Transferimi në Gjirokastër, talenti Kolonja: Ja pse zgjodha të luaj për Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 23:23

Transferimi në Gjirokastër, talenti Kolonja: Ja pse zgjodha të luaj për Luftëtarin

“Nuk u mendova dy herë për të hedhur të ‘zezën mbi të bardhë’”. Kështu e nis prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Alesio Kolonja, një nga dy blerjet e deritanishme të AF Luftëtarit në merkaton e verës. Më tej, 21-vjeçari nga Saranda tregon arsyen pse zgjodhi ekipin gjirokastrit.

Kolonja

“U bëra pjesë e Luftëtarit dhe do të mbroj ngjyrat e tij për sezonin futbollistik 2022-2023. Është një skuadër me emër në futbollin shqiptar, pavarësisht nivelit ku konkurron sot. Ndër vite, Luftëtari i ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Zgjodha Luftëtarin për të vijuar karrierën si sulmues, për vetë traditën e lojës kombinative dhe sulmuese, që ky ekip ka në ADN e tij.

Fakti që Luftëtari konkurron në Kategorinë e Dytë nuk do të thotë asgjë për mua si sulmues i ri, përkundrazi do të më shërbejë për të shënuar sa më shumë gola. Nëse sezonin e shkuar shënova dy gola për ngjyrat e ekipit të vendlindjes, Butrintin, këtë sezon për ngjyrat bluzi premtoj se do të shënoj më shumë”, përfundoi Kolonja. Aktualisht dy janë prurjet e reja pranë AF Luftëtarit, Stiljan Barka dhe Alesio Kolonja.

E nëse Kristi Basha dhe Mario Mërkuri, që mbyllën sezonin e fundit me Luftëtarin, do të firmosnin edhe këtë sezon për ngjyrat bluzi, atëherë numri i lojtarëve sarandjotë do të shkonte në katër. Një dekadë më parë në radhët e gjirokastritëve janë aktivizuar sarandjotët Dhiogjen Muça, Ardian Kola, pa harruar edhe të mirënjohurin Milto Gurma para viteve ’90.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"