Trajneri Stërmasi zbërthen sukseset e Gegës: Luiza unike, ja objektivi për të ardhmen. Por në Shqipëri duhet bërë më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2022 | 19:07

Trajneri Stërmasi zbërthen sukseset e Gegës: Luiza unike, ja objektivi për të ardhmen. Por në Shqipëri duhet bërë më shumë

Taulant Stërmasi ka një rol thelbësor në arritjet e Luiza Gegës. Trajneri i kampiones së atletikës rrëfen disa sekrete për jetëgjatësinë e sportistes në nivele kaq të larta, por gjithashtu flet pa doreza për “Panorama Sport” edhe për disa ndryshime që duhet të bëhen në sportin shqiptar, sidomos në trajning.

Gega

Ç’do të thotë të arrish në këto nivele?
Të vish deri këtu nuk është kaq e lehtë dhe këtë e dimë. Luiza si sportiste nuk ka ardhur ditën e parë si shpresa e atletikës kur ka filluar sportin, sigurisht që ka qenë sportiste e talentuar në nisje, por vetëm kaq. Ajo që e bën Luizën sportiste të madhe është se gjithë kohën ka kërkesa të larta për veten dhe kërkesat e saj janë ndryshe nga të gjithë të tjerëve që shoh shpesh. Kërkesa e llogarisë ndaj vetes është thelbësore duke nisur që nga: stërvitja, pra të arrijë më mirë sesa ka bërë një ditë përpara, çdo muaj më mirë seç ka bërë muaj përpara dhe çdo vit më mirë sesa ka bërë një vit përpara. Kemi thuajse që nga 2009 që Liza thyen rekordet e veta çdo vit dhe automatikisht pastaj në një moment të bukur rekordet e veta janë dhe rekorde kombëtare. Nuk ka objektiva t’ua kalojë emrave specifikë në Shqipëri, në Ballkan, në Europë apo në botë, objektivi është të përmirësojë veten. Po përmirësove veten, sigurisht që një ditë ti e gjen veten te sportistët më të mirë në botë.

Çfarë e bën Luizën të qëndrojë kaq gjatë në këto nivele?
Luiza është rast unik për Shqipërinë sepse ka shumë vite që është në këto nivele, por dhe në botë ka raste të tilla. Duke kuptuar që ka sportistë gjermanë, amerikanë, që janë automatikisht shumë të pasur krahasuar me ne. Pra, nëse një i pasur dhe ekonomikisht gati është kaq me dëshirë për të punuar dhe për të bërë stërvitje, pse nuk duhet ta bëjë Luiza, ose pse nuk duhet të bëj një sportist shqiptar. Ky është rasti i Luizës, është shumë punëtore, ka kujdes të madh në çdo gjë që bën, nuk e sheh sportin si sport, por e sheh si profesioniste, si punë, jeton me të, dhe kjo është arsyeja pse kemi këto rezultate të larta. Po, Luiza është shumë e kujdesshme.

Sa ndikon trajneri dhe konkretisht ju në këtë rast?
Sigurisht edhe unë kam punuar fort që Luiza të ketë dëmtime më pak, të stërvitet më shumë e të rikuperohet më shpejt, sepse lufta e madhe e çdo trajneri është kush e bën sportistin të jetë më i freskët ditën tjetër dhe t’i japë sa më shumë intensitet, volum një ditë përpara. Kjo sigurisht që nuk bëhet vetëm, sado të dojë trajneri. Pse? Sepse nëse sportisti nuk është 100 për qind në fokus, nëse sportisti nuk fle aq sa duhet, nuk rikuperohet, nuk bën trajtim, nuk bën streçing, nuk bën fizioterapi. Të gjitha këto, sigurisht që ne i kemi të pamundura si një shtet i vogël që është Shqipëria.

