Trajneri Lika bën thirrje për impenjim: Vllaznia shkon larg në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2018 | 14:00

Trajneri Lika bën thirrje për impenjim: Vllaznia shkon larg në Kupë

Tekniku i Vllaznisë, Hasan Lika, kërkon që t’i mbajë me këmbë në tokë lojtarët e tij. Barazimi i arritur në takimin e parë në Burrel me shifrat 1-1 favorizon ekipin kuqeblu, por sipas teknikut kjo nuk duhet që t’i vërë “në gjumë” lojtarët. “Derisa janë edhe 90 minuta dhe asgjë nuk është e mbyllur, nuk kemi sesi të themi se jemi ne në turin tjetër.

lika

Nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment kundërshtari. Kemi një rezultat të favorshëm dhe luajmë në fushën tonë, kjo duhet shfrytëzuar. Megjithatë, duhet thënë se shanset për kalimin në turin tjetër janë tonat. Nuk duhet kurrsesi të mendojmë ndryshe”, tha Lika. Objektivi – Vllaznia nuk duket se këtë sezon të ketë si objektiv parësor të saj Kupën. Drejtuesit e ekipit janë fokusuar te kampionati për të arritur objektivin e vetëm: kalimin në Kategorinë Superiore. “Besoj se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë për të qenë në turin tjetër. Ne jemi të përqendruar te Kupa për të kaluar me sukses këtë tur, por siç edhe e kam thënë, kampionati është një nga objektivat kryesorë në këtë sezon.

vllaznia- dinamo 2-0

Ne kemi pasur një fillim të vështirë në përgatitjet tona për kampionatin, pasi nisëm me vonesë dhe do të kërkojmë që të rikuperojmë kohën e humbur. Ndërsa në Kupë kërkojmë që të  shkojmë sa më larg që të jetë e mundur”, vijoi trajneri. Përbërja – Pavarësisht se do të ketë një kontingjent të plotë para kësaj sfide, tekniku kuqeblu pritet që të bëjë ndryshime në formacion. Me ekipin është bashkuar Borshi, i cili është aktivizuar me ekipin e Vllaznisë B. “Gjendja e lojtarëve është e mirë. Për këtë takim mund të ketë ndonjë lëvizje në formacion, por nuk do të jenë ndryshime të mëdha. E thashë, derisa asgjë s’ka përfunduar, s’mund të bëjmë eksperimente të shumta”, ka deklaruar Hasan Lika.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"