Trajneri i Tomorit: Klubi ka pasur shumë para, por janë shpenzuar keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 10:42

Trajneri i Tomorit: Klubi ka pasur shumë para, por janë shpenzuar keq

Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule e konsideron si të nevojshme miqësoren e luajtur në Ballsh, pasi skuadra, për herë të parë gjatë këtyre ditëve përgatitore, luajti në një fushë të madhe. Tekniku beratas ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e të tijve, pavarësisht humbjes së ngushtë me rezultatin 1-0.

santiliano dule

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i Tomorit u ka bërë një skaner përgatitjeve të deritanishme dhe hedh akuza për të kaluarën.

Si ju është dukur ekipi në këtë miqësore të parë që keni zhvilluar në Ballsh?

Pavarësisht humbjes së marrë në këtë takim, paraqitja që ka bërë ekipi më ka dhënë sinjale mjaft pozitive dhe për këtë ndihem i kënaqur. Pas gati 3 javësh përgatitje intensive, skuadra akoma nuk është konkluduar 100%, por mua futbollistët më dhanë shenja tepër pozitive në të dyja repartet. Megjithatë, djemtë e ekipit kanë dhënë më të mirën e tyre edhe pse janë tejet të lodhur fizikisht, duke i përmbushur të gjitha udhëzimet e mia.

Është përfolur shumë që problemi kryesor i këtij ekipi është prezenca e një organizatori dhe se Ajdinaj nuk e mbulon dot këtë repart. Mendoni të njëjtën gjë?

Sigurisht që ekipi im ka nevojë jo vetëm për një organizator, por edhe për 2-3 elementë të tjerë, si një qendërmbrojtës apo ndoshta edhe për një sulmues të dytë. Por ideja është që si Ajdinaj, ashtu edhe Isufi, më kanë lënë mbresa shumë të mira me aq sa e njoh unë futbollin. Unë kam marrë disa të rinj si Buba, Drabo apo Xherimeja dhe kam shpresa shumë të mëdha që ky është një brez që do t’i bëjë punë Tomorit në 10 vitet e ardhshme.

Ka mbajtur Tomori lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar?

Tomori ka ruajtur lojtarët më efikas. Gati 50% e grupit është larguar, duke nisur me sulmuesin Agastra, Gjonaj, Mihani, Veliaj e disa të tjerë. Sipas mendimi tim, besoj se kam mbajtur lojtarët me efikas dhe me bindje të plotë e them se ky grup më ka lënë shije pozitive. Me dy ose tre përforcime të tjera ne nuk do të përfillim asnjë ekip, në qoftë me histori apo jo.

Si është paraqitja e lojtarëve të ardhur në këtë merkato dhe sa të kënaqur jeni?

Onuh është një lojtar shumë cilësor, por pres akoma më shumë nga ai. Ndërkohë që Daci është një lojtar me eksperiencë, i qetë dhe me një personalitet të lartë, gjë që e ka treguar edhe gjatë ndeshjes. Gjithashtu, akoma më shumë pres edhe nga Endri Mersini, pasi është një futbollistë punëtor dhe multifunksional, pa anashkaluar edhe Kopaçin, i cili ka treguar cilësi shumë të mira.

Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë kritika për sa i përket merkatos së bërë. Ç’mund të na thoni?

Personalisht nuk kam dëshirë që të përmend emra. Që ditën e parë që kam ardhur e kam përmendur që Tomori ka pasur shumë para, por zgjedhje të gabuara. Strategjia ime për këtë sezon është krejt ndryshe. Do t’u jepet përparësi lojtarëve vendës, ku në të njëjtën kohë kemi marrë jabanxhinj që do t’i bëjnë punë Tomorit.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"