gega

Pse?
Sepse duhet të kemi në grup pune njerëz që të punojnë e ta ndihmojnë Luizën. Shpeshherë për këtë arsye jam i detyruar unë të bëj fizioterapi për Luizën, pra të bëj masazhin të paktën, se fizioterapi është fjalë e madhe, por të paktën deri tani ia kam dalë mirë. Kjo sepse Luiza është pa dëmtime dhe duke vrapuar kohë shumë të shpejta. Ky është një nga vitet më të mira të Luizës dhe sigurisht që është kulminant, sepse kemi pasur rezultate shumë të larta. Në të gjitha aktivitetet kemi marrë medalje të nivelit të lartë, të parë, të dytë. Rekordet, rezultatet janë të një niveli shumë të lartë, botëror po them, nuk janë më në nivel rajoni. Luiza është rezultati më i mirë në Europë, është top gjashtëshja e botës sot. Sigurisht që nuk janë këto pretendimet dhe ne mundohemi fort që çdo vit të kemi pretendime të reja dhe Luiza të ketë një kufi të ri për të arritur. Po tani jemi në finale të Botërorit dhe ky është rekord për Luizën, jo vetëm se u kualifikua në finalen e Botërorit, por u kualifikua me “Q” të madhe, që do të thotë që u kualifikua direkt jo me kohë, por me vend. Luiza është ajo që ka thyer të gjitha rekordet e Shqipërisë në finale të një disipline siç është atletika, por për herë të parë edhe Luiza u fut direkt, që do të thotë është koha e 6-të dhe dha një rezultat shumë të mirë 9-14-9. Një garë e çuditshme….

Pse ishte garë e çuditshme?
Sepse taktikisht nuk u vrapua mirë, qoftë për faj të grupit, po qoftë dhe për faj të Luizës për gabime të vogla teknike, por nuk është se na ndikoi shumë. Ka bërë një super finish në 400 metrat e fundit, që do të thotë se Luiza ka freski. Pas garës kam bërë ca teste laktati për të kuptuar sa është lodhja e Luizës dhe e kuptoj që ajo ka qenë në nivelin 70 për qind në garë, pra kemi pasur rezerva të mëdha për garën. Kemi besim të madh që në finale do të vrapohet shumë herë më mirë, shumë më shpejt dhe shpresojmë dhe në vendndodhje më të mirë. Duke parë dhe si kanë shkuar finalet e botërorëve dhe olimpiadave të kaluara, koha është e shpejtë, pra kohë që rendit brenda 6- shes ose 8-shes së parë të paktën dhe shpresojmë që do të jemi dhe shumë më poshtë se aq.

Si është infrastruktura në Shqipëri për një kampione si Luiza?
Të flasësh për infrastrukturën shqiptare, në fakt duhet shumë më gjatë sesa po flasim bashkë. Ka kaluar mes periudhash tranzicioni të viteve ‘90 dhe vazhdojmë të jemi në periudhë tranzicioni akoma sot. Infrastruktura është thuajse e amortizuar. Shpresoj shumë që këtë vit Tirana të jetë me pistë tartani, por efektet e infrastrukturës vijnë pas 8 apo 10 vjetësh. Jo vetëm në atletikë, por ka në fakt një përçmim për trajnerët. Janë keqpaguar trajnerët e atletikës, por edhe të sporteve të tjera. Pagesat janë aq minimale saqë ti nuk mund të presësh një performancë të lartë sportive nga trajnerët, të cilët duhet të impenjohen, duhet të lexojnë, duhet të investojnë, duhet të rrinë me sportistin, duhet të bëjnë gjithçka që të japin maksimumin e tyre për programet stërvitore, për rikuperimin, për pjesët didaktike. Që në momentin kur ka pagesa kaq të ulëta, nuk ke shanse që të presësh performancë sportive njësoj me trajnerët e impenjuar e të arrish pastaj te sportistë të nivelit cilësor apo të nivelit të lartë. Nuk mund të them që është kulmi i atletikës këtu, sepse unë pres që Luiza të bëjë shumë më mirë se kaq.

Cili është objektivi i Gegës në të ardhmen?
Objektivi i madh është “Paris 2024”. Ky është objektivi i afërt për të cilin do të mendojmë se mund të bëjmë shumë herë më mirë se ç‘mund të bëjmë këtë vit. Luiza çdo vit duhet të bëjë rekorde dhe po mundohet t’i bëjë çdo vit dhe rekordi nuk ka lidhje me rekordin kombëtar si emërtesë, por ka lidhje me performancën sportive në rankimin botëror. Pra, jemi krenarë për Luizën që është rankuar kaq mirë, vrapon kaq mirë në finale, kualifikohet në finale. Unë do të kisha qejf të ishte edhe pak më mirë sepse mundësitë janë si këtë vit, por besoj edhe për çdo vit që do të kalojë, 2023-2024 do ta bëjë Luizën më të fortë. Luiza ka një mbështetje shumë të mirë nga Bashkia Tiranë. Nuk është vetëm çështje financiare, por dhe çështja financiare në fakt është bllokues i madh. Vetëm në dimër grumbullimi ka shkuar gati 25 mijë dollarë për mua dhe për Luizën, që do të thotë se nëse ti nuk do të kesh në dimër një grumbullim shumë të mirë nuk pret performanca të larta në verë.

ARTIn LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"