Tramexani: Duam kualifikimin, nuk punojmë kundër Kosovës

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 21, 2016 | 13:25

Tramexani: Duam kualifikimin, nuk punojmë kundër Kosovës

Paolo Tramexani, krahu i djathtë i De Biazit, por ndërkohë edhe drejtor sportiv i Kombëtares shqiptare është i bindur se nuk do të ketë më asnjë largim nga Shqipëria drejt Kosovës. Ai respekton zgjedhjen e Rashicës me shokë, ndërkohë kërkon që zyrtarët e federatës së Kosovës të mos shohin armiq te homologët e tyre në Shqipëri.

tramexani

“Nuk kemi punuar asnjëherë kundër Kosovës apo ndonjë vendi tjetër. Kemi qenë shumë korrektë në këtë pikë”, thotë Tramexani në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai zbulon gjithashtu edhe strategjinë e re për të gjitha ekipet përfaqësuese, teksa pohon se sistemi i lojës do të jetë sipas ekipit të parë dhe se mbrojtja do të jetë me katër futbollistë në të gjitha ekipet kuqezi.

Në fund, ai nuk e fsheh ëndrrën për t’u kualifikuar në Botëror, por thotë se skuadra jonë duhet të jetë e përulur, ashtu si në eliminatoret e Europianit.

Mister, janë akoma prezente emocionet e Europianit, apo është diçka e kaluar dhe është koha për të nisur punën për edicionin e ri?

Emocionet e Europianit do të jenë gjithmonë prezente për mua. Ashtu siç do të jenë edhe këto pesë vite që kam qenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, gëzimi, kënaqësia dhe entuziazmi duhen lënë mënjanë për të parë gjithmonë përpara drejt të ardhmes. Ne do të duam të bëjmë gjëra të mira dhe sërish të mëdha. Për këtë, gjithçka nis si nga fillimi me kualifikueset për botërorin “Rusi 2018”.

tramezani

Pjesëmarrja në Europian do të jetë eksperiencë e fituar për futbollistët apo i druheni se mund të jenë “mendjemëdhenj” në këto kualifikuese?

Jam i bindur se eksperienca në Europian do të jetë një motivim më shumë për këta djem dhe për këtë skuadër, e cila ka arritur rezultate të shkëlqyera, të cilat mund të përsëriten në të ardhmen. Këta lojtarë do të vazhdojnë me të njëjtën grintë, me të njëjtin pasion, dëshirë dhe kurajë.

Jam i sigurt se në të ardhmen këta lojtarë do të arrijnë emocione të mëdha dhe kanë mundësi të realizojnë objektiva të tjera. I njoh prej pesë vitesh dhe flas me siguri për këtë.

Emri juaj është përmendur disa herë gjatë merkatos që të merrnit në drejtim ekipe të ndryshme. Si qëndron e vërteta e tyre?

Po, është e vërtetë që ka pasur disa skuadra që më kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe. Kjo gjë më ka gëzuar shumë, por nuk kam marrë në konsideratë asnjë ofertë të tillë. Ndihem shumë mirë në Shqipëri. Jam i kënaqur me rolin që kam dhe mendoj se nuk ka mbaruar ende puna që kemi për të bërë.

Oferta të tilla nuk i kam marrë në konsideratë për shkak se të drejtoj Kombëtaren shqiptare është një lumturi dhe puna për të është maksimumi për momentin, e cila duhet vazhduar ende.

De Biazi Tramexani

Cilat skuadra mund të konfirmoni?

Përderisa nuk i kam marrë në konsideratë, nuk do të ishte etike që t’i bëja publike. Mos insistoni, pasi nuk mund të përmend asnjërën prej tyre.

Rashica, Meha e Shala kanë braktisur Shqipërinë për të luajtur me Kosovën. Sa e dëmton Kombëtaren kuqezi kjo gjë?

Unë e respektoj shumë zgjedhjen që kanë bërë këta djem që kanë qenë pjesë e jona gjatë këtyre viteve. Për këtë fanellë ata kanë demonstruar impenjim dhe dedikim.

Në lidhje me zgjedhjen e njërit apo tjetrit, duhet të jemi të vetëdijshëm që gjithkush mund të jetë i lirë për të bërë diçka të tillë duke qenë i bindur se kur bëhet një ndryshim, është për një të ardhme më të mirë. Respekt maksimal për atë që kanë vendosur të bëjnë dhe i uroj përzemërsisht që të jetë një zgjedhje e lumtur dhe me fat që t’u sjellë kënaqësi.

Mendoni se nëse Rashica do të ishte i ftuar në Francë, nuk do ta bënte këtë ndryshim?

Çdo zgjedhje që kemi bërë në këto pesë vite ka qenë e mirëmenduar dhe jo rastësore, pasi i kemi ndjekur lojtarët në ndeshjet e tyre. Kemi ndjekur një mënyrë të tillë pune, ku kemi vëzhguar me kujdes lojtarë të shumtë në kampionate të ndryshme në lidhje me ata që mund të bëheshin pjesë e skuadrës sonë.

Çdo lojtar që kemi afruar e kemi përzgjedhur në bazë të karakteristikave individuale, por mbi të gjitha për faktin që mund të viheshin në shërbim të skuadrës dhe në funksion të një moduli apo mënyre loje të caktuar. Nuk ka kurrë keqardhje për vendimet e ndërmarra, pasi në punën tonë kemi kërkuar që të gabojmë sa më pak të jetë e mundur dhe për këtë jemi të bindur që kemi bërë zgjedhjet e duhura.

Gjithashtu jam i bindur se Rashica është një futbollist i shkëlqyer dhe se mund të bëjë një karrierë të suksesshme.

