Trajneri Kuman hidhet në kundërsulm: Nuk kam frikë, me Mesin u mundëm 8-2

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 13:56

Trajneri Kuman hidhet në kundërsulm: Nuk kam frikë, me Mesin u mundëm 8-2

Trajneri i Barcelonës, Ronald Kuman, është hedhur në kundërsulm. Duke shfrytëzuar konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Granadës, tekniku i katalanasve ka injoruar zërat për shkarkimin e tij, madje u ka kujtuar të gjithëve se edhe me Mesin e Grizmanin në fushë Barça pësoi plot 8 gola në Champions kundër Bajernit.

Kuman Barca

Tekniku holandez është shprehur qartë se skuadra ka probleme, por ai shpreson se me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar gjithçka mund të ndryshojë.

Çfarë ndeshjeje prisni kundër Granadës?

Ata nuk kanë ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e kaluar. Janë një skuadër që i kanë të qarta gjërat që duan të bëjnë, janë shumë të fortë fizikisht. Parapëlqejnë futbollin direkt dhe në sezonin e kaluar janë paraqitur mjaft mirë.

A keni kohë për të realizuar një projekt apo ju kërkohen rezultatet medoemos?

Në futbollin e sotëm gjithçka varet nga rezultatet. Të gjithë e kemi të qartë se na duhet kohë, por nga ana tjetër duhen fitoret dhe pikët.

E ndieni veten të braktisur nga klubi ose presidenti?

Presidenti ka folur çfarë kishte për të thënë dhe nuk kam ndërmend ta përsëris. Unë jam më shumë realist sesa oportunist. Rreth një vit më parë Barcelona u mund 2-8 përballë Bajernit e mos harroni se në fushën ishin Mesi, Grizman, Luis Suarez e të tjerë. Ndërkohë që ne luajtëm me lojtarë si Erik, Gavi, Pedri, të gjithë shumë të rinj.

Mendoni se në lojë është vendi juaj i punës?

Jo, unë e di se në lojë janë tri pikët përballë Granadës. Jam shumë i qetë, sepse deri më tani kemi bërë mirë në kampionat. Pastaj po presim dhe riaftësimin e disa lojtarëve të rëndësishëm. Unë nuk kam aspak frikë për të ardhmen time. Këtë e vendosin klubi dhe presidenti. Askush nuk më komunikuar se vendi im është në diskutim.

Kur do të kthehet Ansu Fati?

Ai po punon shumë fort, por nuk duam të nxitohemi për të dhënë data. Shpresojmë që në një javë apo dhjetë ditë ta kemi sërish në ekip.

A ka debate në klub në favor të njërit apo tjetrit kur vjen puna te trajneri?

Sigurisht që ka njerëz që flasin pro e kundër. Unë nuk i besoj shumë, por diskutime të tilla nuk mund të shmangen.

A mendoni se erdhët te Barça në momentin e saj më të vështirë?

Kjo është një situatë e ndërlikuar për të gjithë në klub, për presidentin, për mua dhe për tifozët. Të gjithë duam të përmirësohemi, por nuk pendohem aspak që kam ardhur në këtë moment të vështirë.

Si është gjendja e skuadrës pas humbjes me Bajernin?

Lojtarët janë realist, veçanërisht veteranët, ata me më shumë eksperiencë. E kemi pranuar humbjen ashtu siç ishte dhe duam të përmirësohemi. Por nga ana tjetër të gjithë e kemi të qartë se gjërat nuk mund të ndryshohen në dy ditë.

A mendoni se tifozët ju mbështesin?

Nuk e di ta them. Ka nga ata tifozë që janë realist, ka dhe nga ata që janë oportunistë. Unë i mirëkuptoj të dyja palët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"