Trajneri Kostiç me ide të qarta, Luftëtari hidhet në sulm në premierën ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 17:27

Trajneri Kostiç me ide të qarta, Luftëtari hidhet në sulm në premierën ndaj Kastriotit

Për trajnerin slloven të Luftëtarit, Millosh Kostiç, është momenti për të ulur “marshin” e përgatitjeve dy ditë para takimit premierë, atij me Kastriotin. Të shtunën, skuadra gjirokastrite do të përballet në stadiumin “Gjirokastra” me skuadrën krutane dhe për objektiv të vetëm ka fitoren. Dje bluzinjtë e Kostiçit janë mjaftuar me një seancë stërvitore të realizuar në kompleksin sportiv “Fusha e vjetër”.

Stafi Luftetari

PËRGATITJET – Qëllimi i seancës së paradites ka rezultuar në përmirësimin e komponentëve tekniko-taktikë. Trajneri Kostiç, çdo ditë në seancat e fundit stërvitore, u ka kërkuar të tijve më shumë besim dhe përqendrim në çdo lloj situate gjatë lojës. Ndeshja e fundit miqësore me Bylisin, e luajtur në Ballsh, ku Luftëtari fitoi bindshëm 3-0, përpos rezultatit pozitiv tregoi se ekipi ka nevojë të përmirësohet në të gjithë komponentët që kërkon një ndeshje futbolli. E si për të riparuar gjithçka, trajneri Kostiç ka provuar në seancat e fundit stërvitore module dhe variante të ndryshme taktike, të kushtëzuara nga emrat e lojtarëve në dispozicion.

FORMACIONI – Me të gjitha gjasat, Luftëtari të shtunën pritet të zbresë në fushë me formacionin që u prezantua në miqësoren me Bylisin: Ruçi, Liçaj, Rrapa, Janiçiç, Xhekson, Aleksi, Ramdani, Rrapo, Milosavljev, Shkurtaj e Ymeraj e nisën lojën si titullarë ndaj Bylisit. Megjithatë, nisur nga seancat e fundit, formacioni antiKastriot mbetet “ekuacion” me shumë të panjohura, nëse kemi parasysh afrimin e lojtarëve të ardhur së fundmi.

PROVAT – Në radhët e gjirokastritëve nuk mungojnë të rinjtë në provë. Më i fundit është qendërmbrojtësit 19- vjeçar, Rei Zaimi. Erind Jahelezi, Ardit Jaupaj, Ledion Xhymerti dhe Dhimitër Andoni janë të rinjtë që mbeten në pritje të konfirmimit si bluzinj.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"