“Trajneri mban lidhje shumë të mira me ne”, Kruja: 15 pikë janë OK, tentojmë Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2019 | 21:15

“Trajneri mban lidhje shumë të mira me ne”, Kruja: 15 pikë janë OK, tentojmë Europën

Arsid Kruja ishte një nga protagonistët e fitores së djeshme. Shënoi dhe dha asist, ndaj nuk kishte si të mos ishte i kënaqur. Për “Panorama Sport”, mesfushori foli me superlativa për trajnerin Mirsad Jonuz.

arsid kruja

“Me thënë të drejtën, kemi një grup shumë të mirë. Edhe trajneri mban lidhje shumë të mira me ne dhe kjo po bën që ne të marrim gjithë këto pikë. Dhe 15 nuk janë pak si fillim kampionati. Unë kam luajtur 6 muaj në Vlorë, kështu që ishte kënaqësi që isha këtu, sepse është klub me traditë të madhe dhe ndihem si në shtëpinë time. Por futbolli kështu është, sot je këtu, nesër diku tjetër. Jemi profesionistë”, u shpreh Kruja.

Ai foli edhe për pretendimet e Vllaznisë. “Objektivi për ne nuk është me patjetër Europa, por duam të japim maksimumin në çdo ndeshje. T’i marrim me radhë e pastaj të shohim, pse jo, edhe në Europë. Por duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të bëjmë maksimumin”, përfundoi Kruja, i cili dje kaloi “klasën” edhe si përkthyes. Ai e ndihmoi trajnerin gjatë intervistës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"