… pret të shkëlqejë tek Egnatia. Mesfushori me tipare sulmuese është ndër ata lloj lojtarësh që në fushë di t’i bëjë të gjitha. Madje, jo mirë, por në raste të veçanta shumë mirë. Sidomos kur shënon e skuadra fiton.

mihana

Kjo ngaqë është i prirur të dhurojë në fushë shumëçka nga talenti i tij. Duke folur me futbollistin mesditën e djeshme posaçërisht për “Panorama Sport” ai theksoi se përvojën e tretë që pret ta startojë vetëm pas pak ditësh me fanellën e Egnatias e lidh me fjalën e urtë popullore “e treta e vërteta”. “Me zbritjen e Dinamos në Kategorinë e Parë, menjëherë mendova të ndryshoj skuadër. Ardhja në një skuadër si Egnatia që ka ambicie serioze për sezonin e ri, është më shumë se një sfidë edhe për mua”, u shpreh Mihana.

STARTI – “E them me sinqeritet se mezi pres të startojë kampionati i ri sepse ndihem shumë në formë. Këtu te skuadra rrogozhinase kemi kryer një fazë përgatirore prej afro një muaji në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku kushtet kanë qenë ideale, shoh që gëzoj formën e duhur në të gjithë komponentët. Dhe dua të jap gjithçka te skuadra rrogozhinase.

Fakti që në 5 nga 6 miqësoret që kemi zhvilluar deri tani, jam aktivizuar rregullisht, është një shtysë edhe më e madhe për ta pritur me shumë entuziazëm startin e kampionatit më 20 gusht ndaj Partizanit në transfertë. Kam luajtur shume herë ndaj skuadrës së kuqe. Kujtoj 4 sfidat e sezonit të kaluar kur isha pjesë e Dinamos dhe pavarësisht se ne ishim në një pozitë më të dobët se të kuqtë në renditje, ia patëm bërë shumë të vështira ndeshjet Partizanit.

Nisur nga këto fakte, them se do të luajmë në start pa kurrfarë mbivlerësimi e natyrisht as nënvlerësimi ndaj Partizanit sepse ne kemi pretendimet tona dhe duam ta nisim sezonin e ri me një rezultat pozitiv”.

NË FIER – “Është vetëm një miqësore e radhës, por dua të them se ndjej natyrisht shumë nostalgji. Është skuadra ku kam mësuar “abc”-në e futbollit. Apolonia shquhet për afirmimin e talenteve të rinj, sidomos gjatë viteve të fundit. Dhe nga ky grup i madh lojtarësh që luajnë tek Apolonia po dhe nëpër disa skuadra të tjera. Them se mes dy eksperiencave personale që kam në Fier dhe te Dinamo gjatë sezonit të kaluar, mendoj se ka ardhur për mua pikërisht momenti i shpërthimit.

Kjo miqësore natyrisht duke qenë vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit mundet mbase të quhet edhe si një provë gjenerale. Pikërisht për këtë arsye edhe unë dua të tregoj më së miri veten. Pavarësisht se në Fier do të jem kundërshtar i ish-skuadrës së vendlindjes. Uroj që, sikurse në miqësoret e tjera që kemi zhvilluar, edhe në Fier të luajmë bukur e pse jo të dalim edhe me fitore”, mbylli Mihana rrëfimin e tij.

FATMIR EFICA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"