Trajneri Osmani flet për kualifikim: Vendos shumë ndeshja e parë; Kapiteni Hasani: Rezultatin e di Zoti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 11:43

Trajneri Osmani flet për kualifikim: Vendos shumë ndeshja e parë; Kapiteni Hasani: Rezultatin e di Zoti

Në kuadër të ndeshjes kualifikuese Ligës së Europës kundër Milanit, Shkëndija ka kryer dje seancën stërvitore dhe në përfundim të saj trajneri Qatip Osmani ka dalë në një konferencë për shtyp. Trajneri tetovar deklaroi se të gjithë e njohin Milanin dhe historinë e klubit të madh italian, por Shkëndija është e gatshme të japë më të mirën kur të dalë në fushë.

osmani hasani

“Kemi respekt të madh për Milanin, mirëpo do të mundohemi të përgjigjemi në fushën e lojës”, tha ai. Osmani ka pranuar se kuqezinjtë e Milanos janë favoritë, por nuk ngurroi të deklaronte se skuadra e tij do të përpiqej për një rezultat pozitiv në “San Siro”.

Ai shtoi: “Ndeshja e kthimit do zhvillohet pas një jave në Shkup, por përballja e parë do të jetë shumë e rëndësishme për sa i përket çështjes së kualifikimit. Për këtë arsye, nevojitet një taktikë e mirë dhe përqendrim maksimal për ndeshjen e “San Siros”. Natyrisht edhe mbështetja e madhe e tifozëve mund të ndikojë, por, për sa na përket, ajo nuk ka munguar në asnjë moment, pasi shqiptarët nga të gjitha trevat janë bashkuar për t’i dhënë kurajë dhe zemër Shkëndijës.

HASANI

Edhe kapiteni Ferhan Hasani, në konferencën për shtyp përpara sfidës, predikoi qetësi dhe përqendrim. Ai theksoi: “Skuadra duhet të zbresë si gjithmonë në fushë, pa frikë dhe të zhvillojë lojë si zakonisht”. Për sa u përket kuqezinjve të Milanos, 27-vjeçari deklaroi: “Milani është një skuadër e madhe që meriton të gjithë respektin tonë, por ne nuk dorëzohemi përpara kohe”. Për sa i përket rezultatit, ai tha: “Parashikime nuk bëj, rezultatin e ndeshjes e di vetëm Zoti”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"