“Trajnerin e hoqëm, se kapi nga fyti një lojtar”, reagon klubi i Kategorisë së Parë: Asnjë intrigë, kemi pamje filmike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2019 | 17:09

“Trajnerin e hoqëm, se kapi nga fyti një lojtar”, reagon klubi i Kategorisë së Parë: Asnjë intrigë, kemi pamje filmike

Vladimir Gjoni rezistoi vetëm 20 ditë në stolin e Burrelit. U emërua më 24 korrik dhe më 12 gusht iu komunikua shkarkimi. Një situatë në limitet e absurdit. Trajneri akuzoi se vendimi ishte i gjithi politik, ndërsa sqaroi se “sebep” u bë një incident i ndodhur të premten e kaluar, kur po luhej Burreli-Korabi (e fituar 0-1 prej miqve).

vladimir-gjoni

E megjithatë, klubi nuk i ka kaluar në heshtje këto deklarata. Ai që mundohet t’i japë dritë gjithçkaje është administratori Bajram Ballabani, personi që ia ka komunikuar largimin 49- vjeçarit. Vetë tekniku theksonte se ishte munduar që të shuante gjakrat, por një variant krejt tjetër jep drejtuesi i klubit. Në një reagim për “Panorama Sport”, ai rrëfen se trajneri dhe ndihmësi i tij, i kishin futur duart në fyt lojtarit kundërshtar. E megjithatë, duket se situata ka qenë e “krisur” edhe më herët, teksa në klub kanë pasur pakënaqësi për punën e bërë nga trajneri.

Burreli

BALLABANI – “Nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj intrige dhe politikë. Unë si administrator i klubit dhe si qytetar matjan kisha shumë dëshirë që të kishim një trajner nga Mati. Dhe kështu ngjau, ndërsa i besuam ekipin Vladimir Gjonit. Nisëm me përkushtim maksimal punën për të plotësuar që të gjitha kushtet që kërkoi Vladimir Gjoni dhe ndërtuar një skuadër dinjitoze. Por moskoordinimi midis meje dhe atij na çoi në këtë pikë.

Ai kishte mungesë në formimin e ngritjes së ekipit. Por kulmin situata e arriti në ndeshjen miqësore që zhvilluam me ekipin mik të Korabit. Një trajneri nuk i falet që të shkojë e të kapë lojtarin kundërshtar në mesin e fushës në fyt, bashkë me zv.trajnerin dhe kjo ishte arsyeja kryesore për largimin e tij nga drejtimi i skuadrës. Ajo që rrëfeva më lart është e regjistruar edhe me pamje filmike. Të vendosur para kësaj situate, u mor masa për ta larguar nga drejtimi i skuadrës së Burrelit”, u shpreh administratori i klubit.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"