Trajneri i Turbinës besimplotë: Jemi më lart në çdo aspekt, e likuidojmë Devollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 14:06

Trajneri i Turbinës besimplotë: Jemi më lart në çdo aspekt, e likuidojmë Devollin

Turbina as që e mendon rënien në Kategorinë e Dytë. Skuadra është gati për të likuiduar Devollin, në finalen që do të luhet sot në “Niko Dovana”.

sinan bardhi

Ndeshje të tilla kurrë nuk kanë garanci, por stafi teknik i ka marrë që të gjitha masat. Të premten pasdite i ka mbyllur përgatitjet në Cërrik dhe janë nisur drejt Durrësit, atje ku do të kalojë natën.

Grupi është i plotë, në ndryshim nga transferta sarandjote. Portieri Leonid Varfi, mbrojtësi Shaqir Jugu dhe mesfushorët Abjel Bejzade e Vilfor Arbana janë rikuperuar dhe pritet që të zbresin në fushë.

Sinan Bardhi beson se do t’ia dalin, por u bën thirrje lojtarëve që të japin shpirtin në fushë. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i të verdhëve thotë:

“Jemi gati për përballjen me bilishtarët, të cilët i kemi vlerësuar në maksimum. Jemi më lart se ata në çdo aspekt, kështu që nuk do ta diskutojmë fitoren.

Ne e meritojmë qëndrimin në Kategorinë e Parë, pasi kemi treguar vlera në këtë ligë. Presidenti bashkë me bashkinë na kanë qëndruar pranë.

Do t’i nderojmë ata duke dhënë më të mirën tonë, siç kemi bërë në çdo ndeshje. Kemi zhvilluar një stërvitje speciale këtë javë, duke u përgatitur deri te penalltitë. Por nuk do ta çojmë ndeshjen deri atje.

Për sa i përket skuadrës, u bëj thirrje të gjithë djemve të japin shpirtin në fushë, sepse fanella e Turbinës ka peshë të madhe. Kërkoj mbështetje edhe nga tifozët tanë, të cilët duhet të jenë të shumtë për të na mbështetur në këtë finale”.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"