Trajneri Resuli vë “veton” do të ruhet grupi i Flamurtarit dhe do të dublohet çdo rol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 15:37

Trajneri Resuli vë “veton” do të ruhet grupi i Flamurtarit dhe do të dublohet çdo rol

Pasi u rikonfirmua në krye të pankinës, Dritan Resuli ka nisur nga puna për ndërtimin e skuadrës. Nuk ka një datë të grumbullimit, por trajneri vlonjat ka pasur dje një takim me administratorin Sinan Idrizi dhe drejtorin Ardi Ciruna. Mësohet nga burime pranë klubit se dje është folur për lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë.

dritan resuli

Trajneri Dritan Resuli ka kërkuar që të qëndrojnë të gjithë futbollistët dhe të mos ketë asnjë largim.

“Do të ruajmë grupin aktual. Janë lojtarë me të cilët kam bashkëpunuar shumë mirë. E arritën objektivin e tyre dhe skuadra u ngjit në Kategorinë e Parë. Kam besim tek eksperienca e tyre si dhe tek aftësitë individuale”, mësohet se është shprehur tekniku.

Pritet që drejtuesit këtë javë të thërrasin disa nga lojtarët titullarë me qëllim që të nënshkruajnë edhe kontratat dhe të rikonfirmojnë zyrtarisht bashkëpunimin.

KËRKESA – Një ndër kërkesat e trajnerit Resuli për drejtuesit është dublimi i të gjitha roleve. Tekniku ka kërkuar që të ketë sa më shumë lojtarë në organikë, duke pasur një stol të pasur.

Në Kategorinë e Parë, por edhe në Kategorinë e Dytë, kuqezinjtë e kanë vuajtur çështjen e lojtarëve rezervë. Duke qenë se kampionati i ardhshëm do të jetë shumë i vështirë, trajneri Resuli kërkon konkurrencë brenda skuadrës.

“Duhet të dublohet çdo rol. E kemi vuajtur mungesën e stolit në të shkuarën. Kampionati do të jetë i gjatë dhe i vështirë, ndaj për të arritur objektivin na duhet një stol sa më i pasur, ku duhet të kemi edhe konkurrencë brenda skuadrës”, ka thënë trajneri.

MERKATO – Vetëm Sokol Neziri është prezantuar tashmë zyrtarisht me Flamurtarin. Vlonjatët kanë shumë dëshira, si nga tregu vendas dhe ai i huaj. Thuhet se me tre brazilianët dhe dy afrikanët është arritur marrëveshja. Por, drejtuesit kanë zgjedhur që të jenë shumë të kujdesshëm me merkaton, por edhe “të fshehtë”, duke mos dashur që të rrjedhë asnjë informacion. Merkatoja është hapur kudo. Madje, vlonjatët kanë nisur kontakte edhe me lojtarë nga Kosova dhe Maqedonia.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"