I trembeni faktit që mund të ketë të tjerë lojtarë që do të largohen? Keni pasur sinjale?

Nuk ka frikë dhe nuk ka mëdyshje që të tjerë futbollistë të mund të mendojnë ndryshe përveçse për Shqipërinë.

Ka siguri dhe besueshmëri që kush vendos të qëndrojë me ne është sepse e vlerëson 100% këtë fanellë dhe qëndrimi me ne është i tillë për të treguar si gjithmonë se Shqipëria është e vetmja dëshirë dhe që janë të gatshëm të vazhdojnë të japin gjithçka që kanë dhënë deri në këto momente. Nuk ekziston asnjë frikë se të tjerë lojtarë mund të bëjnë një zgjedhje ndryshe.

shala-rrahmani-rashica-470x305

Ndieni keqardhje kur largohen lojtarë, të cilët i keni vëzhguar prej një kohe të gjatë?

Jo, aspak! Nuk ndiej asnjë keqardhje.

Nga Kosova, konkretisht menaxheri i ekipeve kombëtare në federatë, ka deklaruar se Shqipëria po punon kundër Kosovës dhe po e dëmton, duke iu referuar rastit të Ylber Ibrahimit. Çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë?

Absolutisht që nuk është e vërtetë. Si Kombëtarja, ashtu edhe federata nuk kanë punuar kurrë kundër një tjetre. Raportet mes kë- tyre dy federatave kanë qenë të shkëlqyera dhe nga ana jonë ka qenë dhe ekziston dëshira e vullneti që të vijojnë të tilla marrëdhënie bashkëpunimi si dhe për të qenë të bashkuar.

Ekzistencën e raporteve të mira e tregon edhe fakti që kur Shqipëria u kualifikua për herë të parë në Europian, pas ndeshjes me Armeninë, miqësoren e parë e zhvilluam në Kosovë në mënyrë që të ndanim gëzimin e festën edhe me kosovarët për këtë arritje. Një krenari e përbashkët.

Keni biseduar me Canën gjatë kësaj periudhe? A është zyrtare që nuk do të luajë më me Kombëtaren dhe nëse po, kush do të jetë kapiteni në të ardhmen?

Po, patjetër që kam biseduar me Lorikun, por jo sa i përket të ardhmes së tij. Unë mendoj se ai duhet ta vendosë të ardhmen me qetësi. Nuk duhet t’i tregojë askujt derisa të jetë gjithçka e qartë se çfarë do të bëjë. Sa i përket rolit të kapitenit, është një zgjedhje që i takon Xhanit ta ndërmarrë.

De Biazi Tramexani

Kombëtarja Shpresa është duke luajtur thuajse njësoj si Kombëtarja A. Është e vërtetë që ka një projekt dhe filozofi loje për të gjitha ekipet e moshave?

Që nga koha kur kam marrë rolin e Drejtorit Sportiv në Kombëtare, më pëlqen që të flas për numrat, skemat dhe organizimet e skuadrave të moshave. Sigurisht që kemi një projekt dhe një plan që Kombëtaret e të gjitha niveleve të punojnë me të njëjtën strategji në fushë si Kombëtarja e madhe, që do të thotë se duhet të jenë të organizuara mjaft mirë në mbrojtje.

Të aplikojnë fillimisht skemën bazë me katër në prapavijë që në momente të caktuara të dinë ta shndërrojnë në mbrojtje me tre apo edhe me pesë. Të punojnë në lojën pa top dhe në zonën e 30 metrave të fundit të fushës të gjithë lojtarët të punojnë në mënyrë që të tregojnë maksimumin e cilësive që zotërojnë.

Kemi bërë disa seleksionime në Itali, Greqi, Shqipëri dhe Kosovë dhe shumë shpejt do të ketë organizime të tjera në pesë zona të Shqipërisë për të zbuluar talente.

Pak ditë më parë u zhvillua miqësorja mes Shpresave kuqezi dhe atyre të Italisë, pikërisht në vendin tuaj, por ra në sy mungesa juaj dhe e trajnerit De Biazi. Përse ndodhi diçka e tillë?

Shumë e thjeshtë. Besoj se pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, disa ditë pushime janë të domosdoshme dhe besoj të merituara për cilindo që të mund t’i dedikohet plotësisht familjes, pasi kemi ndjekur cilindo lojtar me skuadrat e tyre në shtete të ndryshme, brenda dhe jashtë Italisë, apo edhe Europës.

Si janë raportet tuaja me trajnerët e Kombëtareve të moshave?

I trajtoj të gjithë me shumë respekt dhe kanë besimin tim maksimal. Ata e dinë se çfarë kërkoj dhe e dinë se çfarë do të thotë që të drejtojnë një ekip që prezanton një fanellë të rëndësishme, një vend dhe një komb dhe për këtë pres që të jenë një shembull, jo vetëm në fushë me rezultatet, por edhe jashtë saj për të çuar gjithmonë e më lart Kombëtaren shqiptare në të gjitha nivelet.

De Biazi, Tramezani, Bulku dhe Bozhiqi (2)

Po me trajnerin e Kombëtares Shpresa, Jupin?

Marrëdhënie korrekte dhe respekti në lidhje me vizionin dhe qëllimet për Kombëtaren e të rinjve.

Cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë në kualifikueset e “Rusi 2018”-ës?

Që të kërkojmë maksimumin dhe kjo do të thotë që të kërkojmë kualifikimin dhe të sigurojmë sërish diçka historike. Nuk do të jetë aspak e lehtë, siç nuk ishte as kualifikimi në Francë me grupin që kishim. Megjithatë unë jam i bindur se kjo skuadër mund t’i kënaqë sërish tifozët e saj.

OLSI TUJANI





www.minuta90.com