Trajneri Ze Maria kërkon nga skuadra përqendrim, Tirana “frikë” para startit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2018 | 11:59

Trajneri Ze Maria kërkon nga skuadra përqendrim, Tirana “frikë” para startit

Të jesh Tirana, domosdoshmërisht duhet të fitosh edhe ndeshjen hapëse të kampionatit. Dhe kjo nuk është retorikë, por fakt statistikor i pakundërshtueshëm. Tirana në histori pothuajse shumë rrallë ka dështuar në premierën e saj në Kategorinë Superiore, të paktën gjatë 19 sezoneve të fundit.

tirana

Për ata që nuk e dinë, në 19 kampionatet e kaluara, 18 në Kategorinë Superiore dhe një në Kategorinë e Parë, Tirana, sezonin e ka nisur me fitore, 11 herë. Gjashtë herë ekipi ka barazuar në ndeshjen e parë të kampionatit dhe vetëm në dy raste, në ndeshjen e parë bardheblutë kanë regjistruar humbje. Për çudi, në të dy rastet ka qenë Flamurtari, i cili ka mundur Tiranën në sfidat hapëse të kampionatit. Nëse u futemi edhe më thellë statistikave të ndeshjeve të para të bardhebluve në kampionat, nga 19 sezone, vetëm gjashtë herë Tirana e ka nisur si skuadër pritëse dhe vetëm në sezonin 2009-2010, 24 herë kampionët janë mundur, ndërsa në sfidat e tjera ka fituar në katër herë dhe ka barazuar një takim.

tirana

Shifra të frikshme të “makinerisë” bardheblu, që pothuajse asnjëherë nuk ka dështuar ndaj ekipeve të vogla, të cilat i ka pasur karamele si “fillim sezoni”. Shkurt, Tirana ka për detyrim që të fitojë në ndeshjen hapëse të kampionatit kundër Kamzës. Jo vetëm, sepse Tirana pretendon shumë këtë sezon, por se historia është ajo, që vendos kështu. Ze Maria dhe drejtuesit e Tiranës e dinë mirë këtë fakt dhe detyra e tyre është të pjekin kushtet që bardheblutë të fitojnë në sfidën hapëse të kampionatit, paçka se skuadra vjen nga Kategoria e Parë.

PRESIONI ËSHTË I MADH Rezultati ose fitorja e dëshiruar ka ditë që rëndon mbi shpatullat e trajnerit të Tiranës. Hoze Marselo Ferreira, që pas takimit me Prishtinën, ua ka bërë të qartë lojtarëve. Në sfidën e parë kërkon vetëm fitore dhe nuk pranohet asnjë rezultat tjetër. Gjatë gjithë stërvitjeve, braziliani është parë i trazuar. Zëri i lartë, kritikat e shumta edhe për gabime të vogla tregojnë tensionin e trajnerit bardheblu. Gjatë gjithë kohës,

Ze Maria e ka treguar se pesha e rezultatit është e madhe tek ai, pasi si klubi dhe tifozët presin shumë nga Tirana e tij. Para lojtarëve ai ka pranuar se skuadra ende nuk është gati, por shpreson që grupi të luftojë për një rezultat të madh siç është fitorja ndaj Kamzës. Duhet pranuar se për bardheblutë, fitorja është rruga e vetme për një rikthim shpresëdhënës në Kategorinë Superiore. Shanset i ka të mëdha, sepse kundërshtari që ka përballë nuk është nga ata që s’të lënë të prekësh topin…

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"