Trajneri i Turbinës: Jemi më shumë se gati, na ka munguar fusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 22:29

Trajneri i Turbinës: Jemi më shumë se gati, na ka munguar fusha

Turbina do të rinisë përgatitjet javën e ardhshme. Këtë e bën të ditur trajneri i cërrikasve, Vladimir Gjoni. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ai është tejet i lumtur për vendimin e marrë për rinisjen e aktivitetit.
vladimir-gjoni
“Kam marrë një njoftim nga presidenti i ekipit, për të rinisur përgatitjet në grup më 18 maj. Ishim në pritje të zgjidhjes së këtij ngërçi, që mori fund. Kam njoftuar ndërkohë të gjithë lojtarët. Seancat stërvitore do t’i zhvillojmë në kryeqytet në kompleksin sportiv të ngritur nga Redi Jupi. Është vendosur që të punojmë pasditeve. Pas më shumë se dy muaj e gjysmë, do të rikthehemi në fushën e blertë, gjë që na ka munguar shumë. Përgatitjet do të jenë intensive pasi përpara kemi takime të forta. Në 7 qershor do të rinisë Kategoria e Parë, kështu që deri atëherë duhet të jemi gati. Ndërkohë, të gjithë futbollistët e Turbinës janë stërvitur individualisht, me programet që i kam dhënë nëpërmjet lidhjeve direkte që kam pasur me ta. Por stërvitja në grup është ajo efikasja. Objektivi ynë është mbijetesa në këtë kategori dhe do të japim maksimumin e mundshëm për t’ia dalë mbanë”, ka përfunduar Gjoni.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"