Trajneri Tuhel në luftë me mediat: Po patët bo*e, shkoni dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 14:49

Trajneri Tuhel në luftë me mediat: Po patët bo*e, shkoni dhe…

Mungojnë vetëm kokoshkat. Tashmë konferencat për shtyp pas ndeshjeve të Tomas Tuhelit janë shndërruar në një spektakël të trishtë të kategorisë më të ulët.

Tuhel

Fitorja 1- 0 ndaj Lajpcigut e PSG-së së tij në Champions, dha vetëm përshtypjen e zgjatjes së agonisë së një skuadre të paprezantueshme, por që në fund i ngjan imazhit të trajnerit të saj, të paktën për gjuhën vulgare që përdori me gazetarët francezët në përfundim të ndeshjes:

“U lodha me këto pyetjet tuaja. Po patët b…, shkoni dhe pyesni futbollistët në dhomat e zhveshjes”. Gjermani ka humbur qetësinë dhe automatikisht ua transmeton këtë edhe lojtarëve në fushë. PSG-ja e kontrolloi topin 37.2% të kohës, saktësia e pasimeve ishte 75.7%, siç nuk kishte ndodhur kurrë që kur klubi ndërroi pronësi te sheikët e Katarit.

Por, për Tuhelin më shumë rëndësi kishte rezultati. Me dy lojtarët më të kushtueshëm në botë, Nejmar dhe Mbape, mediat akuzojnë trajnerin se po gjen alibi. I pari ofron pamje të shëmtuara në çdo kontakt sado të lehtë, ndërsa i dyti gati po bën një vit që nuk shënon në Champions. “Nuk ka asgjë për të qenë krenarë”, shkruante e përditshmja e kryeqytetit “Le Parisien”.

“Fitore dekurajuese”, e komentonte “L’Equipe”, duke shtuar: “Një fitore që nuk mund ta fshehë mediokritetin e lojës së PSGsë”. Janë tituj që nga një luftë gueriljeje, tashmë është shndërruar në një luftë të hapur mes mediave dhe Tuhelit, i cili të martën humbi qetësinë duke vijuar me ironinë e tij: “Preferoj të fitoj sesa të luaj mirë. Ju kërkoj ndjesë nëse nuk Ju kam pëlqyer”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"