Trajneri shkund Vllazninë pas humbjes në Rrogozhinë, Josa “shfryn” në analizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 18:06

Trajneri shkund Vllazninë pas humbjes në Rrogozhinë, Josa “shfryn” në analizë

Vllaznia pësoi një humb je të rëndë në javën e katërt ndaj Egnatias me shifrat 3-0. Kjo disfatë erdhi në momentin më të mirë për shkodranët, pasi vinin nga dy fitore radhazi me Kukësin dhe Tiranën. Duke parë oshilacionet në rezultate dhe faktin që në katër ndeshje skuadra ka pësuar dy humbje ndaj ekipeve ku mendohej se ishte favorit, trajneri Mirel Josa ka mbledhur skuadrën në një minianalizë për atë që ndodhi në Rrogozhinë. Për të ndërgjegjësuar grupin, në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten më, mësohet se Josa ka qenë shumë kritik dhe është ndalur edhe tek emra konkretë për atë që shkoi keq gjatë ndeshjes me Egnatian.

Mirel Josa2

“Panorama Sport” mëson se Josa ka shfaqur shqetësimin para skuadrës, së pari për mungesën e përqendrimit dhe gjithashtu për faktin se ka pasur neglizhencë në aspektin mbrojtës. Gjithashtu, trajneri ka shprehur shqetësim edhe për faktin se janë krijuar shumë pak raste shënimi. Që në seancën e parë, trajneri ka kërkuar nga lojtarët të dijë arsyet e mungesës së reagimit. “Nuk arrij ta kuptoj pse nuk jeni të përqendruar dhe nuk zbatoni ato që punojmë gjatë javës në stërvitje. Dilni nga detyrat dhe shpërqendroheni totalisht pas pësimit të golave”, mësohet të ketë thënë trajneri para ekipit, duke u ndalur edhe tek lojtarët, të cilët në tre golat e Egnatias kanë gabuar. “Tashmë duhet të shikojmë përpara dhe të bëjmë kthesën në lojë dhe rezultate”, u ka thënë trajneri futbollistëve në minianalizën që ka zhvilluar për posthumbjen në Rrogozhinë. Tashmë, shkodranët do të provojnë me çdo kusht të kthehen te triumfi të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” kundër Kastriotit. Një disfatë tjetër do të ishte e papranueshme për shkodranët pas pesë javësh kampionat. Si për koincidence, të dyja ekipet që kanë germën E (Erzeni dhe Egnatia) kanë qenë makth i Vllaznisë në këto javë të para të kampionatit.

VULAJ DHE SHEHI

Kristjan Vulaj po kthehet në çështje te Vllaznia dhe në këto katër javë kampionati asnjëherë nuk e ka nisur si titullar. I ardhur me shumë bujë pas shkëlqimit në kampionatin malazez me Deçiçin e Tuzit, fantazisti është futur në fushë vetëm si zëvendësues. Vetë Josa ka thënë se ka folur me lojtarin dhe ia ka bërë të qartë pse nuk e aktivizon si titullar. Skema që preferon trajneri, pikërisht 4-3-3, duket se penalizon lojtarin nga Tuzi, i cili është një numër 10 tipik dhe variantet që mund t’i përshtateshin janë 4-2-3-1 ose 4-4-1- 1.

Deri më tani Josa e ka hedhur në fushë Vulajn në dy humbjet me Erzenin dhe Egnatian, ndërsa ndaj Kukësit dhe Tiranës nuk ka luajtur asnjë minutë. Ndërkohë, një situatë më e çuditshme është ajo e mbrojtësit Dajan Shehi, i cili pas ndeshjes së javës së parë me Erzenin, ku luajti 90 minuta, nuk është aktivizuar më pas në asnjë prej tri takimeve. Josa duket se ka gjetur stabilitet me dyshen Juriç-Bulatoviç në qendër të prapavijës, por nuk përjashtohet mundësia të ndryshojë këtë javë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"